Mali i Zi hapi kapitullin 27. për aderim në Bashkimin Evropian

Në Bruksel u mbajt konferenca ndërshtetërore, ku Mali i Zi hapi kapitullin e 27-të për aderim në Bashkimin Evropian, i cili ka të bëjë me mjedisin jetësor dhe ndryshimet klimatike...

Mali i Zi hapi kapitullin 27. për aderim në Bashkimin Evropian

Në Bruksel u mbajt konferenca ndërshtetërore, ku Mali i Zi hapi kapitullin e 27-të për aderim në Bashkimin Evropian, i cili ka të bëjë me mjedisin jetësor dhe ndryshimet klimatike. Delegacionin nga Mali i Zi në këtë takim e kryesoi ministri i Jashtëm, Srgjan Dramanoviç, e në përbërje të delegacionit ishte edhe kryenegociatori për bisedime me Bashkimin Evropian, Aleksandar Drljeviç, ministri i Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Turizmit, Pavle  Radulloviç, si dhe përfaqësues të tjerë. Autoritetet malazeze hapjen e kapitullit të 27-të e vlerësojnë si arritje të madhe në reformat në të gjitha lëmitë që kanë të bëjnë me mjedisin jetësor, ruajtjen e shumëllojshmërisë së pasur biologjike dhe vënien në jetë të principeve dhe standardeve të zhvillimit të qëndrueshëm.

Bashkëpunim në fushën e energjetikës ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës

Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës ishin mysafirë të deputetëve të Kuvendit të Malit të Zi. Takimi u realizua në kuadër të projektit “Dialogu publik mbi shfrytëzimin e qëndrueshëm të energjisë në Evropën Juglindore”. Në takim është folur mbi temat që kanë të bëjnë me fushën e energjetikës dhe shfrytëzimin e potencialeve energjetike dhe perspektivën e mëtejshme të zhvillimit të kësaj dege, valorizimin e termo-hidropotencialeve, si dhe burimeve alternative të energjisë. Nënkryetari i Parlamentit të Malit të Zi, Genci Nimanbegu, gjatë takimit me kolegët nga Kosova ka diskutuar përveç temës së cekur edhe për domosdoshmërinë e ndërtimit të rrugëve Deçan-Plavë dhe Rozhajë-Pejë, që janë jetike për banorët e zonave veriore të Malit të Zi.

Vazhdim i bashkëpunimit në fushën e kulturës midis Malit të Zi dhe Turqisë

Ministri i Kulturës së Malit të Zi, Aleksandar Bogdanoviç, u takua me ambasadorin në largim të Turqisë në  Mal të Zi, Serhat Galip. Ministri  vlerësoi shumë të suksesshëm bashkëpunimin që Mali i Zi ka me Turqinë në fushën e kulturës, duke shprehur nevojën e avancimit të mëtejshëm të marrëdhënieve tradicionalisht të mira. Ministri Bogdanoviç përmendi edhe takimin që ka zhvilluar me homologun e tij turk, Mehmet Nuri Ersoy, ku është rënë dakord për nënshkrimin e marrëveshjes për bashkëpunim në fushën e kulturës midis dy vendeve, së bashku me programin konkret për implementimin e aktiviteteve të përbashkëta. Në takim, ministri Boganoviç ka shprehur bindjen që edhe ambasadori i ri i emëruar i Turqisë në Mal të Zi do të kontribuojë në realizimin e këtij bashkëpunimi. Nënshkrimi i marrëveshjes midis dy vendeve, sipas ministrit Bogdanoviç, do të ndihmojë bashkëpunimin institucional në të gjitha fushat e kulturës dhe krijimtarisë artistike, si dhe mbrojtjes së trashëgimisë kulturore nëpërmjet shkëmbimit të përvojave. Ambasadori Serhat Galip, nga ana e tij përmendi bashkëpunimin kulturor që ka zhvilluar Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe  Koordinim, TIKA, ka zhvilluar me institucionet malazeze, prej të cilëve me rëndësi të veçantë është restaurimi i Kullës së Sahatit në Podgoricë dhe i Hamamit të Ali Pashës në Ulqin.

Takim i policive të vendeve të rajonit

Drejtori i policisë së Malit të Zi, Veselin Veloviç, mori pjesë në Kuvendin Gjeneral të Asociacionit të Shefave të Policisë të Evropës Juglindore që u mbajt në Shkup. Tema e takimit ishte roli i këtij asociacioni në projektet e mbështetura të Bashkimit Evropian, të cilat kishin të bënin me bashkëpunimin e policive të vendeve të rajonit të Ballkanit. Në takim është folur për modelet e shkëmbimit të informacionit ndërmjet vendeve anëtare me qëllim të forcimit të kapaciteteve në luftën kundër krimit të organizuar. Drejtori i policisë së Malit të Zi, Veloviç, foli për rolin e policisë malazeze sa i përket bashkëpunimit me vendet e rajonit. Ai tha po ashtu se Asociacioni i Shefave të Policive të këtyre vendeve duhet të vazhdojë të jetë faktor i rëndësishëm dhe strategjik në luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar. Delegacioni nga Mali i Zi gjatë qëndrimit në Shkup pati takime të shumta bilaterale edhe me zyrtarë të tjerë e në takim me drejtorin e policisë së Shqipërisë, Ardi Veliu, u veçua bashkëpunimi ndërkufitar me theks të veçantë në zgjidhjet e çështjeve që kanë të bëjnë me emigracionin ilegal, që tashmë është një sfidë e policive të Malit të zi dhe Turqisë.

Filluan përgatitjet për festat e fundvitit

Komuna e Ulqinit me 21 dhjetor do të organizojë pritjen tradicionale të fundvitit. Tashmë është bërë traditë që me këtë rast të shpërblehen nxënësit, sportistët, klubet sportive dhe të punësuarit e disa institucioneve për punë dhe suksese në vitin që po kalon. Fjalën e rastit do ta mbajë kryetari i Komunës së Ulqinit, Loro Nrekiç. Ndërkohë në Ulqin kanë nisur aktivitetet dhe përgatitjet për Festën e Vitit të Ri, ku pritet zbukurimi i qytetit dhe i objekteve të ndryshme afariste dhe hotelerike.

Në Ulqin u organizua seminari me temën “Për një rini të shëndetshme”

Në organizim të shoqatës “Këshilla” në Ulqin u mbajt seminari me temën “Për një rini të shëndetshme”. Salla e mbushur plot ndoqi me vëmendje ligjëratat e ekspertëve, të cilët me fakte dhe argumente dëshmuan se sa të dëmshme janë duhani, alkooli, drogat dhe lojërat e fatit për të rinjtë dhe çfarë pasojash mund të lënë ato. Në aktivitetet e këtij seminari, krahas ekspertëve vendas, u angazhuan edhe njohës të fushës nga jashtë. Aktiviteti u mbështet nga Komuna e Ulqinit.

   

Për Zërin e Turqisë nga Mali i Zi përgatiti Vera ALIBEGU KATANA



Lajme të ngjashme