Bushati–Kneissl: Rajoni ynë e ka kuptuar se Evropa është më e rëndësishme se konfliktet

Është mbajtur takimi i ministrave të Integrimit të vendeve të Evropës Juglindore, i kryesuar nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ditmir Bushati dhe ministrja për Evropën, Integrimin dhe Punët e Jashtme e Austrisë, Karin Kneissl.

Karin Kneissl_Ditmir Bushati_01.jpg
Güneydoğu Avrupa ülkeri AB bakanları toplantısı_Tiran.jpg
Güneydoğu Avrupa ülkeri AB bakanları toplantısı_Tiran2.jpg
Arnavutluk_AB bayrakları.jpg

Në Tiranë, është mbajtur takimi i ministrave të Integrimit të vendeve të Evropës Juglindore, i kryesuar nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ditmir Bushati dhe ministrja për Evropën, Integrimin dhe Punët e Jashtme e Austrisë, Karin Kneissl.

Takimi është hapur nga ambasadorja e Gjermane në Shqipëri, Susanne Schütz, e cila theksoi se Procesi i Berlinit do të vazhdojë edhe në muajt në vazhdim. "Shqipëria ka bërë hapa përpara në lidhje me prioritetet kyçe, si dhe ka ecur përpara në reformën në drejtësi, e cila është hartuar për ta shndërruar tërësisht sistemin e drejtësisë dhe në këtë mënyrë ka potencialin për t’u bërë shembulli për vendet e trera të rajonit. Gjermania është e bindur se anëtarësimi eventual i vendeve të Ballkanit Perëndimor ndihmon jo vetëm stabilitetin e rajonit, por edhe të gjithë Evropën”, tha Schütz. 

Ministri Bushati gjatë fjalës në takim tha se Shqipëria po përpiqet të arrijë një konsensus politik më të gjerë mbi procesin e integrimit në Bashkimin Evropian (BE) dhe për procesin e reformave në vend. 

"Anëtarësimi në BE është përparësi politike kryesore për të gjitha vendet e rajonit. Megjithëse në faza të ndryshme të procesit të pranimit, ne përballemi me shumë sfida të përbashkëta. Përparimi i secilit prej nesh ndikon tek tjetri dhe në këtë kontekst e përshëndes votën e qytetarëve të Maqedonisë në mbështetje të marrëveshjes me Greqinë dhe shpreh shpresën time që ndryshimet kushtetuese në bazë të Marrëveshjes së Prespës, do t’i hapin rrugën fqinjit tonë të mirë drejt pranimit në NATO dhe BE. Në të njëjtën kohë, referendumi tregoi nevojën urgjente për të forcuar besueshmërinë e perspektivës evropiane dhe rrjedhimisht ndikimin e BE-së në rajonin tonë", tha Bushati. 

Sipas Bushatit, çdo mungesë e perspektivave të besueshme krijon një vakum që mund të plotësohet nga nacionalizmi populist, autoritarizmi apo politikat jo-liberale, të cilat shfrytëzojnë sipas tij mungesën e perspektivës, pasigurive sociale dhe pabarazive ekonomike. 

Ne në rajon nuk kemi nevojë të konkurrojmë me njëri-tjetrin, as nuk kemi nevojë të krahasojmë me njëri-tjetrin, por duhet të krahasojmë veten me standardet e BE. Ne jemi të vetëdijshëm se çdo vend lëviz me shpejtësinë e vet në udhën e tij drejt pranimit në BE, në përputhje me kapacitetin e saj, ritmin e reformave dhe qëndrueshmërinë në përmbushjen e angazhimeve të saj”, është shprehur Bushati. 

Ministrat dhe zyrtarët e tjerë pjesëmarrës gjatë takimit kanë nënshkruar edhe deklaratën e përbashkët të takimit, që në fokus ka çështjet e integrimit evropian, proceset reformuese në vendet e Evropës Juglindore dhe bashkëpunimin rajonal. 

Në takim pjesëmarrës ishin edhe zv/kryeministri për Çështjet Evropiane i Maqedonisë, Bujar Osmani, ministrja e Integrimeve Evropiane e Republikës së Kosovës, Dhurata Hoxha, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane e Kroacisë, Marija Pejçinoviç Buriç, si dhe përfaqësues nga Serbia, Mali i Zi dhe Bosnje dhe Hercegovina.

- Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri -



Lajme të ngjashme