Haradinaj thotë se Kosova do të hyjë në agjendën e votimit për viza

Kryeministri Haradinaj gjatë qëndrimit në Vjenë të Austrisë ka kërkuar nga kancelari Kurz që të futet në agjendë për votim, çështja e liberalizimit të vizave për kosovarët.

Kosova Başbakanı Ramush Haradinaj_AB eleştiri.jpg
Batı Balkanlar ülkelerin Başbakanları-Avusturya zirvesi.jpg
Sebastian Kurz_Ramush Haradinaj.jpg
Aleksandar Vucic_Kosova-da ordu kurulmasından rahatsız.jpg
Kosova futbol.jpg
Bernard Challandes.jpg

Në kuadër të forumit Ekonomik të Vjenës, kryeministri Ramush Haradinaj ka kërkuar nga kancelari austriak Sebastian Kurz mbështetjen e Austrisë në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, duke e futur atë në agjendë për votim gjatë muajit dhjetorë të këtij viti.

Në një takim të organizuar nga kancelari Kurz me gjashtë kryeministrat e rajonit, kryeministri Haradinaj ka deklaruar se Kosova është i vetmi vend që nuk mund të lëviz lirshëm. Haradinaj ka kërkuar nga kancelari Kurz që liberalizimi I vizave të futet për votim në dhjetor, sepse Kosova ka plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara nga BE.

“Mendoj se do të hyjmë në agjendën e ministrave të brendshëm, që është një lajm interesant. Nuk do të thotë se e kemi të garantuar se a do të votohet atëherë, por mendoj se po mbërrijmë me hy në agjendë. Edhe kancelari Kurz edhe Austria kishin mirëkuptim për këtë, por ne shpjeguam se çështja e marrjes së vendimit nuk është më në kontrollin e tyre, të Austrisë. Ata kanë rol me e fut në agjendë, ua shpjegova se do të ishte sinjal I keq për Kosovën nëse I keni kërkuar 95 kushte, I kemi kryer ato dhe ju nuk veproni”, tha Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj tha se marrja e vendimit do të jetë I vështirë, por që do të punohet intensivisht me ministrat e brendshëm të shteteve të BE-së.

***

Haradinaj kritikon BE-në, duke thënë se i ka mbyllur qytetarët e Kosovës

Në Vjenë të Austrisë, ku është mbajtur Forumi Ekonomik i Vjenës, kryeministri Haradinaj foli për ekonomin e Kosovës, planet dhe pritjet e bashkëpunimeve mes vendeve të rajonit. Ai tha se derisa promovohet fqinjësia e mirë, duhet që edhe trajtimi të jetë i barabartë mes vendeve.

“Ndërsa diskutojmë për lidhjen rajonale, konkurrencën, shkathtësitë dhe mobilitetin, ne tentojmë të harrojmë dhe të anashkalojmë faktin se Kosova mbetet ende i vetmi vend në Evropë që vazhdon të mbetet i mbyllur, duke na u mohuar e drejta për lëvizjen e lirë. Po, është mbyllur nga BE-ja”, tha Kryeministri Haradinaj, duke theksuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha 95 kriteret teknike dhe politike të kërkuara nga BE-ja.

Kryeministri Haradinaj, ka përmendur edhe barrierat ekzistuese jo-tarifore që imponohen vazhdimisht për produktet dhe kompanitë e Kosovës, ndalesat dhe vonesat e zgjatura të kamionëve dhe makinave në vendkalimet kufitare me Serbinë, duke thënë se këto veprime e dëmtojnë drejtpërdrejt GDP-në e vendit.

Ai përmendi edhe përparësitë tregtare që i ka Kosova, siç janë kostoja e lirë e punës, çmimi i ulët i energjisë elektrike, tatimi i ulët për pagën 10%, tatimi i korporatës 10%, faktin që nuk ka tatim mbi dividendët, që TVSH është 8% – 18% si  dhe faktin se janë eliminuar barrierat e panevojshme për operatorët ekzistues dhe investitorët e rinj që dëshirojnë të investojnë në tregun digjital.

***

Të enjten dhe të premten seanca të Kuvendit të Kosovës

Kryesia e Kuvendit ka vendosur që të enjten dhe të premten të ketë seanca të Kuvendit të Kosovës. 

