95-vjetori i Republikës së Turqisë u festua edhe në Shqipëri

Ambasada turke në Tiranë organizoi një pritje zyrtare me rastin e 95-vjetorit të themelimit të Republikës së Turqisë.

Cumhuriyetin 95.yılı_Arnavutluk kutlamaları_01.jpeg
Cumhuriyetin 95.yılı_Arnavutluk_B.Elçilik doğa yürüşü_01.jpg
Arnavutluk Cumhurbaşkanı_Ilir Meta_İstanbul_01.jpg
Cumhuriyetin 95.yılı_Arnavutluk kutlamaları_03_Ebru Baybara Demir.jpeg
Birleşmiş Milletler Günü_Ditmir Bushati_02.jpg
Arnavutluk_Konispol_Türkçe Kursu_01.jpg

-Në Shqipëri mbahet ceremoni me rastin e 95-vjetorit të Republikës së Turqisë

Me rastin e 95-vjetorit të themelimit të Republikës së Turqisë, ambasada turke në Tiranë organizoi një pritje zyrtare.

Në ceremoninë e pritjes në Tiranë, të pranishëm ishin kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, zëvendëskryeministrja e Shqipërisë, Senida Mesi, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro Furxhi, përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, ish-presidentët e Shqipërisë, Rexhep Meidani dhe Bujar Nishani, kryetari i opozitës dhe njëkohësisht kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, ambasadorë dhe përfaqësues të institucioneve turke në Shqipëri.

Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, në fjalën e tij përshëndetëse tha se Turqia me Shqipërinë ka marrëdhënie të miqësisë dhe vëllazërisë me rrënjë të thella dhe historike. 

"Krahas që jemi fqinj në aspektin historik, Shqipëria është një nga vendet më të afërta në zemrën tonë. Shqipëria është fqinj në zemrën tonë. Qytetarët tanë me origjinë shqiptare, që janë në miliona në vendin tonë, janë shenjë konkrete e këtyre lidhjeve. Është fakt i pamohueshëm që popujt tanë janë të ndërthurur me lidhje familjare si mishi dhe thonjtë. Si ambasador i Turqisë, besoj thellësisht se marrëdhëniet mes Turqisë dhe Shqipërisë do të kenë një të ardhme të ndritur", theksoi në fjalën e tij ambasadori turk.

Ai rikujtoi se një nga marrëveshjet e para të miqësisë që nënshkrua u në vitin 1923, kur u themelua Republika e Turqisë, u nënshkrua me Shqipërinë. "Marrëveshja e miqësisë së përjetshme dhe e bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Turqisë dhe Republikës së Shqipërisë", paraqet marrëdhëniet midis vendeve dhe popujve në formën më të qartë. Prandaj, viti 2023, 100-vjetori i festimit të Ditës së Republikës sonë, do të jetë gjithashtu 100-vjetori i krijimit të marrëdhënieve tona diplomatike me Shqipërinë", u shpreh ambasadori Yörük.

"Këto marrëdhënie u përforcuan tutje me nënshkrimin e ‘Deklaratës së Përbashkët Politike për themelimin e Këshillit të Nivelit të Lartë për Bashkëpunim’ nga ministri ynë i Punëve të Jashtme, Mevlüt Çavuşoğlu dhe ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Ditmir Bushati. Me këtë dokument, marrëdhëniet tona bilaterale do të rriten në nivel të Partneritetit Strategjik. Në 100-vjetorin e themelimit, Republika e Turqisë synon suksese të reja politike, ekonomike dhe tregtare. Në të njëjtën kohë, në 100-vjetorin e ‘Marrëveshjes së miqësisë së përjetshme dhe të bashkëpunimit’, sinqerisht dëshiroj të shpreh urimet e mia për këto suksese në mirëqenie dhe prosperitet me Shqipërinë mike dhe vëllazërore", tha ambasadori i Turqisë në Tiranë.

