Ekip i ri negociator për marrëdhënie Kosovë-Serbi

Negociatat përfundimtare për finalizimin e marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë kanë shkaktuar lëvizje të faktorit politik në Kosovë. Opozita dhe pozita kanë kërkuar seancë të jashtëzakonshme të martën, për emërimin e ekipit të ri negociator...

Ekip i ri negociator për marrëdhënie Kosovë-Serbi

Kryesia e Kuvendit të Kosovës e ka miratuar kërkesën e Kryeministrit Ramush Haradinaj për të thirrur seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit, për të martën (4 shtator) në ora 9.00, vetëm një orë para seancës së jashtëzakonshme të thirrur nga partitë opozitare.

Kryesia është mbledhur të hënën (3 shtator), në mbrëmje, me kërkesë të Kryeministrit Haradinaj për mbajtje të seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit me rend dite: “Shqyrtimi i Propozim-vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e Ekipit Negociator për Normalizimin e Marrëdhënieve mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, tha për gazetarët, pas përfundimit të mbledhjes që ka zgjatur vetëm disa minuta, se do të jetë vetëm kjo pikë e rendit të ditës.

“Është kërkesë e Kryeministrit, legjitime e kushtetuese. Pikë e rendit të ditës do të jetë krijimi i ekipit negociator nga ana e Qeverisë së Kosovës”, tha Veseli, për mediat.

Veseli shtoi se shpreson që nga e marta opozita të reflektojë dhe të bëhen bashkë për t’u ballafaquar me Serbinë.

Kryesia merr vendim për mbajtjen edhe të seancës së kërkuar nga opozita

Kryesia e Kuvendi të Kosovës ka marrë vendim që të martën të mbahet seanca e jashtëzakonshme për të debatuar lidhur me angazhimet e Presidentit të Kosovës për përfshirjen e “shkëmbimit të territoreve” apo “korrigjim të kufijve” në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Kryetari i Kuvendi, Kadri Veseli, pas mbledhjes tha se seanca do të fillojë në orën 10. Ai nuk ka dashur të komentojë për këtë temë.

“Sa i përket komenteve politike do t’i themi në seancë”, ka thënë shkurt ai.

Në mbledhje, Kryesia u njoftua po ashtu me vendimin e deputetëve Ilir Deda dhe Mimoza Kusari-Lila për shkëputje nga grupi parlamentar i LDK-së dhe veprim si deputetë pa grup parlamentar. ​

Partitë opozitare, LDK, Vetëvendosje dhe PSD, kanë dorëzuar javën e kaluar kërkesën për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme më 4 shtator.

Në këtë seancë, opozita synon të miratohet rezoluta, e cila ia ndalon Presidentit Thaçi të bisedojë me Serbinë për territorin e vendit.

Rezoluta, e cila pritet të prezantohet në këtë seancë, ka vetëm një pikë: “Që askush nuk ka të drejtë ta negociojë dhe cenojë territorin e Kosovës”.

Presidenti Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiç, do të takohen më 7 shtator në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, në Bruksel.

Fatmir Limaj në krye të ekipit negociator

Qeveria mori vendim të hënën që zëvendëskryeministri Fatmir Limaj të kryesojë ekipin negociator për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Pjesë e ekipit negociator do të jenë edhe zëvendëskryeministrat e tjerë, Enver Hoxhaj, Behgjet Pacolli dhe Dardan Gashi, ministri Mahir Yagcilar, si dhe Avni Arifi.

Haradinaj ka ftuar edhe partitë opozitare që të propozojnë përfaqësuesit e tyre në këtë ekip.

Haradinaj thotë se Limaj nuk ka mandat të diskutojë kufijtë

Çështjet që do të diskutohen në dialogun Kosovë-Serbi janë çështje të mëdha dhe si të tilla do të ishte mirë që të analizohen me shumë mendje, ka deklaruar Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas mbledhjes së qeverisë, ku është propozuar Fatmir Limaj si kryenegociator.

