Shkupi dhe Tirana koordinojnë veprimtarinë ndërparlamentare evropiane

Shqipëria do ta mbështesë Maqedoninë për anëtarësimin në NATO, konfirmoi të hënën në Shkup Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi në një konferencë të përbashkët me Kryetarin e Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi.

Makedonya Meclis Başkanı_Talat Xhaferi_Caferi_Gramoz Ruçi.jpg
Makedonya Meclis Başkanı_Talat Xhaferi_Caferi.jpg

 

Republika e Maqedonisë ka mbështetjen e plotë të Shqipërisë për anëtarësim në NATO, ndërsa të dy vendet do të koordinojnë veprimtarinë ndërparlamentare evropiane, në mënyrë që në qershor të vitit 2019 të hapin negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian (BE), ishte konstatimi i kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, pas takimit në Shkup me homologun e tij nga Maqedonia, Talat Xhaferi.

Ruçi, i cili po qëndron për një vizitë zyrtare në Shkup, bashkë me një delegacion parlamentar të Shqipërisë, në konferencën e përbashkët për mediat me Xhaferin tha se bisedimet, të cilat i ka zhvilluar kanë qenë të frytshme dhe konkrete për interesin dypalësh, por edhe të rajonit më të gjerë.

Në emër të Kuvendit të Shqipërisë kryeparlamentari Ruçi vlerësoi lart reformat substanciale, të cilat autoritetet e Maqedonisë i kanë ndërmarrë dhe që po sjellin, sipas tij, reforma dinamike në demokratizimin e vendit në aspektin e shtetndërtimit dhe garancive për funksionalitet të një shoqërie të vërtetë multietnike mbi bazën e respektit të plotë të barazisë së dy komuniteteve kryesore të vendit, atij maqedonas dhe atij shqiptar.

“I shpreha dhe i garantova kryetarit të Kuvendit dhe delegacionit, i cili e shoqëronte atë, mbështetjen e plotë të Shqipërisë për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO. Të dyja palët shprehën angazhimin për koordinimin dhe bashkëpunimin e veprimtarisë ndërparlamentare evropiane në funksion të hapjes së negociatave në qershor të vitit 2019, për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, si për Maqedoninë ashtu edhe për Shqipërinë”, tha Ruçi, sipas të cilit në takim janë prekur edhe çështjet e stabilitetit të rajonit, ku është konkluduar se shpeshherë rriten tensione artificiale ndëretnike me prapavijë politike.

Kryeparlamentari Xhaferi, nga ana e tij tha se vizitat e shpeshtuara mes zyrtarëve të të dyja vendeve kanë ndihmuar që të tejkalohen rrethanat, të cilat kishin ulur intensitetin e marrëdhënieve, për të shtuar se Maqedonia dhe Shqipëria bashkëpunojnë për arritjen e interesave të përbashkëta në politikën e jashtme, integrimin në BE dhe integrimin e Maqedonisë në NATO, “ku e kemi mbështetjen e plotë të Shqipërisë”.

Xhaferi tha se po hapen perspektiva të reja për thellimin e raporteve mes të dyja vendeve, që akoma më shumë do të theksohen pas mbajtjes së seancës së përbashkët të dy qeverive deri në fund të vitit.

“Këtu do e kisha përmendur interesin për intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik, rritjen e tregtisë modeste ndërmjet dy vendeve, në veçanti ndërlidhjen infrastrukturore dhe energjetike si parakusht themelor për arritjen e këtyre përcaktimeve. Natyrisht, këtu bën pjesë ndërtimi i rrugës Qafë Thanë-Elbasan, si pjesë e Korridorit 8, ndërtimi i autostradës Rruga e Arbërit dhe ndërlidhja hekurudhore”, tha Xhaferi.

Gjatë qëndrimit në Shkup, kryeparlamentari i Shqipërisë, Gramoz Ruçi, mbajti një fjalim para deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë, ndërsa është paraparë edhe një takim me presidentin e vendit, Gjorgje Ivanov, ku për temë, siç tha Ruçi, do të jetë edhe refuzimi i presidentit Ivanov të dekretojë ligjin për gjuhët, për çka tha se siç do të informojë për përpjekjet e Parlamentit të Shqipërisë për pakicat, njëjtë do të kërkojë edhe për popullatën shqiptare në Maqedoni. (Anadolu Agency-AA)



Lajme të ngjashme