Shqipëria dhe Turqia nënshkruan dokumentin e partneritetit strategjik

Çavusoglu dhe Bushati firmosën deklaratën e përbashkët politike për themelimin e Këshillit të Nivelit të Lartë të Bashkëpunimit Turqi-Shqipëri

Shqipëria dhe Turqia nënshkruan dokumentin e partneritetit strategjik

Ministri i Jashtëm i Republikës së Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu në ditën e dytë të vizitës në Tiranë, është takuar me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, ndërsa dy homologët firmosën edhe deklaratën e përbashkët politike për themelimin e Këshillit të Nivelit të Lartë të Bashkëpunimit Turqi-Shqipëri.

Në përfundim të takimit ministrat Çavuşoğlu dhe Bushati mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat, ku u fokusuan në marrëdhëniet dypalëshë, rritjen e bashkëpunimit , si dhe në luftën kundër organizatës terroriste FETO.

Çavuşoğlu theksoi se Shqipëria ka shfaqur shembull të solidaritetit të fortë me Turqinë pas tentativës për grusht shteti, ndërsa shtoi se në Shqipëri ekziston një strukturim serioz i FETO-s dhe se kjo organizatë përbën kërcënim të madh edhe për shtetin shqiptar.

Ministri i jashtëm i Turqisë tha se anëtarë të FETO-s gjenden në Shqipëri dhe presim nga Shqipëria mike ekstradimin e tyre.

“…Ne ua kemi dhënë listën e personave të cilët i kemi kërkuar në mënyrë zyrtare. I kemi kërkuar në formë të shkruar zyrtare…Ka anëtarë të FETO-s të cilët i kemi kërkuar nga Shqipëria dhe ne i presim ata nga Shqipëria mike”, u shpreh Çavuşoğlu.

Ndërkohë ministri Bushati, i pyetur në lidhje me aktivitetet e organizatës terroriste FETO në Shqipëri tha se "…Përgjigja e shtetit shqiptar është ajo përgjigje që i kemi dhënë qoftë Turqisë, por edhe në planin ndërkombëtar. Shqipëria ka qenë një ndër vendet e para që është solidarizuar për atë çfarë ndodhi në Turqi në rrethanat e grushtit të shtetit. Por nga ana tjetër është një vend anëtar i NATO-s, është një vend kandidat për BE dhe ka aderuar në disa dokumente të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e ekstradimit dhe çdo politikë ndiqet në rrugë diplomatike…".

Turqia, nëpërmjet deklaratës së ministrit të jashtëm turk premton ngritjen e shkollave të reja në Shqipëri, ndërsa kërkon mbylljen e institucioneve antiturke në Shqipëri. 

"…Aktualisht investimet turke në Shqipëri arrin rreth 3 miliardë dollarë. Do të ngremë shkolla të reja në Shqipëri, do të ngremë nivelin e arsimit në Shqipëri. Nuk do të pranojmë vetëm studentë nga Shqipëria por dhe nga rajoni. Duam të ndërtojmë spitale, të zhvillojmë bashkëpunimin në fushën e farmaceutikës. Mbështesim kandidaturën e Shqipërisë në OSBE...”.

Nga ana tjetër, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta dhe ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, realizuan një takim në selinë e Presidencës së Shqipërisë, ndërsa në fokus të diskutimeve ishte bashkëpunimi mes dy vendeve dhe zhvillimet në rajon,

Presidenti Meta vlerësoi marrëdhëniet midis dy vendeve, duke i konsideruar të shkëlqyera dhe shprehu mirënjohjen për ndihmën dhe mbështetjen që Turqia i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve, veçanërisht në tre dekadat e fundit.

 “Duke u ndalur tek mundësitë e mëdha të bashkëpunimit ekonomik, presidenti Meta shprehu vlerësimin për vëmendjen që Presidenti Erdoğan dhe Qeveria e Turqisë i kushtojnë këtij bashkëpunimi me Shqipërinë dhe nënvizoi se Turqia mbetet një nga partnerët kryesorë ekonomik e tregtar për Shqipërinë”.

Ministri i Jashtëm i Republikës së Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, është takuar me kryetarin e kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, ku kryediplomati turk ka theksuar se po realizon këtë vizitë zyrtare për të intensifikuar bashkëpunimin mes dy vendeve.

Ministri Çavuşoğlu është shprehur se Shqipëria është një vend tepër i rëndësishëm, mik, partner dhe aleat i Turqisë.

Gjithashtu theksohet se ministri Çavuşoğlu vlerësoi mbështetjen e Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit dhe shprehu pritshmëritë ndaj Shqipërisë për qëndrimin ndaj organizatës terroriste FETO.

Më tej thuhet se Ruçi në lidhje me organizatën terroriste FETO nënvizoi se Shqipëria e mirëkupton këtë shqetësim të Turqisë dhe organet ligjzbatuese në Shqipëri e kanë në qendër të vëmendjes, duke bashkëpunuar edhe me organet homologe turke.

Ministri i Jashtëm i Turqisë është takuar edhe me kryeministrin shqiptar, Edi Rama.

- Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri -

 


Lajme të ngjashme