Shqipëri – Ambasadorja e Greqisë në Tiranë thirret në MEPJ për ngjarjen në Gjirokastër

Ambasadorja e Greqisë në Tiranë, Eleni Surani, është thirrur të martën në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë për ngjarjen e ndodhur në Bularat të Gjirokastrës...

Shqipëri – Ambasadorja e Greqisë në Tiranë thirret në MEPJ për ngjarjen në Gjirokastër

Ambasadorja e Greqisë në Tiranë, Eleni Surani, është thirrur të martën në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë për ngjarjen e ndodhur në Bularat të Gjirokastrës.

Në njoftimin e MEPJ-së së Shqipërisë theksohet se ambasadores iu komunikua pozicioni i qartë i autoriteteve shqiptare lidhur me çështjen në fjalë.

“Ambasadores i’u theksua se ngjarja e rëndë po hetohet nga Prokuroria e Shqipërisë. Ky institucion është autoriteti i vetëm që në bazë të kushtetutës dhe legjislacionit penal shqiptar kryen hetim të pavarur për çdo vepër penale që ndodh në territorin e Republikës së Shqipërisë’, theskohet ndër të tjera në njoftim.

MEPJ-ja përsëriti edhe njëherë thirrjen për maturi dhe evitimin e ngjyrimeve politike e diplomatike të kësaj çështje duke siguruar se Shqipëria është vend i sigurtë e i qetë për të gjithë shtetasit e saj, përfshirë pa asnjë dallim ata me kombësi greke.

Lidhur me ngjarjen ka reaguar edhe zëdhënësi i Presidencës së Republikës së Shqipërisë, Tedi Blushi, i cili deklaron se Presidenti Ilir Meta vlerëson rëndësinë e hetimeve transparente e shteruese dhe shpreh bindjen e thellë se kjo është një ngjarje e izoluar, e cila nuk mund të zbehë miqësinë shqiptaro-greke.

“Minoriteti grek në Shqipëri dhe emigrantët shqiptarë në Greqi do vazhdojnë të jenë ura solide të këtyre marrëdhënieve dhe kësaj miqësie. Presidenti Meta vlerëson qëndrimet e ministres së Kulturës së Greqisë lidhur me ngjarjen dhe u bën apel të gjithëve të qëndrojnë larg përpjekjeve për të shfrytëzuar këtë ngjarje për retorikë nacionaliste e nevoja politike destruktive”, thuhet në njoftimin e Presidencës së Shqipërisë.

Kujtojmë se dy ditë më parë, gjatë shkëmbimit të zjarrit me forcat e policisë në Qarkun e Gjirokastrës, mbeti i varë shtetasi Kostandinos Kaçifa, i cili ishte banor i minoritetit grek.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shqipërisë, në fshatin Bularat, Kaçifa ka qëlluar fillimisht me armë zjarri në ajër e më pas mbi punonjësit e policisë, ndërsa mbeti i vrarë nga shkëmbimi i zjarrit. Kjo ngjarje shkaktoi reagime në Shqipëri dhe Greqi. / AA



Lajme të ngjashme