Presioni i Beogradit largon serbët nga FSK-ja

Organizata joqeveritare Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë prezantoi të mërkurën në Prishtinë raportin me temë: “Tendencat për rrënimin e multietnicitetit: Largimet masive të pjesëtarëve serbë të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Roli i Serbisë.

Kosova FSK 2.jpg
FSK Kosova Güvenlik Gücü KFOR 23
Plator Avdio.jpg
Shpat Balaj.jpg

Organizata joqeveritare Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) prezantoi të mërkurën në Prishtinë raportin me temë: “Tendencat për rrënimin e multietnicitetit: Largimet masive të pjesëtarëve serbë të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Roli i Serbisë".

Plator Avdio, studiues nga QKSS, në fjalimin hyrës tha se serbët kohët e fundit e kanë braktisur FSK-në për shkak të presioneve nga Beogradi, që paraqet një operacion të menduar mirë, të cilin e kanë organizuar pjesëtarët e Shërbimit Inteligjent Ushtarak të Serbisë. Ai përmendi se pjesëtarë të FSK-së kanë qenë të shantazhuar, se do t’u hiqen pensionet, ndërsa u është bllokuar edhe hyrja në Serbi dhe janë karakterizuar si “tradhtarë” dhe “jeniçerë”.

"Tani dihet që një nga kundërshtarët më të mëdhenj të kësaj është Serbia, e cila përmes eksponentëve të saj qoftë qeveritarë në Beograd, qoftë eksponentëve të saj në Kosovë, ose qoftë edhe përmes qarqeve, të cilat për institucionet e Kosovës janë ilegale kanë shantazhuar, kanë bërë presion dhe kanë ndikuar që një numër shumë i madh i tyre të largohen pikërisht muajve të fundit nga FSK-ja duke i shantazhuar në mënyrë të drejtpërdrejt", tha Avdiu.

Ai shtoi se këto lloj presionesh tregojnë se partitë politike serbe në Kosovë nuk do të mbështesin transformimin e FSK-së në Ushtrinë e Kosovës, duke vënë në dukje se transformimi aktual i FKS-së në Ushtrinë e Kosovës është rinisur përmes projektligjit

Shpat Balaj, autor i raportit, tha se institucionet kosovare nuk kanë qenë në gjendje të ndalojnë daljen masive të serbëve nga FSK-ja. Ai përmendi se integrimi i serbëve është sfida më e madhe, me të cilën përballet FSK-ja, duke shtuar se disa pjesëtarë të caktuar të FSK-së nuk kanë pasur besim në këto forca.

“Gjatë vitit 2018 pas presioneve të shumta, shantazheve dhe sulmeve të drejtpërdrejta 60 pjesëtarë të FSK-së nga komuniteti serb ofruan dorëheqjet e tyre nga ky institucion. Kjo njëherësh do të shënojë edhe njërën prej ndërhyrjeve më brutale të një faktori të jashtëm në institucionet e Kosovës”, tha Balaj.

Ai shtoi se FSK-ja në vitin 2017 ka implementuar pesë projekte në komunat me shumicë serbe, me qëllim që serbët të mund t’i rekrutojë. Balaj përmendi se është me rëndësi që transformimi i FSK-së të ndodhë përmes ndryshimeve kushtetuese, meqë kjo është mënyra e vetme që Kosova të fitojë ushtri.

Disa nga rekomandimet e Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë janë që Qeveria e Kosovës, në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare në Kosovë, të hartojë një plan për të parandaluar që pjesëtarët e komunitetit serb të largohen nga FSK-ja dhe ministria kompetente të rekrutojë anëtarë të rinj nga komuniteti serb si kundërmasë ndaj aksionit të qeverisë serbe. (Anadolu Agency-AA)



Lajme të ngjashme