Kosovë – Kuvendi miraton 3 projektligjet për transformimin e FSK-së në ushtri të rregullt

Kuvendi i Kosovës ka miratuar me shumicë absolute 3 projektligjet për transformimin e Forcës së Sigurisë (FSK) në ushtri të rregullt...

Kosovë – Kuvendi miraton 3 projektligjet për transformimin e FSK-së në ushtri të rregullt
Kosova Meclisi - Kosova ordusu kuruluyor.jpg
kosova ordusu.jpg

Kuvendi i Kosovës ka miratuar me shumicë absolute 3 projektligjet për transformimin e Forcës së Sigurisë (FSK) në ushtri të rregullt.

Ato u votuan në shqyrtimin e dytë dhe priten të dekretohen nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas së cilës Kosova do të bëhet zyrtarisht me ushtri.

“Me këtë votim, sot fillon një epokë e re për shtetin tonë, nga ky moment zyrtarisht ne kemi ushtrinë e Kosovës. Në sallë kemi kadetët e FSK-së që nga ky çast janë ushtarë të Kosovës, të cilëve u uroj ushtrinë e Kosovës. Urime ushtarë, prej sot, gatitu”, deklaroi pas votimit Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Projektligji i parë për formimin e Ministrisë së Mbrojtjes u votua me 107 vota pro dhe 1 abstenim. Ai përcakton organizimin dhe transformimin e Ministrisë së FSK-së në Ministrinë e Mbrojtjes si një organ i qeverisë.

Projektligji i dytë për transformimin e FSK-së në ushtri të rregullt u votua me 106 vota pro dhe me të përcaktohen kompetencat, organizimi dhe funksionimi i FSK-së si forcë multietnike, profesionale, e armatosur dhe e autorizuar për të shërbyer në vend dhe jashtë vendit, në pajtim me mandatin kushtetues dhe ligjor të dhënë nga Kuvendi, në mbrojtje të integritetit territorial, të qytetarëve, të pronës, si dhe interesave të Kosovës që i nënshtrohet kontrollit civil demokratik.

Projektligji i tretë për shërbim në FSK u votua me 105 vota pro dhe me të rregullohen kushtet e përgjithshme të shërbimit në FSK, si një shërbim i ndërtuar mbi bazën e parimit të ligjshmërisë, profesionalizmit, komandës, disiplinës, respektit, nderit, ruajtjes së informacionit, komunikimit, mosdiskriminimit dhe shanseve të barabarta, paanshmërisë politike, transparencës dhe llogaridhënies.

Në votimin e projektligjeve të pranishëm ishin 107 deputetë nga gjithsej 120 të Kuvendit të Kosovës. Deputetët e Listës Serbe, të cilët kundërshtonin transformimin e FSK-së në ushtri të rregullt, nuk ishin të pranishëm në seancë.

Përveç kabinetit qeveritar dhe deputetëve, në seancë të pranishëm ishin gjithashtu Presidenti Hashim Thaçi, Kryeministri Ramush Haradinaj, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, si dhe gjeneralë e kadetë të FSK-së.

Kujtojmë se më 13 shtator, qeveria e Kosovës miratoi dhe ia procedoi Kuvendit 3 projektligjet për transformimin e FSK-së. Kjo erdhi pasi nuk u arrit që ky transformim të bëhej nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese për shkak të kundërshtimit të deputetëve serbë.

Sipas procedurës, për ndryshime kushtetuese nevojitej miratimi nga dy të tretat e gjithsej 120 deputetëve të Kuvendit, si dhe pëlqim nga dy të tretat e 20 deputetëve të grupeve të tjera etnike, të cilat formohen nga 10 deputetë serbë dhe 10 nga komunitetet turke, boshnjake, ashkali e gorane. Pas këtij procedimi, deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan më datë 18 tetor në parim 3 projektligjet për transformimin e FSK-së në ushtri të rregullt.



Lajme të ngjashme