Haradinaj ka përsëritur qëndrimin se askush nuk ka as mandat, as të drejtë të negociojë për kufijtë dhe territorin.

“Ne në takimet që kemi, respektohet Kushtetuta dhe ajo që parasheh Kushtetuta dhe integriteti territorial, edhe sovraniteti. Edhe zotëri Limaj e të tjerët, nuk kanë mandat të diskutojnë për kufijtë e për territorin. Emërimi i këtij delegacioni nuk nënkupton miratimin e ideve për ndryshime territoriale të vendit tonë”, ka thënë Haradinaj.

Ai ftoi edhe parlamentin që të bëjë punën e tij.

“Vendimi është dypjesësh, ne si qeveri marrim vendim për pjesën tonë të ekzekutivit. Zakonisht vendimet tona i miraton Parlamenti dhe mendojmë që Parlamenti të bëjë pjesën e tij e të bëjë propozimet e tjera”, tha ai.

Shefi i kabinetit qeveritar po ashtu ka lënë të kuptohet se do të ndryshojë kabinetin qeveritar.

Ai tha se duke pasur parasysh që çdo “reformatim është gjallëri, në vazhdimësi është mirë me pas një gjallëri”.

11 shkolla vonohen në fillimin e vitit të ri shkollor

Njëmbëdhjetë shkolla në Kosovë nuk kanë filluar vitin e ri shkollor të hënën për shkak të disa vonesave në përfundimin e rinovimeve.

Kështu bëri të ditur ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi.

Ai gjithashtu ka njoftuar se deri më 6 shtator do të përfundojë i gjithë procesi i shpërndarjes së librave falas.

“Deri më sot kemi 15 komuna në të cilat ka përfunduar shpërndarja e librave”, ka thënë ai. 

Kreu i MAShT-it ka premtuar që në vitin e ardhshëm shkollor nxënësve të të gjitha niveleve do t’iu shpërndahen tekstet e reja.

“Tekstet e reja do të jenë për të gjitha nivelet nga 1-12, besojmë që në vitin 2019-2020 të ketë tekste të reja”, ka potencuar ministri.

Nuk ka libra për Preshevën

Tekste shkollore nuk do të ketë vit për nxënësit e Luginës së Preshevës, sipas ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi, kjo për shkaqe politike.

Bytyqi njoftoi se për zgjidhjen e kësaj çështjeje është duke u biseduar edhe me Ministrinë e Shqipërisë.

“Nuk ka shpërndarje për Luginën e Preshevës. Ju e dini që ka pasur problematikë vitin e kaluar. Ne jemi duke biseduar me Ministrinë e Arsimit në Shqipëri që t’i shohim alternativat që këto tekste të mbërrijnë në Preshevë”, është shprehur ai.

Pacolli anulon vizitën në Bosnjë, pas kërcënimeve të Dodikut

Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe njëherësh ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka anuluar pjesëmarrjen e tij në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore.

“Sapo kam anuluar pjesëmarrjen time në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore për shkak të kërcënimeve nga Presidenti i Republikës Serbe të Bosnjë-Hercegovinës, Mirolad Dodik, i cili në një intervistë për një medium ka deklaruar se unë dhe delegacioni im nuk jemi të mirëseardhur në Banja-Llukë. Me politikan si Dodiku rajoni nuk mund të ecë përpara. Gjuha kërcënuese e Dodikut na kujton një të kaluar të afërt të politikanëve radikal, si ky vetë dhe pasojat e këtyre kërcënimeve. Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar drejt bashkëpunimit rajonal, ndërsa ftoj zyrtarët e BE-së, sidomos ata në Komisionin Evropian, që të mos heshtin ndaj këtyre fenomeneve”, ka shkruar Pacolli.

Pacolli thotë se Labinot Tahiri ka qenë, është dhe do të jetë në AKR

“Labinot Tahiri nuk do të largohet nga AKR-ja.”

Kështu ka thënë kryetari i këtij subjekti, Behgjet Pacolli.

