Shqiptarët po bashkohen si një komb në dy shtete

Kosova dhe Shqipëria në takimin e përbashkët të dy qeverive kanë arritur shumë marrëveshje të rëndësishme për qytetarët dhe bizneset e të dyja vendeve.

1096081
Shqiptarët po bashkohen si një komb në dy shtete
Kosova-Arnavutluk ortak bakanlar kurulu toplantısı_2018_09.jpg
Kosova-Arnavutluk ortak bakanlar kurulu toplantısı_2018_10.jpg
Kosova-Arnavutluk ortak bakanlar kurulu toplantısı_2018_04.jpg
Kosova-Arnavutluk ortak bakanlar kurulu toplantısı_2018_11.jpg
Kosova-Arnavutluk ortak bakanlar kurulu toplantısı_2018_06.jpg
Hashim Thaçi_Mike Pompeo.jpg

Është mbajtur të hënën mbledhja e përbashkët e Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë. Gjatë këtij takimi në Pejë, janë nënshkruar 9 marrëveshje të rëndësishme bashkëpunimi që pritet të realizohen në gjashtëmujorin e parë të vitit të ardhshëm. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se populli i Kosovës dhe Shqipërisë presin më shumë nga të dy qeveritë, prandaj do të ketë angazhim në këtë drejtim. Ai gjithashtu garantoi mbështetje për Shqipërinë, duke shprehur bindjen se edhe Shqipëria e bën një gjë të tillë.

“Shqipëria çdo herë ka mund dhe ka të drejtë të llogaritë në Kosovën, por edhe Kosova çdo herë ka llogaritë në Shqipërinë dhe kjo është dëshmuar në vitin ’99, ditët më të vështira të jetës sonë si komb. Në planin rajonal iu kemi kushtuar bashkëpunimit të ndërsjellë me të gjitha vendet, po ashtu kemi qëndruar në të drejtën tonë. Por ajo që e shquan Kosovën është rreshtimi me ShBA-në si një faktor prijës global dhe me aleatët tanë strategjikë”, tha Haradinaj.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ndërkaq, tha se Shqipëria është shteti më i prirë për bashkëpunim dhe më i interesuari për suksesin e Kosovës. Në këtë kuadër, kryeministri Rama reagoi ndaj Bashkimit Evropian (BE) se duhet të jetë më i drejtë në raport me çështjet e Kosovës, pasi, sipas tij, po bëhen padrejtësi në disa procese, madje duke i dhënë shumë hapësirë Serbisë. Kurse për tarifën 100% ndaj produkteve serbe, kryeministri Rama tha se është një vendim irracional në kushte normale, por krejt normal në kushte iracionaliteti si ato që përvijon vijimësisht qasja dyfytyrëshe e Serbisë. 

“Kush e sheh tarifën 100% si vendim ekonomik gabon, jo, tarifa 100% është reagim politik. Reagim politik ndaj ekseseve të vazhdueshme të një sjelljeje supermatiste të Serbisë ndaj Kosovës. Ministri Punës dhe Mirëqenies Sociale i Republikës së Kosovës, më tregonte mbrëmë se si në Beograd deri në dy të natës, me anë të të dërguarve të Europës i kërkonin të hiqte fjalën Republika e Kosovës nga fjalimi që do të mbante të nesërmen në një mbledhje të përbashkët, ku edhe Kosova ishte e pranishme me vullnetin e mirë për të nënshkruar një deklaratë të përbashkët në rrugën e pajtimit dhe bashkëpunimit rajonal. “What the fuck” do të thuhej në gjuhën e Parlamentit Evropian”, tha Rama.

***

Unifikim i plotë i doganave Kosovë-Shqipëri

Përderisa i dha mbështetje tarifës 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë, Rama tha se brenda një kohe të shkurtër, Kosova dhe Shqipëria do të kenë tarifa zero si dhe unifikim të plotë të doganave, si pjesë e marrëveshjeve që u nënshkruan.

