Shqiptarët e Malit të Zi kremtuan Ditën e Flamurit

Në këtë festë u mblodhën bashkë shqiptarë nga të gjitha trevat shqiptare në Mal të Zi, si nga spektri politik, po ashtu edhe nga sfera e mediave dhe profileve të ndryshme.

Shqiptarët e Malit të Zi kremtuan Ditën e Flamurit
Karadağ_Arnavutluk Milli Günü Resepsiyonu.jpg
Serhat Galip_Millo Gjukanoviq.jpg
Serhat Galip_Rafet Husoviq.jpg
Serhat Galip_Ivan Brajoviq.jpg

Në të gjitha trevat, ku jetojnë shqiptarët në Mal të Zi u kremtua 28 Nëntori Festa e Pavarësisë, por ketë vit edhe viti mbarëkombëtar i Gjergj Kastriot Skënderbeut. Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Podgoricë organizoi pritjen zyrtare me rastin e Festes Kombëtare. Të ftuar ishin përfaqësuesit e trupit diplomatik të akredituar në Mal të Zi, zyrtarët më të lartë të vendit, presidencës, parlamentit, qeverisë, ministrisë se jashtme, përfaqësues te institucioneve të tjera zyrtare, forcave politike, mediave, të institucioneve artistike, përfaqësues të komuniteteve fetare, përfaqësues te biznesit, etj., si dhe përfaqësuesit zyrtarë, të nivelit qendror e vendor, te komunitetit shqiptar në Mal të Zi, përfaqësues shqiptarë të institucioneve të ndryshme zyrtare, të shoqatave të tyre, të subjekteve politike shqiptare, të mediave në gjuhën shqipe, etj. Ambasadori i Shqipërisë në Mal të Zi] Ridi Kurtezi mbajti fjalën përshëndetëse] në të cilën u evidentua rëndësia e kësaj date në historinë e kombit shqiptar, u vlerësuan marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, si dhe u vu në dukje roli dhe kontributi i bashkëkombasve në Mal te Zi në momentet vendimtare te historisë me të re te vendit dhe në përgjithësi në jetën politiko- ekonomike te tij.

“Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë është një ngjarje vendimtare e cila u organizua si një ëndërr e të gjithë shqiptarëve përmes një procesi të gjatë, të dhimbshëm politik dhe historik. Ndër vite Shqipëria ka bërë përpjekjet maksimale për të qenë pjesë e familjeve të lira demokratike. Ajo sot është anëtare e NATO-s aleancës më të fuqishme politike dhe ushtarake dhe vend kandidat për Bashkimin Evropian që pret hapjen e negociatave për anëtarësim”, -tha Kurtezi.

Ambasadori Kurtezi ndër të tjera tha se Shqipëria në planin diplomatik ka ndjekur dhe vazhdon të ndjekë një politikë bashkëpunimi dhe të fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet e rajonit me dëshirën për të kontribuar në zhvillimin dhe prosperitetin e tij. Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Malit të Zi përbëjnë shembullin e suksesit në marrëdhëniet rajonale tha z. Kurtezi dhe shtoi:

“Në këtë kontekst marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Malit të Zi kanë një rëndësi të veçantë, jo vetëm në planin dypalësh, por edhe në atë rajonal. Ato përbëjnë shembullin e suksesit në marrëdhëniet rajonale dypalëshe. Më lejoni të theksoj këtu se një element shumë i rëndësishëm dhe një vlerë e shtuar në ecurinë e këtyre marrëdhënieve janë bashkëkombësit tanë, të cilët në vazhdimësi kanë qenë urë lidhëse të miqësisë midis dy endeve tona”.

Ambasadori i Shqipërisë në Mal të Zi, z. Ridi Kurtezi veçoi kontributin e bashkëkombësve shqiptarë në momentet më vendimtare të historisë më të re të Malit të Zi.

“Ndihem krenar që shqiptarët kanë kontribuar në të ardhmen dhe zhvillimin e Malit të Zi, në pavarësimin e tij, në konsolidimin, prosperitetin në proceset integruese në NATO dhe në Bashkimin Evropian dhe jam krenar që ato vazhdojnë të kontribuojnë në qeverisjen e vendit duke treguar përgjegjshmëri dhe konstruktivitet politik. Mendoj se gjithë përfshirja dhe adresimi i të gjitha çështjeve dhe problematikave në tryezën e dialogut do ti shërbejë bashkëjetesës dhe forcimit të mirëkuptimit dhe besimit të ndërsjellë”,- shtoi ai.   

                                                                    ***

Ambasadori në largim i Turqisë në Mal të Zi u takua me zyrtarët më të lartë shtetërorë të vendit 

Ambasadori i Turqisë në Mal të Zi Serhat Galip në prag të përfundimit të mandatit të tij diplomatik në Mal të Zi u takua me zyrtarët më të lartë shtetërorë të vendit. Fillimisht z. Galip pati një takim me kryetarin e Parlamentit të Malit të Zi, Ivan Brajoviq, ku u theksua se dy shtetet në vazhdimësi kanë zhvilluar marrëdhënie miqësore veçmas në planin ekonomik, ku është shënuar një avancim i dukshëm gjatë mandatit të Ambasadorit Galip. Kryetari Brajoviq rikujtoi se në Turqi jeton një numër madh i banorëve që kanë prejardhje nga Mali i Zi, të cilët paraqesin urë lidhëse për bashkëpunim ndërmjet dy vendeve. Ambasadori Serhat Galip falënderoi kryetarin e Parlamentit të Malit të Zi për përkrahjen e vazhdueshme, që i ka dhënë gjatë misionit të tij diplomatik duke shtuar se Mali i Zi për shumë çka është model jo vetëm për Ballkanin Perëndimor, por edhe tërë Evropën. Ai po ashtu ka shprehur kënaqësi që shkëmbimi i mallrave shënon rritje të vazhdueshme dhe që Turqia është vendi i tretë për sa i përket investimeve në Mal të Zi. Në takim u fol po ashtu edhe për stabilitetin e rajonit dhe proceset e Integrimeve Evropiane. Gjithashtu Ambasadori Serhat Galip është pritur në takim edhe nga Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç.

Ambasadori Galip, avancim i suksesshëm i marrëdhënieve midis Malit të Zi dhe Turqisë

Ambasadori në largim Serhat Galip u takua po ashtu edhe me zëvendëskryeministrat Zoran Pazhin dhe Rafet Husoviq. Në të dy këto takime u veçua bashkëpunimi i shkëlqyer midis Malit të Zi dhe Turqisë dhe kontributi i z. Galip gjatë misionit të tij këtu në thellimin e këtyre marrëdhënieve si dhe kontributi i pakursyer i Turqisë gjatë procesit të integrimit të Malit të Zi në NATO. Përndryshe Ambasadori Galip ka kultivuar marrëdhënie të shkëlqyera edhe me shqiptarët në Mal të Zi. Ai ka pasur takime të shpeshta me përfaqësuesit politikë, fetarë, kulturorë, media dhe po thuajse me çdo institucion që ka të bëjë me jetën e shqiptarëve në Mal të Zi.

Përgatiti për TRT Shqip, VERA ALIBEGU KATANA



Lajme të ngjashme