Seanca e jashtëzakonshme lidhur me  diskutimet rreth politikës së jashtme të Kosovës, do të mbahet  të enjten në orën 10.00. Kurse, të premten dy seanca të tjera, në të cilat do të jenë të përfshira pikat e pa përfunduara nga seancat e mëparshme. Këtë e bëri të ditur kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli. Ai tha se agjenda e kuvendit do të jetë e mbushur kryesisht me projektligjet që kanë të bëjnë me agjendën evropiane.

“Kosova pret vendim-marrje e cila nuk e turpëron BE-në dhe ajo është që të mbajë fjalën dhe të ketë liberalizim vizash për qytetarët tanë në fund të këtij viti”, ka thënë Veseli.

Ndërsa, sa i përket transformimit të FSK-së në ushtri, ai u shpreh i bindur që një gjë e tillë do të ndodhë. 

***

Alternativa e Vetëvendosjes

Lideri i Vetëvendosje, Albin Kurti ka prezantuar alternativën e Vetëvendosjes me katër hapa për bisedime me Serbinë. Duke folur për rrjedhën e dialogut me Serbinë, Kurti u shpreh se presidenti Thaçi kot bredh poshtë e lartë si paparaci, pasi nuk ka mandat nga Kuvendi e qeveria të nënshkruajë marrëveshje me Vuqiçin.

“I bëj thirrje AAK-së dhe Nismës mos të krijojnë ekip të ri negociator, i cili do ti shërbente Thaçit për të dëshmuar para faktorëve ndërkombëtarë se ai nuk është I vetmuar. Çfarëdo ekipi negociator tash, vetëm i jep hov negociatave të presidentit dhe shërben si dhjam për arushën”, tha Kurti.

Sipas tij, janë katër hapa që Vetëvendosje ofron si zgjidhje. Hapi i parë, është  shqyrtimi dhe vlerësimi i dialogut gjashtë vjeçar dhe  33 marrëveshjeve të arritura. I dyti është përcaktimi i synimeve, i treti është platforma për bisedimet me Serbinë si dhe hapi i katërt është krijim i ekipit negociator me legjitimitet nga Kuvendi.

***

Ndalohet shitja e produkteve që nuk i referohen Kosovës si shtet

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka marrë një urdhëresë në vazhdën e zbatimit të politikave që fuqizojnë Republikën e Kosovës.

Pas raportimeve të qytetarëve dhe po ashtu pas inspektimeve dhe vërtetimit të gjendjes nga ana e Inspektoratit të Tregut që kanë  hasur në disa mallra që importohen në Kosovë me mbishkrimin “Kosovë/o dhe Metohi”, “Kosovë/o UNMIK” apo “Kosovo/a Rezuluta 1244”,  ministri Shala ka lëshuar urdhëresë që ndalon shitjen e këtyre produkteve nëpër pikat shitëse dhe hyrjen e tyre në Kosovë.

Pas vërtetimit të kësaj gjendje, ministri Shala, ka lëshuar një urdhëresë për Inspektoratin e Tregut ku ka kërkuar nga ta që të kërkojnë nga operatorët ekonomikë që menjëherë t’i largojnë nga tregu produktet me etiketim “Kosovë/o dhe Metohi”, “Kosovë/o UNMIK” apo “Kosovo/a Rezuluta 1244”, apo çdo emërtim tjetër në kundërshtim me emërtimin zyrtar të Republikës së Kosovës.  Po ashtu, ministri Shala ka kërkuar edhe nga Dogana e Kosovës që të mos lejohet hyrja në Kosovë e produkteve të cilat përmbajnë etiketa me emërtime të tilla.

***

Mbahet Panairi i Produkteve Bujqësore 

Oda Ekonomike e Kosovës me mbështetjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës edhe këtë vit organizon Panairin e 17-të të Produkteve Bujqësore, Agraroindustriale dhe Tregtisë Inverse, me qëllim të promovimit të kompanive kosovare dhe produkteve të tyre brenda Kosovës, rajonit dhe më gjerë.

Ky panair është i një dimensioni më ndryshe nga herët tjera pasi organizohet brenda kornizës së ngjarjeve të lidhura me javën e CEFTA-s, ku do të marrin pjesë aktorët më të rëndësishëm që shtyjnë drejt rrjetëzimit dhe zhvillimit të bizneseve të Ballkanit Perëndimor.

Pjesë e konferencës që shënon edhe hapjen e panairit, do të jenë përfaqësuesit më të lartë të Komisionit Evropian dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, përfaqësues nga Chamber Investment Forum (CIF), EUROCHAMBRES, përfaqësues të kompanive anëtare të Këshillit Biznesor të Ballkanit Perëndimor, Kryetar të Odave të Ballkanit Perëndimor me bizneset më të rëndësishme nga secili vend dhe delegacione nga vende të ndryshme.

