Kosovë: Fillon Java për të drejtat e viktimave të krimit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi deklaroi se "nuk do të lejojmë dhunën në familje" në hapjen e konferencës nacionale dyditore me të cilën shënohet "Java për të drejtat e viktimave të krimit".

Kosovë: Fillon Java për të drejtat e viktimave të krimit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi deklaroi se "nuk do të lejojmë dhunën në familje" në hapjen e konferencës nacionale dyditore me të cilën shënohet "Java për të drejtat e viktimave të krimit".

Këtë vit "Java për të drejtat e viktimave të krimit", e cila organizohet tradicionalisht nga Kryeprokurori i Shtetit të Kosovës, mbahet nën moton "Drejtësia për viktimat, dënimi i kryerësve".

Në hapjen e takimit, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha se mbrojtja e qytetarëve, dhe në veçanti mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të viktimave, është një detyrim themelor i gjithë shoqërisë dhe veçanërisht i sistemit gjyqësor. Thaçi shtoi se Kosova është lider në rajon për të drejtat e viktimave të krimit.

“Është e qartë që ligji synon t’u dalë në krahë individëve më të cenueshëm në shoqëri, grave, fëmijëve, viktimave të trafikimit. Më lejoni që këtu të ngre zërin për lajmet e trishtueshme që lexojmë e dëgjojmë shpesh për Kosovën për rastet e dhunës në familje. Dua të jem i prerë këtu, në Kosovën që po ndërtojmë dhuna në familje, dhuna kundër më të lëndueshmëve, më të ndjeshmëve nuk do të lejohet në Kosovë”, deklaroi Thaçi.

Ai theksoi se detyrimi i autoriteteve gjyqësore është për të sjellë para drejtësisë të gjithë ata që kryejnë dhunë pa dallim dhe theksoi se është i lumtur që Kosova ka ndërmarrë hapa të mëdhenj për të kompensuar viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi deklaroi se zyra e tij ka hapur një Zyrë për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave me qëllim që t'u ofrojë viktimave ndihmën e nevojshme ligjore dhe procedurale, si dhe një koordinator për dhunën në familje në kuadër të secilës Prokurori.

“Për dallim nga vendet e tjera të rajonit, ne kemi krijuar një legjislacion bashkëkohor për realizimin e të drejtave ligjore si dhe për kompensimin dhe trajtimin sa më dinjitoz të viktimave të krimit dhe tash kemi një numër të konsiderueshëm të viktimave të cilëve iu është kompensuar dëmi nga buxheti i shtetit të Kosovës”, tha Lumezi.

Ai falënderoi Ambasadën e SHBA-ve pa mbështetjen e së cilës, tha ai, e gjithë kjo do të ishte e vështirë për t'u arritur.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri theksoi se Ministria e Drejtësisë ka nisur gjithashtu dhjetëra iniciativa ligjore që rregullojnë fusha të ndryshme të çështjeve kryesore në gjyqësor, me qëllim që të eliminojnë pengesat në ligjin efektiv qeveritar.

“Njëra ndër më të rëndësishmet padyshim që është rishikimi i kodit të procedurës penale, si nevojë e kohës për të rikonceptuar procedurat përkatëse penale të cilat në instancën e fundit duhet të ofrojnë sigurinë e nevojshme juridike, efikasitetet më të lartë si dhe avancim të theksuar të zbatimit të përgjithshëm të legjislacionit penal për të gjitha palët në procedurë e në mënyrë të veçantë për viktimat e krimit”, theksoi Tahiri.

Ai shtoi se gjatë muajit të ardhshëm pret përfundimin e Projekt-Kodit Penal të Kosovës. Anadolu Agency (AA)



Lajme të ngjashme