Aktiviteti i zhvilluar nga ambasada turke në Tiranë nuk ishte vetëm një takim diplomatik. Festimet për 95 vjetorin e shpalljes së Republikës Turke u karakterizuan nga një atmosferë tejet miqësore.

Gatimet në kujdesin e një prej kuzhinireve më të mira të botës, Ebru Baybara Demir, ftuan pjesëmarrësit të provonin vlerat e kulinarisë turke nga e cila shqiptarët kanë trashëguar shumë.

***

-Presidenti Meta në Turqi për përurimin e aeroportit të ri të Stambollit 

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta mbërriti  në Stamboll, me ftesë të veçantë nga presidenti i Republikës së Turqisë, Rexhep Taip Erdogan për të marrë pjesë në përurimin e aeroportit të madh të këtij qyteti “Istanbul Airport”.

Simbolika e këtij përurimi përkon me 95-vjetorin e themelimit të Republikës së Turqisë.

Me një kapacitet pritjeje prej 90 milionë pasagjerësh në vit, aeroporti i ri i Stambollit pritet të figurojë mes pesë aeroporteve më të frekuentuar në botë dhe mund të ngjitet në vend të parë të podiumit. 

Ndërkaq, faza e dytë pritet të përfundojë deri në vitin 2023. Për ndërtimin e aeroportit, i cili do të jetë më i madhi në botë, janë angazhuar rreth dhjetë mijë njerëz.

***

-Në Tiranë organizohet marshimi me moton: “Republika dhe Ataturku”

Me rastin e 29 Tetorit, Festës së Republikës, ambasada e Turqisë në Tiranë ka zhvilluar një marshim në malin e Dajtit, mali më i lartë në Tiranë. Personeli i ambasadës turke, biznesmenë anëtarë të ATTSO, anëtarë të Gardës Kombëtare të Shqipërisë, shtetas turq dhe miq shqiptarë, rreth 200 vetë, përfunduan marshimin me moton: “Republika dhe Ataturku”.

Në majën e malit të Dajtit u valëvit flamuri turk dhe flamuri e Shqipërisë, si shenjë të miqësisë dhe vëllazërisë shqiptaro-turke.

***

-Të rinjtë, potencial për ndërtimin e modelit të paqes 

Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB-ja) vlerësoi  5 të rinj të suksesshëm, të cilët ia kanë dalë mbanë të kthehen në modele të suksesshme.

Të rinjtë janë potenciali i rëndësishëm për ndërtimin e modelit të paqes dhe bashkëpunimit dhe sot është pikërisht koha e tyre”, deklaroi  ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati në fjalën e tij në kuadër të festimit të Ditës së Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, në ambientet e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme ku u zhvillua aktiviteti me temë “Honoring youth: It’s Youth Time”.

Sipas tij, puna me rininë është investimi më i mirë dhe më i sigurt për të garantuar të ardhmen.

Shqipëria beson fort në rolin e brezit të ripër ndërtimin dhe qëndrueshmërinë e paqes për agjendën 2030”, tha Bushati.

***

-Import-eksportet nga Durrësi/Rusia, Turqia dhe Italia në 3 vendet e para

Gjatë 9 muajve të parë të këtij viti në portin e Durrësit janë përpunuar 417 anije dhe 776 tragete, duke shënuar një volum prej mbi 2.7 milion ton mallra gjithsej.

Shkëmbimet e mallrave janë kryer kryesisht me vende si Rusia (28 për qind), Turqia (19 për qind) dhe Italia (11 %), e më tej Malta (7 %), Greqia (6 %), Libia dhe Izraeli (me nga 3 % secili), etj.

Nga statistikat 9-mujore në Sektorin përkatës në APD, mësohet se 45 për qind e eksporteve “Made in Albania” i janë drejtuar me anije dhe tragete Italisë, 44 për qind janë nisur për në Maltë, 7 % drejt Turqisë dhe nga 2 % në Greqi dhe në Francë.

