Shqipëria për herë të parë merr kryesimin e OSBE-së në 2020

Lajmi për miratimin e kandidaturës së Shqipërisë, u bë i ditur nga Delegacioni i Italisë në OSBE.

agit minsk bakü'de.jpg
Arnavutluk Disisleri Bakani Ditmir Bushati.jpg
Arnavutluk ogrenci protestolari 2.jpg
Arnavutluk Yunus Emre kilim sergisi 2.jpg
Arnavutluk Yunus Emre kilim sergisi 3.jpg

-Shqipëria merr kryesimin e OSBE-së në 2020

Shqipëria do të marrë kryesimin e radhës së OSBE-së në vitin 2020.

Lajmi për miratimin e kandidaturës së Shqipërisë, u bë i ditur nga Delegacioni i Italisë në OSBE, vend i cili ka kryesimin e kësaj organizate të rëndësishme ndërkombëtare deri në 31 dhjetor 2018.

Dekreti mbi Presidencën e OSBE-së 2020 është miratuar! Urime për Shqipërinë për këtë arritje të rëndësishme! Ne presim të punojmë së bashku me ju në kuadër të Trojkës”, thuhet në deklaratën e Delegacionit të Italisë në OSBE.

Edhe delegacioni i SHBA-së në OSBE, përshëndeti vendimin e arritur nga kjo organizatë, që miratoi kandidaturën e Shqipërisë për të marrë kryesimin e OSBE-së në vitin 2020.

Ne do të mbështesim Shqipërinë, ndërsa Shqipëria merr këtë rol vendimtar”, thuhet në deklaratën e delegacionit të SHBA-së në OSBE.

Ndërkohë, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri përgëzoi Shqipërinë për marrjen e kryesimit të radhës së OSBE-së në 2020.

Ne presim një bashkëpunim edhe më të ngushtë me vendin tonë pritës, ndërsa Shqipëria përgatitet për rolin e vet të ri dhe përgjegjësitë që përfshin në komunitetin tonë të sigurisë”, thuhet në këtë deklaratë.

Shqipëria ishte kandidatura e vetme dhe nuk pati asnjë kundërshtim. Të gjitha vendimet në OSBE merren me pëlqimin e 57 shteteve pjesëmarrëse.

Shqipëria do të jetë që nga 1 janari 2019 në Trojkë së bashku me Italinë, që e lë kryesimin dhe Sllovakinë që e merr më 1 janar 2019.

-Ministria e Jashtme e Shqipërisë reagon për vrasjen e shtetasit shqiptar në Greqi

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë (MEPJ), ka reaguar për vrasjen e një shtetasi shqiptar para disa ditëve në Greqi. MEPJ, në një njoftim zyrtar thekson se ky institucion është njoftuar nëpërmjet Ambasadës së Shqipërisë në Athinë se në zonën e Kavallës, është gjendur i pajetë shtetasi shqiptar, Marios Isak, 18 vjeç, lindur në Kavalla, Greqi. 
Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Athinë është në kontakt me familjen e të ndjerit për ofrimin e asistencës së nevojshme. Kjo është vrasja e katërt e një qytetari shqiptar brenda dy javëve të fundit. MEPJ shpreh shqetësimin për serinë e vrasjes së shqiptarëve në Greqi përgjatë dy javëve të fundit dhe në të njëjtën kohë solidaritetin me familjet e tyre. MEPJ shpreh indinjatën e thellë për humbjen e jetëve të bashkëkombësve tanë, ndjenja këto që thellohen nga vonesat në zbardhjen e këtyre ngjarjeve nga autoritetet greke”, theksohet në njoftim. 
MEPJ dënon ashpër sfondin e ekstremizmit dhe gjuhës së urrejtjes, sipas saj, që ka shoqëruar këto ngjarje në vendin fqinj dhe i bën thirrje autoriteteve greke për dënimin dhe “vënien fre të çfarëdo përpjekjeje të Agimit të Artë apo segmenteve të tjera ekstremiste për të cenuar sigurinë dhe dinjitetin e shqiptarëve që punojnë e kontribuojnë në vendin fqinj.” 
Nuk pranojmë kurrsesi të mësohemi as me thirrjet e tyre ksenofobe në kanalet e komunikimit dhe as me viktimizimin patetik e nacionalist të ndonjërit syresh që nuk lë rast pa sulmuar Shqipërinë në instancat evropiane. Në kushtet kur bashkëkombësit tanëpo ndjejnë trysninë e një fushate të pashpallur urrejtjeje dhe dhune, MEPJ shpreh angazhimin e shtetit shqiptar për t'i dhënë viktimave dhe familjeve të tyre mbështetjen e nevojshme ligjore dhe financiare për të mbrojtur të drejtat e tyre themelore, si pjesëtarë të komunitetit më të madh evropian që jeton, studion dhe kontribuon prej dekadash ne Greqi”, thuhet në njoftim. 
Kujtojmë se ngjarjet ku kanë mbetur të vrarë në Greqi disa shtetas të Shqipërisë kanë ndodhur disa javë pasi shtetasi Kostandinos Kaçifa, 35-vjeç, banor i minoritetit grek në Qarkun e Gjirokastrës mbeti i vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me forcat e policisë në këtë qark. Kjo ngjarje shkaktoi reagime në Shqipëri dhe Greqi.

