Kosova përgatitet për shtesa fëmijëve deri në 16 vjeç

Për arsye të rënies që po pëson niveli i lindshmërisë në Kosovë, si pasojë edhe e vështirësive financiare për të rritur fëmijë, në Parlament është propozuar akordimi i fondeve shtesë për fëmijët deri në 16 vjeç.

Kosova Resepsiyonu 2018 02.jpg
türk askeri kosovada okul yeniledi  4.jpg
kosova-Türkiye dostluk parkı.jpg
Prishtine_Kosova başkenti Priştine genel görüntü.jpg
kosova.jpg
Digitalks_konferansı_Kosova_Kadri Veseli.jpg

Me probleme të kuorumit ka nisur dhe ka përfunduar seanca e së hënës së Kuvendit të Kosovës. Shumë prej pikave kanë dështuar, ndërsa disa janë shtyrë për seancat tjera.

Pasi mungonin LDK-ja dhe Vetëvendosje, seanca nisi pas një orë e gjysmë pritjeje. Në rend dite ishte edhe rezoluta për dialogun me Serbinë, por kjo u shty, pasi propozuesi, Visar Ymeri nga PSD, kërkoi që të harmonizohet mes grupeve parlamentare. Në rend dite ishte edhe Projektligji për shqyrtimin dhe vërtetimin e pasurisë së pajustifikueshme, por Hajdar Beqa nga PDK tha se ky projektligj nuk e ka marrë mbështetjen e Komisionit për legjislacion.

“Andaj unë shoh që edhe LVV që e ka bo këtë propozim edhe në Komision nuk ka qenë serioze në mbrojtjen e këtij propozimi, por edhe qe disa seanca është duke e përsëritë këtë temë, mendoj që duhet të hiqet kjo temë krejt prej rendit të ditës”, tha Beqa.

Projektligji në fjalë i propozuar nga Vetëvendosje nuk kaloi me vota. Në vazhdim, deputetët debatuan për shtesat e fëmijëve, e cila ka përfunduar pa u votuar për shkak të mungesës së kuorumit. Donika Kadaj-Bujupi, ka kërkuar që çdo fëmijë në Republikën e Kosovës prej moshës 0-16 vjeç të gëzojë shtesa.

“Numri në rënie i lindjeve vjen si rezultat i disa faktorëve siç janë migrimi i popullsisë në drejtim të BE-së, shtyrjes së martesave, rritjes së numrit të divorceve dhe po e theksoj mungesës së benefiteve apo shtesave të fëmijëve të cilat ekzistojnë në çdo vend të BE-së”, tha Bujupi.

Kadaj Bujupi rekomandon që çdo fëmijë deri në moshën 16 vjeç të gëzojë shtesa mujore duke filluar nga 10 euro, pastaj sipas mundësive buxhetore dhe numrit të fëmijëve për familje kjo shumë të rritet. Po ashtu kërkohet që rekomandimet nga rezolutat të zbatohen përmes buxhetit të vitit të ardhshëm duke u shndërruar në kod dhe vijë buxhetore në kuadër të Ministrisë përkatëse. Sipas saj, për rreth 500 mijë fëmijë do të shfrytëzohen vetëm rreth tre për qind e buxhetit të shtetit.

***

Haradinaj mbështet idenë për shtesa të fëmijëve 

Kryeministri i Kosovës, njëherësh edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj ka shkruar në Facebook se si kryeministër i Kosovës, beson se iniciativa e AAK-së për shtesat e fëmijëve do të mbështetet nga të gjitha partitë politike.

“Kjo projekt-rezolutë parasheh që çdo fëmijë në Republikën e Kosovës prej moshës 0-16 vjeç të gëzojë shtesa, çdo muaj, duke filluar nga 10 euro, pastaj sipas mundësive buxhetore, kjo shumë edhe mund të rritet. Bëhet fjalë për rreth 500 mijë fëmijë në tërë Kosovën që do ta gëzojnë këtë të drejtë.”

Projekt-rezoluta për shtesat e fëmijëve është një nga hapat e Qeverisjes sime për të zhvilluar politika të qëndrueshme në mbrojtjen e fëmijëve dhe familjes”, ka shkruar Haradinaj. 

