Kryeministri malazez, Dushko Markoviç, në sesionin 73. të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së

Në kuadër të pjesëmarrjes në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju-Jork, Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviç dhe kryediplomati Srgjan Darmanoviç kanë pasur një sërë takimesh me shefat e delegacioneve të vendeve të ndryshme...

Kryeministri malazez, Dushko Markoviç, në sesionin 73. të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së

Në kuadër të pjesëmarrjes në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork, Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviç dhe shefi i diplomacisë, Srgjan Darmanoviç, kanë pasur një sërë takimesh me shefat e delegacioneve të vendeve të ndryshme. Kryeministri Markoviç ishte i pranishëm në pritjen e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ku u vlerësuan marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe përkrahja e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i japin Malit të Zi. Kryeministri pati një takim joformal edhe me Presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, ku edhe njëherë u veçuan marrëdhëniet shembullore midis dy vendeve fqinje.

Së shpejti pika e re kufitare midis Malit të Zi dhe Shqipërisë

Qeveria e Malit të Zi në mbledhjen e saj miratoi informatën për realizimin dhe mënyrën e financimit për ndërtimin e vendkalimit të përbashkët kufitar ndërmjet Malit të Zi dhe Shqipërisë, në Skje-Zogaj. Në fakt vendimi për hapjen e këtij vendkalimi u soll në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive që u mbajt në Shkodër. Në këtë takim, ministrat e Brendshëm të dy vendeve firmosën marrëveshjen për hapjen e një pike të re kufitare. Hapja e pikës së përbashkët, e dyta me radhë, do të jetë funksionale për qarkullimin ndërkombëtar rrugor dhe të pasagjerëve. Po ashtu ajo do të luajë rrol të rëndësishëm në fuqizimin dhe përmirësimin e mëtejshëm të bashkëpunimit fitimprurës të dyanshëm dhe afatgjatë duke krijuar kushte optimale për zhvillimin e këtij bashkëpunimi përmes lehtësimit të qarkullimit në kufirin e përbashkët shtetëror. Sipas të gjitha gjasave, ky projekt do të jetë gati në vitin 2020.

TIKA ndihmon institucionet shëndetësore në Mal të Zi

Bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë së Malit të Zi dhe Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) është i suksesshëm dhe i rëndësishëm për sistemin shëndetësor në Mal të Zi, e në periudhën e ardhshme do të avancohet edhe me tej. Kështu u vlerësua në takimin që ministri malazez i Shëndetësisë, Kenan Hrapoviç, pati me koordinatorin e TIKA-s në Podgoricë, Enver Resulogullari. Agjencia TIKA është partner i gjatë dhe i besueshëm i Ministrisë së Shëndetësisë dhe njëri nga donatorët më të fuqishëm në sistemin shëndetësor të Malit të Zi, çfarë e vërtetojnë  një sërë donacionesh të vlefshme, e falë atyre janë realizuar investime në infrastrukturë dhe pajisje teknologjike në institucionet shëndetësore në Mal të Zi. Nga viti 2007 deri në vitin 2017, TIKA ka shpenzuar 2,3 milionë euro në adaptimin dhe pajisjen e institucioneve shëndetësore, ka theksuar ministri Hrapoviç. Ai ka shprehur bindjen që bashkëpunimi do të vazhdojë  edhe në periudhën e ardhshme në harmoni me planin strategjik të nevojave që kanë institucionet shëndetësore. Nga ana tjetër, koordinatori i TIKA-s falënderoi ministrin dhe theksoi se TIKA do të intensifikojë bashkëpunimin me Ministrinë e Shëndetësisë dhe se projektet në lëmin e shëndetësisë në periudhën e ardhshme do të jenë prioritet. Ne - veçoi koordinatori Resulogullari - do të vazhdojmë të investojmë në adaptimin e objekteve dhe pajisjen e tyre teknologjike, por jam në dispozicion që të japim ndihmesën  edhe në lëmin e edukimit të mjekëve nga Mali i Zi në qendrat shëndetësore turke. Bashkëbiseduesit u pajtuan që edukimi i kuadrit mjekësor është i rëndësishëm për bashkëpunimin e dy shteteve dhe se në periudhën e ardhshme do të krijohen kushte për specializimin e mjekëve dhe personelit ndihmës nga Mali i Zi në qendrat e njohura shëndetësore në Turqi, por dhe ardhja e specialisteve turq në Mal të Zi.

Bashkëpunim në fushën e mbrojtjes ndërmjet Malit të Zi dhe Azerbajxhanit

Ministri i Mbrojtjes së Malit të Zi, Predrag Boshkoviç, mori pjesë në Takimin e Ministrave të Mbrojtjes së Ballkanit Perëndimor që u mbajt në Grac, me iniciativë të ministrit të Mbrojtjes së Austrisë, Mario Kunasek. Takimi pati në fokus forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendeve të rajonit dhe u mbajt në kuadër të presidencës austriake të Bashkimit Evropian. Nga ana tjetër, ministri i Mbrojtjes së Malit të Zi sapo u kthye nga një vizitë që realizoi në Baku, ku u takua me homologun azerbajxhanas, Zakir Hasanov. Ministri malazez i Mbrojtjes ka theksuar gatishmërinë e Malit të Zi për vendosjen e bashkëpunimit me Azerbajxhanin, veçmas në planin e industrisë ushtarake, duke veçuar që ky bashkëpunim duhet të përcjellë marrëdhëniet e përgjithshme të dy vendeve që i karakterizon dialogu intensiv politik dhe një  shkallë e gjerë mirëkuptimi.

Dëme të shumta materiale nga zjarret masive në Podgoricë dhe Ulqin 

Ka ditë që Podgorica është përfshirë nga zjarre masive që kanë shkaktuar dëme të shumta materiale, por fatmirësisht jo në humbje jetësh. Ka pasur ndërhyrje të shpejta të skuadrave të zjarrfikësve dhe banorëve për të shuajt flakët. Zjarri është përhapur me shpejtësi edhe për shkak të erës së fuqishme. Ndërkohë, dje një zjarr i përmasave të mëdha ra në ullishtën e qytetit të Ulqinit, ku stihitë e flakës përfshinë disa dhjetëra trungje të vjetër ullinjsh. Situata është vënë në kontroll dhe po monitorohet.

Festivali i poezisë “Eminseku-Njegosh” tubon poetë nga mbarë bota në Mal të Zi

Në Podgoricë po mbahet Festivali Botërorë i Poezisë “Eminesku-Njegosh”, që ka tubuar një numër të madh të poetëve nga vende të ndryshme. Pjesëmarrësit e Festivalit priten të mbërrijnë në qytetin e Ulqinit, ku do të kenë një vizitë në objektet kulturore dhe do të mbajnë një orë letrare. Ata do të priten nga kryetari i Ulqinit, Loro Nrekiç dhe bashkëpunëtorët e tij. Ndërkaq, gjatë kësaj vere në Ulqin janë mbajtur një sërë takimesh me karakter ndërkombëtar. Pjesëmarrës të takimit, siç thuhet, është poeti turk  Ataol Berhamoglu, ndërkohë që Kosova do të prezantohet me poetët Jeton Kelmendi dhe Lulzim Tafa. Pas këtij takimi, në javën e parë të tetorit është paralajmëruar takimi i bukurisë “Mis Glob Ulqini 2018”.

 

Për Zërin e Turqisë nga Mali i Zi , përgatiti Vera ALIBEGU KATANA



Lajme të ngjashme