Shqipëri: Autoritetet zyrtare shpallin 52 shtetas grekë të padëshiruar në vend

Ministria e Brendshme e Republikës së Shqipërisë ka shpallur 52 persona me shtetësi greke të padëshiruar në Shqipëri për veprimtari të organizuar në dëm të sovranitetit shqiptar.

Shqipëri: Autoritetet zyrtare shpallin 52 shtetas grekë të padëshiruar në vend

Në lidhje me ngjarjen e Kostandinos Kaçifas, që u vra me 28 tetor pasi sulmoi me armë forcat speciale RENEA në Bularat, ku si rrjedhojë shkaktoi edhe përplasje midis Shqipërisë dhe Greqisë dhe që po përdoret tani nga qarqet ekstremiste greke, pavarësisht përpjekjeve të qeverive të Athinës dhe Tiranës për të zbutur tensionet, Ministria e Brendshme e Republikës së Shqipërisë ka shpallur 52 persona me shtetësi greke të padëshiruar në Shqipëri për veprimtari të organizuar në dëm të sovranitetit shqiptar dhe shfaqje e deklarata sfiduese ndaj rendit kushtetues, sigurisë kombëtare dhe qetësisë publike, pas ngjarjeve të së enjtes në Gjirokastër, gjatë ceremonisë mortore për shtetasin minoritar Kostandinos Kaçifa.

Lajmin e bëri publik në një deklaratë për mediatzëvendësministri i Brendshëm i Shqipërisë, Sandër Lleshaj, i cili theksoi se këta njerëz dhe të tjerë, që po analizohen nga forcat e sigurisë lidhur me shfaqjen e ekstremistëve në fshatin Bularat, nuk do të lejohen të hyjnë më në Shqipëri, për periudhën e parashikuar në ligj. “Askush nuk duhet ta marrë urtësinë tonë për dobësi dhe asnjë i huaj nuk mund të shkelë pa u përballur me pasojat, ligjin dhe traditat e mikpritjes së këtij vendi”, deklaroi Lleshaj.

Sipas zv.ministrit, është i papranueshëm, provokimi. “…Duke e konsideruar provokimin sa vulgar, aq edhe i rrezikshëm që iu bë dje shtetit shqiptar e qytetarëve të tij pa dallim, nga individë e grupe të caktuara të ardhura nga Greqia, të cilët shpërdoruan respektin tonë ndaj normës tradicionale shqiptare të hapjes së dyerve të një familjeje në zi dhe e kthyen një ritual përbashkues varrimi, në një shfaqje të patolerueshme ekstremizmi…”.

Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shqipërisë ka njoftuar se në lidhje me thirrjet raciste dhe bllokimin e rrugëve, do të hetojë në gjendje të lirë disa shtetas nga Greqia. Për thirrjet antishqiptare të ditës së enjte në fshatin Bularat të Gjirokastrës ka reaguar edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati si dhe kryetari i Partisë Për Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU), Shpëtim Idrizi.

Kryeministri, Edi Rama, e shikon një rast të izoluar shfaqjen që ekstremistët grekë dhanë në Bularat gjatë ceremonisë së varrimit të Kostandinos Kaçifas.

“Nuk është ky në Bularat, Greqia dhe as greku. Ajo që pamë është një segment folklorik. Greqia, asnjëherë nuk ka qenë armiku ynë. Minoriteti grek është i nderuar dhe është i respektuar”.

Shefi i qeverisë thekson se ngjarja nuk ndikon në marrëdhëniet mes dy vendeve.

“Greqia si çdo vend ka gomerët dhe derrat e vet”.

Rama thotë se marrëveshja e detit me shtetin helen nuk ka përfunduar, teksa thekson: "Nuk kemi asnjë centimetër det për të falur, por do korrigjojmë gabimin e bërë në 2009".

Kreu i qeverisë deklaroi në një emision televiziv "Real Story" se nuk ka pasur asnjë diskutim mes tij dhe Presidentit të Turqisë mbi marrëveshjen e detit me Greqinë.

"Është një marrëveshje mes Shqipërisë dhe Greqisë”.

Ndërsa, Idrizi në një deklaratë për mediat bëri thirrje për mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Kujtojmë se në ceremoninë mortore të minoritetit grek Kostandinos Kaçifa më 8 nëntor morën pjesë edhe qindra qytetarë grekë dhe pjesëtarë të minoritetit grek që jetojnë në qytetet jugore të Shqipërisë, ndërsa kishin simbole greke dhe thirrje ekstremiste antishqiptare. Ceremonia u shoqërua me provokime të hapura, me thirrje dhe simbole: "Gjaku na thërret, të djegim shqiptarin". "Qentë shqiptarë", apo "Bularati është Greqi", ishin disa nga thirrjet, madje gazetarët shqiptarë që po raportonin ceremoninë janë fyer.

 

- Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri -



Lajme të ngjashme