-Studentët vijojnë protestën përpara Ministrisë së Arsimit në Tiranë

Studentët vazhdojnë protestën e tyre përpara Ministrisë së Arsimit, ndërsa janë shprehur të vendosur deri në realizimin e të gjitha kërkesave të tyre. Protesta e studentëvenisi me kërkesën kundër tarifës për provimet e prapambetura, ndërkohë që ata kanë kërkuar edhe përgjysmim të tarifës së studimit, rritje në 50% e votës për zgjedhjen e dekanëve e rektorëve, rritje të përfaqësisë së studentëve në bordin e administrimit, mbështetja e studentëve për kërkime shkencore, mbështetja e studentëve të doktoraturës me fonde, përmirësim i kushteve të konvikteve, dyfishim i buxhetit për arsimin e lartë si dhe pajisja e studentëve me kartë studenti brenda vitit 2018-2019.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama shprehet i gatshëm të takohet me studentët protestues për t’i dëgjuar dhe për t’i mbështetur ata në adresimin e shqetësimeve të tyre.

Rinia është aseti ynë me i çmuar kombëtar, ndaj dhe kujdesi ndaj shqetesimeve dhe aspiratave të tyre duhet të jetë prioritet i të gjithëve, sidomos i institucioneve”, ka deklaruar Presidenti i Republikës, Ilir Meta.

Në një njoftim për shtyp nga Presidenca bëhet e ditur se, Presidenti i Republikes, Ilir Meta po ndjek me vëmendje protestat e studentëve të universiteteve në disa qytete të Shqipërisë.

-Rektori i Universitetit të Trakias së Turqisë vizitë në Shqipëri

Në Fondacionin “ALSAR” është pritur rektori i Universitetit të Trakias, Prof. Dr. Erhan Tabakoğlu. Ishte hera e parë që Tabakoğlu bënte një vizitë në zyrat e “ALSAR”-it. Prof. dr. Erhan Tabakoğlu u prit nga kryetari i Fondacionit “ALSAR”, Mehdi Gurra. Dy personalitetet janë takuar dhe më parë, dhe ky ishte takimi i tretë midis tyre. Siç ngjet zakonisht në pritje të tilla, rektori i Universitetit të Trakias së Turqisë u njoh më së pari me veprimtarinë e Fondacionit “ALSAR”. Në bisedë janë diskutuar një varg çështjesh, duke nisur me atë të studentëve shqiptarë që studiojnë në Turqi e që mbështeten nga Universiteti i Trakias, ky institucion i arsimit të lartë i cili gjendet në Edirne. Të mbështetur veç me bursë studimi, këta studentë përballen me probleme si ai i konviktit, që nuk përfshihet në bursën e dhënë. Kësisoj, një bursë e plotë do të ishte zgjidhja më e mirë për ta. Rektori bëri të ditur se vijonte puna për ndërtimin e një konvikti për 4.500 studentë, që besohet se do të jetë gati vitin e ardhshëm…
U shtrua mes të tjerash çështja e organizimittë konferencave të përbashkëta me Institutin e Kërkimeve Ballkanike, pjesë e Universitetit të Trakias. Një sugjerim i pritur me mjaft interes nga Prof. Dr. Erhan Tabakoğlu, siç u pritën dhe sugjerimet e tjera.
Nga kryetari i Fondacionit “ALSAR” u shtrua si kërkesë që studentëve të Ballkanit, posaçërisht atyre nga Shqipëria, që studiojnë për magjistraturë dhe doktoraturë në universitetin në Tekirdağ, t’u jepen tema studimore në lidhje me vendet e tyre, e të punohet që këto tema të përkthehen në shqip dhe në gjuhë të tjera ballkanike. 
Universitetet turke, theksoi z. Gurra, duhet të angazhohen me personelin e tyre kërkimor për të bërë studime shkencore mbi vendet ballkanike që më pas të shërbejnë si udhëzuese për politikën e shtetit turk. 
Si një shqetësim, drejtuesi i fondacionit shtroi përpara rektorit të Universitetit të Trakias çështjen e largimit të trurit shqiptar nga Shqipëria. Një ndihmë do të ishte, sipas tij, në këtë aspekt që studentëve shqiptarëve t’u mundësohej nëpërmjet kontakteve, kompanive të ndryshme turke në Shqipëri, apo mënyrave të tjera, që të punësoheshin më së paku për pesë vite pas mbarimit të studimeve në vendin e tyre. 
Shtimi i mëtejshëm i bashkëpunimit mes Fondacionit “ALSAR” dhe Universitetit të Trakias u mor në konsideratë. Në këtë kuadër, drejtuesit e fondacionit kanë planifikuar një vizitë së shpejti në këtë institucion arsimor në Turqi. 
Në fund të takimit, z. Mehdi Gurra e falënderoi mikun, prof. dr. Erhan Tabakoğlu, për vizitën.