“Zero tarifa dhe zero barriera jo-tarifore, brenda 6-mujorit të parë të vitit të ardhshëm mes Shqipërisë dhe Kosovës. Nëse jemi këtu, jemi këtu për të bërë këtë dhe duhet ta bëjmë dhe nuk kemi nevojë të mblidhemi edhe njëherë, jemi mbledhur 5 herë. Sot është koha për të vënë tarifa 100 për qind në veri dhe për të pasur tarifa zero në jug të Kosovës. Së dyti, duhet të shkojmë drejt bashkimit doganor, transit më 1 janar në Portin e Durrësit për Kosovën dhe hapat e tjerë brenda gjashtëmujorit të ardhshëm drejt bashkimit doganor. Kush e konsideron këtë si kërcënim, qoftë në Beograd, apo Bruksel është i mirëpritur të vijë, të ulet në tavolinë e t’ia shpjegojmë se nuk është kërcënim por është një ftesë që të gjithë të tjerët të marrin shembull nga ky bashkëpunim dhe Serbia e para të ndjekë shembullin e këtij bashkëpunimi”.

Mbledhja e dy qeverive ka rezultuar me nëntë marrëveshje: Të dy kryeministrat kanë nënshkruar marrëveshje për nxitjen e biznesit dhe informimin e diasporës. Po ashtu është nënshkruar: Marrëveshja për heqjen e çmimeve të shërbimeve Roaming, marrëveshja për kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit doganor në pikën e përbashkët të kalimit kufitar Morinë-Vërmicë, marrëveshja për njohjen e patentë shoferëve, marrëveshja në fushën e shëndetësisë, në fushën e rinisë, marrëveshja në fushën e borxhit publik dhe financimeve të huaja, marrëveshje mirëkuptimi për pronësinë industriale të Shqipërisë, Protokolli për njohjen bilaterale dhe unifikimin e modeleve të certifikatave shëndetësore, veterinare dhe fito-sanitare. Koordinator për mbikëqyrjen e zbatimit të marrëveshjeve Kosovë–Shqipëri është caktuar zëvendës-kryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj.

***

Bashkimi kombëtar ndodh edhe me dy shtete, thotë Rama

Pas nënshkrimit të marrëveshjeve mes dy qeverive shqiptare kryeministrat Haradinaj dhe Rama mbajtën një konferencë për media. Ata u zotuan se shtetet janë në rrugën e duhur drejt unifikimit të tregut ekonomik, duke mos  lënë anash edhe temën e korrigjimit të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë. 

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përsëriti qëndrimin e tij të dhënë më herët se shqiptarët duhet të jenë të bashkuar si një komb në dy shtete.

“Për mua asgjë nuk duhet të përjashtohet. Gjithçka duhet të shihet në sytë e të ardhmes dhe me një qëllim të vetëm: shqiptarët nuk mund të jenë më të ndarë, shqiptarët duhet të bashkohen në kontekstin e zhvillimeve të Bashkimit Evropian, duhet të bashkohen si një komb në dy shtete”, ka deklaruar Rama.

Ai madje iu dha një epitet të gjithë atyre që presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin e quajnë “tradhtar”:

“Hashim Thaçi është president i vendit dhe komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kush ngre dorën ndaj Hashim Thaçit duke e quajtur tradhtar, është një gomar", tha ai.

Ndërsa kryeministri Haradinaj sërish e mohon mundësinë e ndarjes së Kosovës, përmes idesë së korrigjimit të kufirit. Ai tha se territori i Kosovës nuk preket, pasi kjo tokë është e larë me gjak:

"Kush mendon se merr tokë prej Kosovës e ka gabim. A ke i Kosovës, a ke i Shqipërisë, a i kujtdo qoftë. Asnjë metër e Kosovës nuk merret ma. A ke Ramushi, a ke Edi a Hashim Thaçi apo kushdo tjetër gabon rëndë. Kjo është tokë e shqiptarëve, e larë me gjak. 17 shkurti nuk preket ma. Duhet ta din gjithkush këtë”, tha Haradinaj.