***

Veliu: Zgjedhjet e reja nuk janë larg

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Agim Veliu, ka thënë se mbajtja e mbledhjes së Kryesisë së LDK-së me kryetarët e degëve të hënën është në funksion të ndërtimit të qëndrimit të kësaj partie sa i përket dialogut dhe çështjeve të tjera që janë më interes për Kosovën. Në këtë kontekst ai ka thënë se qëndrimi definitiv i LDK-së për dialogun, zgjedhjet dhe çështjet e tjera do të dihet pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm. Por sipas Veliut, LDK-ja insiston në zgjedhje të reja dhe ato nuk janë larg.

“Ne po punojmë në dy drejtime, edhe me strukturat e LDK-së gjithandej Kosovës por edhe me grupin e deputetëve në mënyrë që të shkojmë nga mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm, në të cilën LDK-ja do ta ketë qëndrimin definitiv sa i takon dialogut dhe çështjeve të tjera që janë me interes për Kosovën”, ka deklaruar Veliu.

Ai ka bërë me dije se janë duke punuar edhe me partitë e tjera për rrëzimin e Qeverisë, duke thënë se kjo Qeveri e ka humbur legjitimitetin.

***

Promovohet “Lindja e vështirë e shtetësisë së Kosovës” nga Nexhat Daci 

 “Lindja e vështirë e shtetësisë së Kosovës” është libri më i ri i akademikut Nexhat Daci, që u promovua në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Përmes këtij libri Daci flet për periudhën e vështirë nëpër të cilën kaloi Kosova, në veçanti vitet pas përfundimit të luftës. Autori kritikoi misionin e UNMIK-ut në Kosovë, që sipas tij, nuk i lejonin të kishin as zyre. Daci pati kritika edhe për legjislativin për mungesën e punës, që sipas tij po i kushton vendit. Në librin “Lindja e vështirë e shtetësisë së Kosovës”, gjithashtu flitet edhe për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën, ide kjo e diskutuar shumë së fundmi nga i pari i shtetit, Hashim Thaçi, dhe kundërshtari i idesë, kryeministri Haradinaj, të cilët ishin të pranishëm në promovimin e këtij libri. Këtë libër të Dacit, presidenti Thaçi e ka cilësuar si të veçantë për dekadën e parë të shtetit të Kosovës. “Kontributi i akademik Dacit, gjatë gjithë këtyre viteve, ishte shumë i rëndësishëm dhe libri është një retrospektivë e Kosovës, para dhe pas pavarësisë”, ka shkruar Thaçi në llogarinë e vet në “Facebook”.

***

Filloi sezoni i ngrohjes qendrore 

Prej të hënës më 15 tetor, qytetarët e Komunës së Prishtinës kanë filluar të kenë ngrohje qendrore. Naser Canolli krye-shef ekzekutiv i Ndërmarrjes Publike, “Termokos” tha se “Në bazë të ligjit do të fillohet me ngrohje për gjithë kryeqytetin”. Canolli tha se kanë investuar në sistem. Ai ka kërkuar që qytetarët e Prishtinës të kryejnë obligimet e tyre. “Nxehja është mjaft cilësore. Mbi 40 milionë euro kemi nënshkruar marrëveshje këtë vit për investime, me Komisionin Europian, Bankën Gjermane dhe Sfidat e Mileniumit”, tha ai për RTK-në. 

***

Në Prizren më 31 tetor do të mbahet Panairi i Punës 

Më 31 tetor (e mërkurë), 2018, në Qendrën Sportive “Sezai Surroi” në Prizren, mbahet Panairi i Punës.

Panairi i Punës organizohet në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Agjencinë e Punësimit të Republikës së Kosovës (APRK), Komunën e Prizrenit dhe Zyra Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ).

Për punëkërkuesit – Panairi i Punës është vendi i cili ofron informata për mundësitë e punësimit dhe praktikës në punë, dhe informata për trajnime e aftësime profesionale.

Për kompanitë dhe organizatat – Panairi i Punës është vendi ku mund të shpallin vendet e lira të punës apo praktikës në punë. Gjatë panairit kompanitë/organizatat gjithashtu mund të intervistojnë dhe vlerësojnë kandidatët potencialë për punë apo praktikë në punë.

***

 “Digitalks” u mbajt në Kosovë

Në kuadër të konferencës “Digitalks”, me temen “Ekonomia Digjitale – shtytës i zhvillimit ekonomik” Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli i ka dhënë mbështetje të plotë sektorit të inovacionit dhe ndërmarrësish. Ai tha se të rinjtë mund të i realizojmë idetë e tyre në vendin e tyre dhe se  të rinjtë nuk duhet të jenë vetëm punëkërkues.

