Presidenti Gjukanoviq: Do të përkrahim investitorët turq në Mal të Zi

Presidenti Millo Gjukanoviq në takimin që pati në Stamboll me konsullin e nderit të Malit të Zi në Stamboll Akan Suver e siguroi se Mali i Zi do të vazhdojë ti jap përkrahje investitorëve turq, të cilët dëshirojnë të investojnë në vendin e tij.

Millo Gjukanoviq_Akkan Süver.jpg
Milutin Simoviq_Senida Mesi.jpg
Karadağ İçişleri Bakanı Mevludin Nuhoxhiq_Avusturyada.jpg
Ulqin_Ülgün_tuvalde_resim sergisi_01.jpg

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq u takua me konsullin e nderit të Malit të Zi në Stamboll Akan Suver. Në takim presidenti Gjukanoviq theksoi rëndësinë që Mali i Zi jep bashkëpunimit me Turqinë si dhe vizitës së paralajmëruar të Presidentit Rexhep Taip Erdogan. Në takim po ashtu u diskutua edhe për investimet e shumta të Turqisë në Mal të Zi, ku presidenti Gjukanoviq u zotua se Mali i Zi do të vazhdojë tu japë përkrahje investitorëve turq që dëshirojnë të investojnë në Mal të Zi. Z. Suver në cilësinë e konsullit të nderit i ka dorëzuar presidentit Gjukanoviq ftesën që të jetë mysafir nderi në Samitin Ekonomik Euro-aziatik, që do te mbahet në Turqi në shkurt të vitit 2019-të.

                                                                   ***

Mali i Zi dhe Shqipëria bashkëpunim në fushën e administratës dhe shërbimeve publike

Zëvendëskryeministrja e Republikës së Shqipërisë Znj. Senida Mesi ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Mal të Zi, ku është pritur nga Ministrja për Administratën Publike Znj. Suzana Pribiloviq dhe Zëvendëskryeministri për Politikat Ekonomike dhe Sistemin Financiar, si dhe Ministër për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural të Malit të Zi, Z. Milutin Simoviq. Gjatë takimit me Ministren për Administratën Publike Znj. Suzana Pribiloviq është diskutuar kryesisht për nevojën e shkëmbimit të përvojave reciproke mes dy vendeve në fushën e administratës publike dhe asaj të shërbimeve publike. Gjithashtu, fokus i bisedës ka qenë edhe bashkëpunimi rajonal, si dhe sfidat e përbashkëta të Shqipërisë dhe Malit të Zi në rrugëtimin evropian. Pjesë e agjendës së Zëvendëskryeministres Mesi ishte edhe takimi me Z. Milutin Simoviq, Zëvendëskryeministër për Politikat Ekonomike dhe Sistemin Financiar, si dhe Ministër për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural të Malit të Zi. Me homologun malazez, Znj. Mesi u ndal tek projektet me interes të ndërsjellë mes dy vendeve dhe më konkretisht, mbi negocimin e kushteve tregtare mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, si dhe mbi veprimet konkrete që duhen ndërmarrë për Liqenin e Shkodrës dhe Lumin Buna, në kuadër të marrëveshjes së nënshkruar në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive lidhur me menaxhimin e burimeve ujore ndërkufitare. Të dyja palët ndanë bindjen e plotë se rezultatet e para të kësaj marrëveshjeje do të pasojnë së shpejti.

                                                                 ***

Takimi i Ministrave të Brendshëm të Ballkanit Perëndimor në Vjenë 

Ministri i brendshëm i Malit të Zi Mevludin Nuhoxhiq mori pjesë në konferencën e përbashkët të ministrave te brendshëm të Ballkanit perëndimorë me Bashkimin Evropian (BE) e organizuar nga Austria e cila ka presidencën e radhës së Bashkimit Evropian. Në këtë konferencë ministrat përkatës nënshkruan marrëveshjen mbi shkëmbimin e informacioneve për çështje të sigurisë, mes vendeve të bashkimit Evropian e cila është pjesë e legjislacionit evropian. Ministri i brendshëm i Malit të Zi Mevludin Nuhoxhiq citohet të ketë thënë se kjo marrëveshje paraqet një hap përpara në luftën efikase kundër krimit të organizuar ndërkufitar, emigracionit të paligjshëm dhe terrorizmit. Ai ka shtuar po ashtu se Mali i Zi ka ndërmarrë të gjitha aktivitetet për përshtatjen e sistemeve të veta për bashkëpunim në shkëmbimin e informacioneve me interes për sigurinë e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

