Zaev: Respektimi i gjuhës së komuniteteve etnike është përgjegjësi e shtetit

“Respektimi i pakicave dhe minoriteteve është vlerë e shtuar për të gjitha vendet e rajonit tonë”, deklaroi Presidenti Ilir Meta në ceremoninë qendrore kushtuar 22 Nëntorit, Ditës së Alfabetit Shqip, që u mbajt në objektin e Filarmonisë së Maqedonisë.

Zaev: Respektimi i gjuhës së komuniteteve etnike është përgjegjësi e shtetit

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, në ceremoninë qendrore kushtuar 22 Nëntorit - Ditës së Alfabetit Shqip, ka deklaruar se përgjegjësi e shtetit është të respektojë, të mbrojë dhe të ushqejë gjuhën e secilit komunitet etnik të tij.

Ceremonia qendrore e 110-vjetorit të Ditës së Alfabetit Shqip u mbajt në objektin e Filarmonisë së Maqedonisë, organizuar nga Sekretariati i Qeverisë së Maqedonisë për Çështje Evropiane me mbështetjen e Qeverisë dhe Kuvendit të Maqedonisë, ku pas fjalimeve të krerëve të lartë shtetërorë para të pranishmëve me violinë performoi gjiganti artistik Shkëlzen Doli.

Kryeministri Zaev, në fjalimin e tij para të pranishmëve, theksoi se Maqedonia e ka shansin në mënyrën më të mirë të mundshme të promovojë dhe praktikojë “idenë e madhe evropiane, të bashkuar në diversitet".

Përgjegjësia e shtetit është të respektojë, të mbrojë dhe të ushqejë gjuhën e secilit komunitetet etnik të tij. Atë na kërkojnë edhe vlerat evropiane, si vlera që i pranuam si tona në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian. Gjuha dhe shkrimi janë mjeti më i fuqishëm i trashëgimisë shpirtërore të një komuniteti etnik”, deklaroi Zaev.

Kryeministri maqedonas theksoi se vendosmëria e tyre është të ndërtojnë dhe të ushqejnë një shoqëri të barabartë për të gjithë, ndërsa qëllimi i tyre është ndërtimi i një shoqërie qytetare duke respektuar ndryshimet etnike, fetare dhe kulturore.

“Shënimi i vlerave kulturore, datave dhe traditave të të gjitha komuniteteve etnike, përfshirë edhe atë shqiptar, është thelbi dhe baza e shtëpisë sonë multikulturore. Pranimi i këtij realiteti është kontribut i fuqishëm për të ardhme me prosperitet dhe për mirëqenie të të gjithë qytetarëve”, u shpreh Zaev.

- Meta: Respektimi i minoriteve vlerë e shtuar për të gjithë vendet e rajonit tonë

Ndër mysafirë të shumtë në ceremoni i pranishëm ishte edhe kryeparlamentari i Maqedonisë Talat Xhaferi, zv/kryeministri i Maqedonisë për çështje evropiane, Bujar Osmani, Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) Ali Ahmeti, ai i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH) Menduh Thaçi, ministra, deputetë, përfaqësues të pushtetit gjyqësor, personalite të shquar dhe të tjerë.

Presidenti Meta, nga ana e tij, duke iu referuar miratimit të ligjit të gjuhës shqipe nga Kuvendi i Maqedonisë, tha se kjo dëshmon vullnetin e përbashkët për bashkëjetesë dhe mirëkuptim për të gjithë qytetarët në këtë vend.

“Rajoni ynë ka kaluar shumë vështirësi dhe sfida. Është koha për më shumë bashkëpunim, respekt reciprok, bashkëjetesë dhe mirëkuptim. Respektimi i pakicave dhe minoriteteve është vlerë e shtuar për të gjithë vendet e rajonit tonë”, deklaroi presidenti Meta.

Ndërkaq, presidenti Thaçi përshëndeti zyrtarizimin e gjuhës shqipe në Maqedoni, si dhe marrëveshjen e arritur midis këtij vendi dhe Greqisë fqinje, duke i vlerësuar këto si hapa në të mirë të të ardhmes së Ballkanit.

“Me këtë alfabet, që prodhon kulturë të tolerancës dhe miqësisë me popujt fqinj, po shtohet edhe ndërtimi i marrëdhënieve të mira fqinjësore në Ballkanin e perspektivës evropiane”, u shpreh Thaçi.

Dita e Alfabetit Shqip në Maqedoni është shënuar me aktivitete të shumta, përfshirë edhe me vizitën e Muzeut të Alfabetit në Manastir. Presidenti Meta, i cili qëndron në Maqedoni në kuadër të programit të shënimit të kësaj feste, i shoqëruar nga kreu i BDI-së Ahmeti, zv/kryeministri Osmani dhe kryeparlamentari Xhaferi, gjatë ditës vendosën edhe kurorë lulesh në bustin e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në sheshin i cili mban emrin e tij në Shkup.

Për popullin shqiptar Kongresi i Manastirit ishte ngjarja më e rëndësishme në fillimin e shekullit XX, ku me rezultatet e saj më 28 nëntor të vitit 1912 u shpall edhe pavarësia e Shqipërisë. Me këtë, 22 nëntori mbetet ditë përkujtimore në Maqedoni, Shqipëri, Kosovë dhe në diasporën shqiptare si “Dita e Alfabetit”.

Objekti ku është mbajtur Kongresi i Manastirit në vitin 1908, me vendimin e qeverisë së Maqedonisë, në vitin 2008 është themeluar “Muzeu i Alfabetit Shqip”. (Anadolu Agency-AA)



Lajme të ngjashme