Stoltenberg i ofron partneritet në NATO, Vuçiçi është për ruajtjen e neutralitetit ushtarak

Në hapjen e stërvitjes ndërkombëtare "Serbia 2018" në Mladenovac, presidenti serb Vuçiç përsëriti se Serbia është neutrale, por se bashkëpunon dhe do të bashkëpunojë me NATO-n.

Jens Stoltenberg_Aleksandar Vuçiç.jpg
Aleksandar Vucic-stoltenberg.jpg

Stërvitja ndërkombëtare për situata emergjente "Serbia 2018" është një shembull se si partneriteti me NATO-n mund të sjellë përfitime konkrete për Serbinë, NATO-n dhe gjithë rajonin, tha të hënën në Mladenovac Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

'''Serbia 2018' është stërvitje që është dhe një test. Ajo tregon forcat tona dhe dobësitë tona. Kjo do të na mundësojë të mësojnë së bashku dhe të dakordohemi më mirë së bashku. Gjithashtu, ajo është një shembull i madh se si Partneriteti me NATO-n mund të sjellë përfitime konkrete për Serbinë, NATO-n dhe të gjithë rajonin", tha Stoltenberg në Mladenovac, në hapjen e stërvitjes ndërkombëtare të shpëtimit emergjent "Serbia 2018".

Stërvitja "Serbia 2018" do të mbahet nga 11 tetori në zonat Mladenovac, Sopot dhe Arangjelovac, me pjesëmarrjen e 2.000 personave nga 38 vende, në mesin e tyre nga Turqia, Bosnjë-Hercegovina, Kroacia, Rumania dhe Pakistani.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha se kjo nuk është stërvitje ushtarake, por një stërvitje e gatishmërisë qytetare, e para e këtij lloji në Serbi.

"Kjo është një platformë për ata që të parët reagojnë të mësojnë nga njëri-tjetri në mënyrë që të marrin përvojat e nevojshme së bashku dhe të përgatiten më mirë për kohët kur përballen me emergjenca të vërteta të jetës", tha ai.

Ai shtoi se mësimet që "do të marrim sot do të na ndihmojnë të shpëtojnë më shumë jetë në periudhën e ardhshme".

Sipas tij, kjo stërvitje tregon bashkëpunimin e mirë midis NATO-s dhe Serbisë dhe se ky partneritet forcohet nga dita në ditë.

"NATO respekton neutralitetin ushtarak të Serbisë. Unë e kuptoj se NATO mbetet e diskutueshme në Serbi dhe se kujtimet e vitit 1999 janë të dhimbshme për shumë kë. Ajo fushatë e NATO-s në asnjë mënyrë nuk ka qenë e drejtuar kundër civilëve, por kundër regjimit (Millosheviçit), dhe çdo jetë e humbur është një tragjedi", tha ai, duke shtuar se synimi i NATO-s është paqja.

Ai theksoi se KFOR-i do të vazhdojë punën e tij në Kosovë, për të garantuar sigurinë atje dhe rikujtoi se NATO mbështet dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës.

I pyetur se pse KFOR-i nuk ka reaguar gjatë ngjarjeve në liqenin e Ujmanit më 29 shtator gjatë vizitës së Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Stoltenberg tha se KFOR-i në Kosovë është për të mbrojtur të gjithë, edhe serbët.

"Atëherë bisedova me Vuçiçin dhe rreth kësaj fola edhe me udhëheqësit e tjerë, përfshirë edhe liderët në Prishtinë. Unë besoj, ashtu si Vuçiç, se është e domosdoshme që KFOR-i të jetë atje dhe se do të vazhdojë të mbetet, por gjithashtu është e nevojshme të  vazhdojë të punojë në uljen e tensioneve dhe vazhdimin e dialogut mes dy palëve në Bruksel", tha ai.

I pyetur nëse Maqedonia ka gjasa për anëtarësim në NATO, Stoltenberg tha se vendimi për këtë u takon qytetarëve të këtij vendi dhe demokracisë, por se e vetmja mënyrë për t'u bërë anëtare e NATO-s është marrëveshja mbi emrin mes Maqedonisë dhe Greqisë.

Në stërvitjen ndërkombëtare i pranishëm ishte dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, i cili përsëriti se Serbia ushtarakisht është neutrale.

"Serbia ushtarakisht është neutrale dhe me xhelozi do ta ruajë këtë, por se bashkëpunon mirë dhe do të bashkëpunojë me NATO-n. Serbia është në fazat e fundit të pranimit të planit IPAP për periudhën 2018-2020, sepse duam të kemi marrëdhënie të mira me Aleancën për të ardhmen e qytetarëve tanë, pavarësisht kujtimeve të dhimbshme", tha Vuçiç në Mladenovac.

Ai falënderoi Stoltenbergun, sepse në ditët e kaluara kanë diskutuar një numër temash, por ai kurrë nuk ka kërkuar të ndikojë në vendimin se ku Serbia dëshiron të jetë në të ardhmen.

Vuçiç tha se ka kërkuar nga Stoltenbergu që prania e KFOR-it në Kosovë të vazhdojë edhe në të ardhmen.

"Nëse do të kemi ndonjë problem në Kosovë, ne do të kontaktojmë me Stoltenbergun dhe do të mund të flasim për zgjidhjen e problemeve", tha ai.

Stërvitja u organizua nga ministria e Brendshme e Serbisë dhe Agjencia e NATO-s, Qendra e Koordinimit Euroatlantik për Situata Emergjente. (Anadolu Agency-AA)



Lajme të ngjashme