Fillon procesi i votimit në Bosnjë-Hercegovinë, 7.498 kandidatë për 518 mandate

Në Bosnjë-Hercegovinë ka nisur procesi i votimit në zgjedhjet që përcaktojnë anëtarët e parlamenteve të kantoneve dhe entiteteve, deputetët e kuvendit kombëtar dhe tre anëtarët e Këshillit Presidencial...

Fillon procesi i votimit në Bosnjë-Hercegovinë, 7.498 kandidatë për 518 mandate

Në Bosnjë-Hercegovinë ka nisur procesi i votimit në zgjedhjet që përcaktojnë anëtarët e parlamenteve të kantoneve dhe entiteteve, deputetët e kuvendit kombëtar dhe tre anëtarët e Këshillit Presidencial.

Procesi i votimit për 3 milionë e 352 mijë e 933 zgjedhës të regjistruar nisi në orën 07.00 dhe do të vazhdojë deri në 19.00.

Zgjedhjet do të mbahen në 5 mijë e 794 vendvotime në të gjithë vendin, ku 314 ekipe të lëvizshme do të shkojnë pranë 10 mijë qytetarëve që nuk janë në gjendje të dalin për të votuar.

Këtë vit, rreth 78 mijë votues të regjistruar që jetojnë jashtë vendit kanë të drejtë të votojnë në misionet diplomatike dhe konsullore të Bosnjë-Hercegovinës në Vjenë, Oslo, Beograd, Çikago, Mynih, Frankfurt dhe Graz.

Struktura qeverisëse e Bosnjë-Hercegovinës, vendosur me Marrëveshjen e Paqes së Dejtonës që i dha fund luftës së viteve 1992-1995, është një nga sistemet politike më të ndërlikuara në botë.

Bosnjë-Hercegovina ka dy entitete, 10 kantone dhe një rajon autonom. Struktura politike komplekse e vendit, kriza e zymtë ekonomike, papunësia dhe kujtimet e luftës i bëjnë zgjedhjet edhe më të komplikuara.

Votuesit do të zgjedhin në mesin e 7 mijë e 498 kandidatëve që garojnë për 518 mandate në një parlament kombëtar, në parlamentet e dy entiteteve të vendit dhe organe të tjera të kantoneve, si dhe tre anëtarë të presidencës kombëtare.

Ata do të zgjedhin parlamentarët e dy këshillave të Federatës së Bosnjë-Hercegovinës dhe Republikës Serbe, të cilat janë dy entitetet kushtetuese të vendit, si dhe do të votojnë për anëtarët e 10 kantoneve të federatës boshnjake.

Pesëmbëdhjetë kandidatë, nga të cilët 6 boshnjakë, 5 kroatë dhe 4 serbë, do të garojnë për kryesimin e radhës së Presidencës Trepalëshe të Bosnjë-Hercegovinës.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror Zgjedhor (CIK) të Bosnjë-Hercegovinës, në zgjedhje marrin pjesë 58 forca politike, 34 kandidatë të pavarur dhe 36 koalicione. Rezultatet e para jozyrtare pritet të shpallen përpara mesnatës.

Këto zgjedhje ndiqen nga 6 mijë e 500 vëzhgues vendorë, rajonalë dhe ndërkombëtarë.



Lajme të ngjashme