Haradinaj pati edhe një kërkesë për kryeministrin Rama, që të përfundohet rruga e Kombit.

“Është bërë shumë fjalë për taksën 5 euro për autostradën, por unë e kam një shqetësim edhe më të madh edhe i kam kërkuar kryeministrit Rama, mundësinë që të përmbyllet, pra të kryhet rruga. Më kujtohet kur e pat nisur atëherë z. Nano, i shpërtheu ata gurë me ushtri, edhe kryeministri Majko, pastaj kryeministri Berisha e ka pru rrugën në gjendjen si është sot, por nuk është kryer rruga. I takon kryeministrit Rama ta përfundojë rrugën, pra nuk bën të lihet ashtu në pakufi. Është një kërkesë legjitime e qytetarëve të Kosovës, ne jemi në gjendje të paguajmë aq sa duhet të paguhet, por e kërkojmë po ashtu rrugën të jetë e kryer, sepse kostoja rritet kur nuk është e kryer rruga”, tha Haradinaj.

Për këtë çështje, kryeministri Rama tha se pa kontributin e të gjithëve rruga nuk mund të përfundojë.

“Mundësitë financiare janë ato që janë dhe ne do të bëjmë çmos dhe ky është edhe objektivi, kemi diskutuar edhe dje që të përfundojmë rrugën e kombit.”

Rama tha se patriotizmi në paqe është të kontribuohet për vendin, në këtë rast për rrugën e kombit, duke mos u ankuar për tarifa.

***

Thaçi në Uashington për marrëveshjen Kosovë-Serbi 

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi para takimeve që do të zhvilloi në Uashington, ka folur për mediat lidhur me rëndësinë e vizitës dhe për përmbajtjen e takimeve që do t’i ketë me Sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo, këshilltarin për Siguri Kombëtare të presidentit Trump dhe kongresmenit dhe senatorë të shumtë. Presidenti Thaçi ka theksuar se në SHBA do të ketë takime të shumta dhe se qëllimi i kësaj vizite është koordinimi me amerikanët për hapat e fundit, para arritjes së marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
"Pasi që jemi në hapat e fundit të mundësisë së arritjes së marrëveshjes mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, natyrisht se është e nevojshme dhe e domosdoshme prania ime këtu në ShBA, për të diskutuar si gjithnjë me miqtë tanë për angazhim dhe një koordinim të mëtejshëm në mënyrë që marrëveshja të jetë efektive dhe e realizueshme me një mbështetje edhe më të gjerë ndërkombëtare”, tha Thaçi.

Ai po ashtu ka theksuar se në këtë kohë është e rëndësishme që do të ketë një konsensus edhe përbrenda Kosovës, duke shfrytëzuar momentumin e krijuar për arritjen e marrëveshjes me Serbisë. Sipas tij, marrëveshja do të garantojë njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe anëtarësimin e saj në NATO, BE dhe OKB.

***

Thaçi thotë se ka mbështetjen e ShBA-së për marrëveshjen Kosovë-Serbi

Në ditën e parë të vizitës së tij zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës presidenti Thaçi të hënën është takuar me Sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo, më të cilin ka biseduar për çështje bilaterale, rajonale dhe më gjerë, bën me dije njoftimi, që shton se Thaçi e ka falënderuar sekretarin Pompeo për mbështetjen e administratës Trump për Kosovën dhe për mbështetjen historike që populli amerikan i ka dhënë popullit të Kosovës.

“Kam shprehur konsideratën më të lartë në emrin tim dhe të popullit të Kosovës, për çdo gjë që ShBA-ja ka bërë për lirinë e popullit tonë dhe paqen në rajon. Përjetësisht do të jemi mirënjohës”, ka thënë pas takimit presidenti Thaçi, përcjell njoftimi nga Presidenca.