                                                                 ***

Edhe në Mal të Zi organizohet manifestimi “Ditët e Trashëgimisë Evropiane”

Ministria e Kulturës e Malit të Zi edhe këtë vit do t’i bashkohet manifestimit “Ditët e trashëgimisë evropiane”, aktivitet ky i iniciuar nga Këshilli i Evropës dhe Komisioni Evropian. Në vazhdën e këtij aktiviteti në 11 komuna të Malit të Zi do të realizohen 40 programe në temën “Arti i shkëmbimit”. Në aktivitetin që do të mbahet në Universitetin e Malit të Zi më 21 shtator në temën “140 vjet nga mbajtja e Kongresit të Berlinit dhe shpallja e parë e pavarësisë së Malit të Zi” të pranishmëve do t’u drejtohet edhe ministri i Kulturës, Aleksandar Bogdanoviq. Në kuadër të aktiviteteve të këtij manifestimi po ashtu do të hapen ekspozita, do të mbahen ligjërata, punëtori, koncerte dhe vizita në parqet nacionale dhe pasuritë kulturore.

                                                                 ***

Piktorët nga Ballkani morën pjesë në aktivitetin “Ulqini në Telajo”

Në një organizim të Komunës së Ulqinit dhe Organizatës Turistike si dhe Institutit të Librit dhe Promocionit nga Tirana, në Ulqin për të tretin vit me radhë u mbajt kolonia e piktorëve të vendeve të Ballkanit “Ulqini në Telajo”. Rreth 40 piktorë patën rastin që bashkë të shijojnë bukuritë magjike të qytetit të lashtë të Ulqinit, i cili ka detin, lumin, liqenin, monumente të shumta kulturo-historike dhe një mozaik të veshjeve popullore të banorëve autokton. Një pjesë e këtyre bukurive u prezantuan në ekspozitën e hapur ditën e fundit të takimit. Ky ishte edhe një rast i mirë i shoqërimit dhe shkëmbimit të përvojave të piktorëve që kishin ardhur nga Mali i Zi, Shqipëria, Kosova, Serbia, Kroacia etj. Në një deklaratë për Zërin e Turqisë piktori nga Elbasani Sadik Kasa thotë se gjuha e artit është gjuhë universale dhe se Ulqinit është lajtmotiv për krijimtarinë e piktorëve. 

“Për ne Ulqini është bërë lajt motiv në krijimtarinë tonë, pra duke ardhur shpesh është bërë qyteti më miqësor dhe është kollaj për ta gjetur motivin. Nuk mund të krahasohet me Elbasanin, sepse Elbasani e ka prishur fizionominë e vet me ndërtime të reja, por për fat të mirë ka qytete të tjera shqiptare që i afrohen. Ulqini është diçka e veçantë, mbi të gjitha e bën të veçantë deti, pra i ka të gjitha llojet e motiveve, ka ujin, ndërtimet karakteristike, sokaqe, rrugica, e mbi të gjitha është një qytet i ngrohtë. Arti është gjuhë universale. Nuk është e vështirë të komunikosh, sepse piktura është një art që nuk do fjalë. Në koloninë e këtij viti kemi pasur kolegë piktorë nga Serbia, Kroacia, Bosnja-Hercegovina, ku kemi konstatuar të gjithë së bashku se komunikimi i vërtetë midis nesh ishte gjuha e Artit”, thotë piktori elbasanas për Zërin e Turqisë.

- Përgatiti për TRT Shqip, Vera Alibegu Katana



Lajme të ngjashme