Austri – Kurz: Stabiliteti i Evropës varet shumë nga qëndrueshmëria e Ballkanit Perëndimor

Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz, deklaroi të hënën se stabiliteti i Evropës varet shumë nga qëndrueshmëria dhe siguria e Ballkanit Perëndimor...

Austri – Kurz: Stabiliteti i Evropës varet shumë nga qëndrueshmëria e Ballkanit Perëndimor

Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz, deklaroi të hënën se stabiliteti i Evropës varet shumë nga qëndrueshmëria dhe siguria e Ballkanit Perëndimor.

Sebastian Kurz organizoi në Vjenë një takim pune, ku morën pjesë kryeminstrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe komisarët evropianë Johannes Hahn e Mariya Gabriel.

Temat e takimit ishin bashkëpunimi rajonal, perspektivat e Ballkanit Perëndimor, çështjet dypalëshe dhe kapërcimi i problemeve të mundshme.

Pas takimit, Kurz tha se Austria kultivon marrëdhënie të forta historike, ekonomike dhe kulturore me vendet e rajonit.

"Ne besojmë se Bashkimi Evropian do të jetë i kompletuar kur pjesë e tij të bëhen edhe vendet e Ballkanit Perëndimor", u shpreh ai.

Shefi i Vjenës zyrtare tha se këto vende kanë mbështetje në rrugëtimin evropian dhe se Austria do t'u kushtojë rëndësi të veçantë gjatë presidencës së Këshillit Evropian.

Komisari evropian për Politikat e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, bëri me dije se gjatë takimit u diskutua gjithashtu për situatën ekonomike në rajon, e cila është një temë e rëndësishme në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe tregun e saj.

Hahn tha se dinamika e ekonomisë rajonale në dy vitet e kaluara ka bërë përparim të vogël dhe se në dekadën e fundit tregtia e BE-së me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor është dyfishuar.

Duke theksuar rëndësinë e një perspektive evropiane për vendet e rajonit, Johannes Hahn potencoi se vazhdimi i rrugës së tyre evropiane do të jetë i rëndësishëm për rajonin dhe për BE-në.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama theksoi se vendet e rajonit në rrugëtimin evropian i presin procese të reformave të vështira dhe sfiduese duke shprehur besimin se ato janë gjithashtu të realizueshme.

Rama nënvizoi se liberalizimi i vizave për Kosovën është një çështje e një rëndësie të veçantë dhe shtoi se shpreson që Kosova të marrë liberalizimin pas zgjedhjeve të ardhshme të Parlamentit Evropian. / AA



Lajme të ngjashme