Gjithnjë sipas këtij njoftimi, në këtë takim është biseduar edhe për mandatin e ri të FSK-së, si një forcë shumetnike dhe për bashkëpunimin rajonal dhe perspektivën euroatlantike të Kosovës, ku thuhet se presidenti Thaçi, po ashtu, e ka falënderuar sekretarin Pompeo për mbështetjen që i ka dhënë procesit të transformimit të FSK-së në forcë të armatosur.

Njoftimi vazhdon duke treguar se presidenti Thaçi dhe sekretari Pompeo, po ashtu, kanë biseduar për fazën e fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“ShBA-ja mbështet Kosovën për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë, e cila i hap rrugë njohjes reciproke dhe anëtarësimit të Kosovës në NATO, BE dhe OKB”, ka thënë presidenti Thaçi.

Mbështetja e SHBA-së, sipas presidentit Thaçi, është përcaktues për arritjen e kësaj marrëveshjeje dhe krijimin e një konsensusi më të madh brenda dhe jashtë Kosovës.

“Ishte konkludim i përbashkët se nëse nuk e shfrytëzojmë këtë momentum historik, ne rrezikojmë të hyjmë në një cikël të rrezikshëm jo vetëm si Kosovë, por edhe si rajon. Prandaj, mënyra e vetme për ta mbyllur njëherë e përgjithmonë çështjen e Ballkanit është arritja e një marrëveshjeje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë presidenti Thaçi.

Sipas njoftimit, nga ana tjetër, sekretari i shtetit amerikan, Mike Pompeo, ka theksuar se ShBA-ja do të vazhdojë mbështetjen e Kosovës, me theks të veçantë arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obliguese ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti Thaçi do të vazhdojë të zhvillojë takime të shumta me përfaqësues të institucioneve të ndryshme në Uashington.

***

Taksë doganore 100% ndaj prodhimeve serbe

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të rrisë në 100 për qind taksën doganore për të gjitha produktet e importuara nga Serbia dhe Bosna e Hercegovina, përveç atyre me pronarë të huaj. Vendosja e kësaj takse është mirëpritur nga të gjithë, politika, qytetarët por edhe bizneset.

Rritja e taksës, pason vendimin e qeverisë për vendosjen e një takse prej 10 për qind për prodhimet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Taksa e re sipas disa prej zyrtarëve në Prishtinë, mund të kuptohet edhe si një kundërpërgjigje që Kosova i bën politikës agresive të Serbisë.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se vendimi hyn menjëherë në fuqi dhe të gjitha institucionet obligohen që ta zbatojnë atë.

Haradinaj e ka arsyetuar taksën me shkeljet, siç ka thënë ai që Serbia i ka bërë Marrëveshjes për Tregti të Lirë - CEFTA.

“Jemi dëshmitar që një kohë të gjatë se Kosova është bllokuar, nuk është lejuar që t’i gëzojë të drejtat e CEFTA-s, është penguar përmes origjinës së mallit pra duke mos e njohur origjinën e mallit, është penguar në transport, analiza dhe në çdo instrument tjetër. CEFTA, nuk ka funksionuar në mes të Kosovës dhe Serbisë, dhe kjo është dëshmi. Serbia është duke e cenuar edhe sigurinë kombëtare, pra kjo është qasja që ka ardhur nga Serbia në vazhdimësi në periudhat e fundit”, tha Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj, tha se, pasi është bërë një analizë e respektimit të marrëveshjes së CEFTA-s nga Serbia, shihet se në të gjitha vitet e kaluara, prej kur ekziston CEFTA, Serbia i ka vendosë Kosovës barriera jo-tarifore, jo taksë e ngjashme sikurse që e ka vendosë Kosova, por e ka kontestuar origjinën e mallit dhe vetvetiu malli i Kosovës ka pasur vështirësi të hyjë në Serbi.

-Përgatiti për TRT Shqip, Muharrem SARAGJOLLI-



Lajme të ngjashme