“Teknologjia informative sot është një parametër themelor që përcakton  edhe  nivelin  e vet zhvillimit ekonomik të një vendi dhe ne duhet të jemi të përgatitur që të kapim ritmin e këtij zhvillimi në  këtë sektor ne ekonomin globale”, ka thënë Veseli.

Komisionerja e BE-së për Ekonomi dhe Shoqëri Digjitale, Mariya Gabriel, ndërkaq, tha se puna e përbashkët me partneritet, mund t’u ofrojë qytetarëve mundësi më të mirë dhe perspektivë konkrete evropiane

Kurse, Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, tha se synojnë që kjo konferencë të bëhet vjetore, me qëllim për ti dhënë përkrahje ekonomisë kosovare në harmoni me Agjendën Digjitale të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor.

Në konferencë kanë marrë pjesë qindra ekspertë të ekonomisë, politikë-bërës të nivelit të lartë, akademikë dhe palë të tjera të interesit.

***

Banka Qendrore e Kosovës dhe ajo e Turqisë bashkëpunim për shkëmbim informacionesh 

Delegacioni i Kosovës i përbërë nga Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, ministri i Financave, Bedri Hamza dhe zyrtarë tjerë, kanë përfunduar pjesëmarrjen në takimet vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Botërore, të cilat u zhvilluan në Bali të Indonezisë nga data 9-13 tetor 2018.

Në ditën e fundit të qëndrimit, Guvernatori Mehmeti dhe Ministri Hamza kanë marrë pjesë në diskutimet e Guvernatorëve dhe Ministrave të Evropës Qendrore dhe Lindore lidhur me Perspektiven Ekonomike Rajonale të Evropës Qendrore dhe Juglindore.

Gjithashtu, Guvernatori Mehmeti ka takuar zëvendësdrejtorin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Tao Zhang, të cilin e informoi mbi zhvillimet e përgjithshme në sistemin financiar, si dhe e falënderoi për përkrahjen e vazhdueshme që FMN-ja i ka ofruar BQK-së ndër vite.

Në të njëjtën kohë, gjatë kësaj vizite është nënshkruar edhe Marrëveshja e Mirëkuptimit ne mes te Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Guvernatori Mehmeti dhe Bankës Qendrore të Turqisë, përfaqësuar nga Guvernatori Çetinkaya, që ka të bëjë me shkëmbimin e informacioneve mes dy institucioneve.

Takimet vjetore të Bordit të Guvernatorëve të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore (WBG), për çdo vit sjellin së bashku bankierët e bankave qendrore, ministrat e financave, drejtuesit e sektorit privat, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe akademikëve për të diskutuar çështjet e financave të fokusuara në ekonominë globale, zhvillimin ndërkombëtar dhe ato të sistemit financiar botëror.

***

Kërkohet Komision hetimor për avancime të profesorëve 

Organizatat “ORCA” dhe “ADMOVERE”, kanë dorëzuar në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës kërkesa për formimin e komisionit hetimor me pjesëmarrje ndërkombëtare për të adresuar problemet rreth avancimeve të profesorëve dhe për hetimin e plagjiaturave të publikuara ndër vite nëpër media. Përfaqësuesit e këtyre organizatave nuk përjashtuan edhe mundësinë e protestave, nëse nuk ndërmerret asgjë për këto raste nga ana e institucioneve. Rron Gjonovci, nga ORCA, tha se kjo organizatë ka denoncuar në Këshillin e Etikës rastin e avancimit të tetë profesorëve të rregullt nga Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike, me provat përkatëse dhe nuk është ndërmarrë asgjë. Ndërsa ia  kanë adresuar kërkesën edhe rektorit Marjan Dema.

Shkëlzen Gashi, nga ADMOVERE, tha se janë gjithsej 16 pjesëtarë të stafit akademik të Universitetit të Prishtinës, që u janë shpalosur plagjiaturat ndër vite nëpër media dhe nuk është ndërmarrë asgjë. Ai kërkoi hetim për këto raste.

Dy organizatat, theksuan se nëse nuk fillojnë procedurat për rastet në fjalë, do të ndërmarrin hapa të tjerë për të rritur përgjegjësinë publike, duke mos përjashtuar edhe protestat.

-Përgatiti për TRT Ship, Muharrem Saragjolli



Lajme të ngjashme