-Instituti turk “Yunus Emre” hap ekspozitën “Gjuha e Përbashkët e Qilimave”,

Më 8 dhjetor përmes një aktiviteti kulturor e artistik u realizua ekspozita e qilimave me temë “Gjuha e Përbashkët e Qilimave”, e përbërë nga motive të qilimave turq dhe shqiptarë, ku u mundësua edhe ekspozimi i etapave të krijimit të qilimave të endur me dorë.
Ekspozita ka për qëllim mbrojtjen e traditës dhe motiveve të përdorura, shprehjen e ngjashmërisë së kulturave turke e shqiptare edhe në artin e qilimave dhe moslejimin e nënshtrimit ndaj harresës ana artistike e këtyre punimeve.

Në hapjen e ekspozitës të organizuar nga instituti “Yunus Emre” Shkodër, morën pjesë koordinatori për Shqipërinë i Shkollave Ndërkombëtare “Maarif”  Fatih Cankurt, koordinatori i Universitetit “New York” të Shkollave Ndërkombëtare “Maarif” Prof. Dr. İsmail Kocayusufoğlu dhe të ftuar të tjerë.

Drejtori i institutit turk “Yunus Emre”, Zafer Kijici  para mediave audio-vizive, në mes tyre edhe “Zëri i Turqisë”-TRT në Shqip ndër të tjera tha:

“… Pa tjetër që ka shumë ngjashmëri dhe të përbashkëta në mes dy kulturave shqiptare-turke, por edhe në aspektin e artizanatit të qilimave dhe tezgjahut. Kjo ekspozitë shërbeu gjithashtu për pasqyrimin e një marrëdhënie kulturore shumë të afërt midis dy vendeve mike…”.

Tashmë të njohur edhe ndërkombëtarisht për ruajtjen e kësaj vlere të trashëgimisë kulturore përmes një punishteje të vogël në zonën turistike Zogaj, studente të universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” preferojnë që kohën e lirë t’ia përkushtojnë punës së bukur të tezgjahut në Zogaj…

Qilimat dhe produktet e tjera që prodhohen në punishten e vogël në Zogaj janë vetëm falë përkushtimit dhe këmbënguljes të mjeshtres Nebije Qotaj, e cila edhe pse me vështirësi ia arriti që të ndërtojë diçka për të ruajtur këtë traditë dhe kulturë të bukur.

Në fund Nebije Qotaj u vlerësua nga instituti turk “Yunus Emre” për kontributin e saj me prodhimet përmes tezgjahut…

Në ekspozitën e frekuentuar nga një masë e gjerë e qytetarëve të Shkodrës, nuk mungoi edhe vëmendja e medias.
Ekspozita “Gjuha e Përbashkët e Qilimave” në institutin turk “Yunus Emre” Shkodër, do të qëndrojë e hapur për vizitorët në datat 8-14 dhjetor 2018.

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri-



Lajme të ngjashme