Kosovë – Pritje shtetërore për krijimin e ushtrisë

Në hapësirat e Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës u organizua një pritje shtetërore me rastin e miratimit të projektligjeve për transformimin e FSK-së në ushtri.

Kosovë – Pritje shtetërore për krijimin e ushtrisë

Në hapësirat e Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës u organizua një pritje shtetërore me rastin e miratimit të projektligjeve për transformimin e FSK-së në ushtri.

Në pritjen e organizuar në hapësirat e Ministrisë së FSK-së morën pjesë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeparlamentari Kadri Veseli, kryeministri Ramush Haradinaj, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Arta Rama Hajrizi, ish krerë të lartë të shtetit, përfaqësuesit e kabinetit qeveritar, deputetët, përfaqësuesit diplomatikë, përfaqësuesit e institucioneve vendore dhe të familjeve të dëshmorëve, si dhe ushtarë të FSK-së.

Pas intonimit të himnit të Kosovës, pjesëtarëve në një fjalë rasti iu drejtua presidenti i vendit dhe komandanti Suprem i FSK-së, Thaçi. Ai deklaroi se sot është përmbyllur një proces i nisur para shumë vitesh, duke theksuar se edhe bazamenti i ushtrisë së Kosovës është lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Thaçi falenderoi të gjithë deputetët e Kuvendit, të cillët sipas tij pa dallime partiake treguan se kur është në pyetje interesi i Kosovës i tejkalojnë interesat e ngushta partiake dhe votojnë për Kosovën. Ai më tej shtoi se transfirmimi i FSK-së do të bëhet në bashkëpunim dhe në koordinim me NATO-n dhe partnerët në botë.

“FSK do të mbetet forcë shumë etnike që do t’i shërbejë çdo qytetari të Kosovës pa dallim feje e etnie dhe do të bëhet faktor i sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë, por edhe në rajon dhe më gjerë. Partnerëve tanë ndërkombëtarë u themi se mënyra më e mirë për të shprehur mirënjohjen tonë është duke e kthyer vendin tonë në një eksportues të paqes dhe të sigurisë”, tha ai.

Kurse kryeparlamentari Veseli deklaroi se janë dëshmitarë të një ditë të madhe të historisë së popullit të Kosovës, ditëlindjes së ushtrisë së Kosovës. Ai theksoi se janë pjesëtarë të një kombi, i cili, sipas tij, gjatë tërë ekzistencës asnjëherë nuk ka sulmuar askënd, por ka luftuar vetëm për drejtësinë.

“Me mision, qëllime, vlera dhe përbërje, ushtria e Kosovës do të pasqyrojë vizionin euroatlantik të shtetit tonë, rendin kushtetues demokratik të Republikës së Kosovës. Uniforma e ushtrisë së Kosovës do të jetë uniformë nderi e krenarie për shqiptarët e Kosovës, për serbët, për turqit, për boshnjakët, malazezët, romët, ashkalinjtë dhe egjiptasit e Kosovës”, tha ai.

Së fundmi, kryeministri Haradinaj tha se nuk ka mik më të mirë se FSK, por edhe se nuk ka armiq më të keq se FSK. Ai shtoi se nuk do të zhvillojnë doktrinë mbrojtëse që të kthehen kundër popullit.

“Kurrë ushtria e Kosovës nuk do të kthehet kundër kurrkujt, jo kundër popullit të vet, jo kundër serbëve. Serbët si në jug, si në veri, janë njerëz të këtij vendi. Ushtria është e tyre, ata nesër do të shërbejnë në këtë ushtri, jo vetëm ata po të gjithë që jetojnë në Kosovë. Njëkohësisht ne s’kemi ardhur te reshti që ne tashti të fundit me e rreziku paqen, paqja që na ka munguar gjithë. Ne kemi ardhur te reshti për t’i ndihmuar paqes. I ftojmë në partneritet për paqe ushtritë e rajonit, ia nisi prej ushtrisë së Shqipërisë, e ftojmë në partneritet, edhe të Malit të Zi, edhe të Maqedonisë, por dëshirojmë të kemi partneritet për paqe edhe me ushtrinë e Serbisë, ashtu si dëshirojmë që një ditë të kemi paqe me Serbinë”, tha Haradinaj.

Më pas pjesëtarët ndoqën një dokumentar për rrugëtimin e FSK-së dhe planet për tranzicionin sipas dakordimit me miqtë ndërkombëtarë. Së fundmi Thaçi, Veseli e Haradinaj inspektuan disa nga kapacitetet ushtarake të FSK-së.

Kujtojmë se në seancën e sotme, Kuvendi i Kosovës me një shumicë absolute miratoi tre projektligjet për transformimin e FSK-së në ushtri, respektivisht projektligjin për formimin e Ministrisë së Mbrojtjes, projektligjin për transformimin e FSK-së në ushtri, si dhe projektligjin për shërbim në FSK. Votimi i projektligjeve të sotme pritet të dekretohet nga presidenti Thaçi, pas së cilës Kosova zyrtarisht bëhet me ushtri.

Sot FSK-ja numëron rreth 2 mijë e 500 ushtarë aktiv, ndërkaq pas arritjes së kapaciteteve të plota operacionale FSK do të ketë 5 mijë pjesëtarë aktivë dhe 3 mijë pjesëtarë rezervë. Anadolu Agency (AA)

 


Lajme të ngjashme