Në panair pritet të marrin pjesë kompani me traditë shumëvjeçare në prodhimin e produkteve bujqësore dhe agraroindustriale që kanë rëndësi të veçanta në promovimin e shtetit tonë me produktet “Made in Kosova” dhe njëkohësisht rritjen e bashkëpunimit ekonomik mes vendeve anëtare të CEFTA-s.

Panairi do të mbahet me datën 3 dhe 4 Dhjetor 2018, në Hotelin “Emerald”, magjistralja Prishtinë-Shkup.

***

Chalandes thotë se lojtarët kanë merita për rezultate, jo ai

Trajneri i Kosovës, Bernard Challandes, ka shprehur besim se Kosova do ta fitojë grupin në Ligën D të Ligës së Kombeve, edhe pse ka shprehur respekt për kombëtaren e Azerbajxhanit. Bile ai ka shtuar se në fillim të kualifikimeve Azerbajxhani ka qenë favorite e grupit, falë përvojës së tyre të gjatë në kualifikime, por edhe ranglistës së FIFA-së. Megjithatë tani në prag të ndeshjes së fundit që zhvillohet të martën gjërat kanë ndryshuar, pasi Kosova ka përparuar si me lojëra ashtu edhe me rezultate. Çdo rezultat pos humbjes, në ndeshjen e së martës, e çon Kosovën në Ligën C dhe në gjysmëfinalet për kualifikim në kampionatin Europian.

“Në këtë takim neve na favorizojnë dy rezultate, por unë mendoj se të dyja skuadrat kanë njësoj shanse për të fituar dhe për të marrë vendin e parë”, ka thënë Challandes në konferencën për media.

Zvicerani ka thënë se nuk do ta ndryshojë filozofinë e lojës dhe do të kërkojë tri pikët edhe në këtë takim.

“Do të ishte një gabim i madh, po të ndryshonim filozofinë dhe të luanim për barazim. Ne do mundohemi të bëjmë ndeshjen tonë, duke u treguar të kujdesshëm në mbrojtje, duke mbajtur sa më shumë topin dhe duke tentuar të shënojmë gola”, tha ai.

Kosova në kualifikimet e kaluara për Europian kishte arritur të fitonte vetëm një pikë duke u ngulitur në vendin e fundit. Por Chalandes shprehet modest, duke mos pranuar se ai është më meritori për rezultatet e tanishme në Ligën e Kombeve.

“Kosova në kualifikimet e kaluara ka luajtur me ekipe të mëdha si Kroacia, Ukraina, Turqia, e Finlanda e cila po shohim se ka arritur rezultat impresiv në Ligën e Kombeve. Pra, nuk mendoj se është njësoj, sikur tani që luajmë me këto ekipe të rangut më të ulët në Ligën e Kombeve. Për rezultate pozitive kanë meritë lojtarët, jo unë”, ka thënë ai.

***

Arbitrazhi detyron Bashkimin të paguajë 70 mijë euro paga për ish-lojtarët

Kampioni i Kosovës në basketboll, Bashkimi, do të paguajë gati 70 mijë euro paga për ish-lojtarët, kontratat e të cilëve nuk i respektoi. 

Në një njoftim në Facebook, KB Bashkimi ka thënë se në adresë të klubit ka marrë edhe dy vendime të reja nga Tribunali i Arbitrazhit të Basketbollit për ish-lojtarët Ljubo Samadan dhe Aleksandar Gruev, që ishin pjesë e ekipit në sezonet 2016/17/18-pjesa përfundimtare e sezonit.

Sipas njoftimit, edhe këto dy vendime vijnë si pasojë e mosrespektimit të kontratave, dy rroga ndaj Samadanit – 4600 euro dhe dy rroga ndaj Gruevit – 5000 euro.

Për mosrespektim të kontratave të edicioneve të kaluara, shuma e përgjithshme që duhet të paguhet ka arritur në shifrën prej afro 70 mijë euro.

Kjo ka ardhur si neglizhencë e menaxhmentit të kaluar, thuhet në njoftim.

“Dënimet mbi supe po i bartin lojtarët, kryesia e fansat, deri sa ata që e sollën në këtë gjendje krenohen me arritje!!!”, thotë menaxhmenti i ri i Bashkimit.

-Përgatiti për TRT Shqip, Muharrem SARAGJOLLI



Lajme të ngjashme