Importet vijnë kryesisht nga Rusia (33 për qind) dhe Turqia (21 për qind), që kryejnë së bashku më shumë se gjysmën e importit të mallrave drejt Durrësit. Bashkë me Libinë, Greqinë, Italinë dhe Izraelin (me nga 8-4 për qind secila), mallrat e importit mbërrijnë me anije edhe nga Ukraina, Egjipti, Spanja, Bullgaria, Franca, Libani, Tunizia, SHBA, Kroacia, etj.

***

-Ebru Baybara Demir nga Turqia: Kam lindur për të ndihmuar njerëzit! 

Ebru Baybara Demir një nga 10 kuzhinierët më të mira në botë e ftuar në një emision televiziv kombëtar në Shqipëri, “Natë me Xhaxhiun” , ka folur për pasionin e saj në kuzhinë dhe qëllimin e  saj në jetë. Për Ebru Baybara Demir, përtej kuzhinës ka lindur për të ndihmuar njerëzit. Ebru theksoi se kuzhina kristiane mbizotëron më shumë te gatimet e saj.

Unë  jam nga ato njerëzit e veçantë që e di pse kam ardhur në këtë botë. Kam ardhur për të gatuar dhe për të ndihmuar gratë. Unë kam lindur për të ndihmuar njerëzit”, tha ajo në “Natë me Xhaxhiun”.

Ebru nuk është vetëm një shefe kuzhine, por edhe një model i femrës postmoderne turke. Ajo gjatë rrëfimit të saj theksoi se ruan me fanatizëm vlerat e familjes dhe atë të etikës së mirë.

Të gjitha këto janë në ndryshim të përhershëm. Dihet që kuzhina turke është një kuzhinë e njohur në botë. Por dihet se kuzhina anadollake është më e mira në Turqi. Ne kemi familje të mëdha të populluara që ruajnë mirë anën etike të tyre”, u shpreh ajo.

***

-Në Konispol rifillon kursi i turqishtes 

Rifillon kursi i mësimdhënies së gjuhës turke për komunitetin e banorëve të zonës së Konispolit.  Ky projekt që rinisi në tetor 2018 zhvillohet atje për të tretin vit radhazi, në përgjigje të interesimit të nxënësve të shkollave të kësaj zone për të zgjeruar horizontin e kulturës dhe njohurive të tyre në gjuhët e huaja.

Ky kurs është një mundësi optimale për të gjithë nxënësit dhe të rinjtë e interesuar e kësaj zone, që përmes këtij projekti të përfitojnë mundësi e alternativa optimale arsimimi të standardeve bashkëkohore ndërkombëtare, si dhe për të ndjekur studimet në Turqi, si për ciklin e mesëm shkollor ashtu dhe për atë universitar.
Në këtë kontekst, vlen të përmendim se nxënës nga Konispoli që kanë frekuentuar kurset e ofruara nga fondacioni “ALSAR” përfituan të drejtën e studimeve të larta në Turqi, dhe aktualisht vijojnë atje ndjekjen e studimeve.

Kursi i Gjuhës Turke ofrohet gratis, aktualisht ai frekuentohet nga 50 nxënës i ndarë në 3 grupe, 2 niveli i avancuar dhe 1 ai fillestar. Kursi drejtohet nga një mësues i specializuar, që do të punojë me këtë grupmoshë dhe me metoda bashkëkohore të ndërthurura me programe audio-vizivë, për t’a bërë atë sa më atraktiv dhe të plotësuar me elemente që lehtësojnë përvetësimin e dijes në mënyrë sa më të vlefshme. Realizimi i këtij projekti është një tjetër kurorëzim i suksesshëm i zhvillimit të marrëdhënieve të bashkëpunimit ndërmjet fondacionit “ALSAR” dhe bashkisë Konispol.

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri-



Lajme të ngjashme