Stoltenberg: Transformimi i FSK-së në ushtri të rregullt, veprim në kohë të gabuar

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi të premten se miratimi i 3 projektligjeve nga Kuvendi i Kosovës për transformimin e Forcës së Sigurisë (FSK) në ushtri të rregullt është për të ardhur keq dhe një veprim në kohë të gabuar...

Stoltenberg: Transformimi i FSK-së në ushtri të rregullt, veprim në kohë të gabuar

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi të premten se miratimi i 3 projektligjeve nga Kuvendi i Kosovës për transformimin e Forcës së Sigurisë (FSK) në ushtri të rregullt është për të ardhur keq dhe një veprim në kohë të gabuar.

“Është për të ardhur keq që ky vendim u mor pavarësisht shqetësimeve të shprehura nga NATO-ja. Në parim, transformimi i FSK-së në ushtri është një çështje që i përket vetëm Kosovës të vendosë, por ne e kemi bërë të qartë se nuk është koha e duhur për këtë ndryshim”, u shpreh Stoltenberg përmes një komunikate me shkrim.

Stoltenberg tha se NATO-ja është e gatshme të mbështesë FSK-në me kompetencat e saj aktuale.

Por me ndryshimin e kompetencave – shtoi ai – Aleanca do të detyrohet të rishikojë marrëdhënien e saj me FSK-në.

Duke potencuar gjithashtu se NATO-ja mbetet e përkushtuar të kontribuojnë përmes KFOR-it në ruajtjen e stabilitetit të Kosovës në veçanti dhe të Ballkanit Perëndimor në përgjithësi, Stoltenberg u bëri thirrje të gjitha palëve për të mos përshkallëzuar tensionin.

Vlen të kujtojmë se Kuvendi i Kosovës miratoi në seancën e sotme me një shumicë absolute 3 projektligjet për transformimin e FSK-së në ushtri të rregullt, respektivisht projektligjin për formimin e Ministrisë së Mbrojtjes, projektligjin për transformimin e FSK-së në ushtri, si dhe projektligjin për shërbim në FSK.

FSK-ja do të transformohet zyrtarisht në ushtrinë e Kosovës pasi këto 3 projektligje të dekretohen nga Presidenti Hashim Thaçi.



Lajme të ngjashme