“Labinot Tahiri ka qenë, është dhe do të jetë në AKR, përkundër thashethemeve dhe konspiracioneve. Karvani ecën përpara!”, ka shkruar Pacolli në “Facebook”.

Vetë deputeti Labinot Tahiri së fundi ka deklaruar se do ta lërë këtë subjekt politik për t’u bashkuar me Lëvizjen Vetëvendosje.

Katër ofertues garojnë për të ndërtuar TEC-in “Kosova e Re”

Qeveria e Kosovës dhe “ContourGlobal” kanë bërë të ditur rezultatet e procesit të përzgjedhjes fillestare për të siguruar kontraktimin për inxhinierim, projektim, ndërtim dhe mirëmbajtje për projektin e termocentralit “Kosova e Re”.

Pas shpalljes së procesit të përzgjedhjes fillestare në qershor, gjashtë aplikime u pranuan dhe u vlerësuan nga “ContourGlobal”, rezultatet e të cilave i ka njohur Qeveria e Kosovës. Pas procesit të vlerësimit, është arritur në përfundimin se 4 prej këtyre 6 aplikantëve janë parakualifikuar, të cilët i kanë plotësuar kriteret e larta teknike dhe financiare, si dhe i kanë ofruar letrat e financimit nga institucionet financiare.

Ofertuesit e parakualifikuar për EPC janë: CMEC, një konsorcium i përbërë nga “ENKA”, “Mitsubishi Hitachi Power Systems” dhe “Tecnicas Reunidas”, një konsorcium i kompanive të “General Electric” dhe “Hyundai”.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se termocentrali “Kosova e Re” do të përmirësojë në masë të madhe furnizimin me energji elektrike dhe do të nxisë zhvillimin ekonomik të Kosovës duke u bërë një instrument i një perspektive të zhvillimit të fuqishëm për ekonominë e vendit.

“Qeveria e Kosovës dhe ‘ContourGlobal’ janë të angazhuara që fillimi i ndërtimit të termocentralit “Kosova e Re” të ndodhë në pjesën e parë të vitit 2019”, tha ai.

Ndërsa Joseph Brandt, themelues dhe drejtor i “ContourGlobal”, ka thënë se “Kosova e Re” është një termocentral vendimtar për të ardhmen e furnizimit me energji të Kosovës.

Korporata Energjetike e Kosovës me profit të rritur

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) e ka mbyllur vitin 2017 me afro 20 milionë euro profit.

Në raportin vjetor për vitin 2017, thuhet se Korporata ka regjistruar një rezultat neto pozitiv për vitin që ka përfunduar më 31 dhjetor 2017 duke arritur njëkohësisht rritje për rreth 8 milionë euro të hyra në krahasim me vitin paraprak.

Fitimi i krijuar, sipas raportit, është si rrjedhojë e shpenzimeve më të ulëta në raport me të hyrat e Korporatës.

“Kompania për vitin 2016 nuk ka marrë grande nga Qeveria. Ndërsa të hyrat nga grandet e shtyra janë 5 milionë. Të hyrat operative totale të realizuara për vitin 2017 janë në shumën prej 171 milionë eurosh dhe janë me të larta për 2 milionë euro. Kjo rritje e të hyrave është si pasojë e arkëtimit më të lartë të pozicioneve të të hyrave në raport me vitin paraprak”, thuhet në raportin vjetor të KEK-ut për vitin 2017.

Deficit i lartë buxhetor në krahasim me vitin e kaluar

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka njoftuar se sektori fiskal u karakterizua me rritje të të hyrave prej 6%, si dhe shpenzime buxhetore prej 10%.

“Duke pasur parasysh rritjen më të lartë të shpenzimeve buxhetore krahasuar me të hyrat, buxheti i Kosovës deri në qershor 2018 regjistroi deficit primar buxhetor prej 27 milionë eurosh. Vitin e kaluar, në periudhën e njëjtë, kishte afro 3 milionë euro suficit”, thuhet në raportin për Vlerësimin Tremujor të Zhvillimeve Makroekonomike të BQK-së.

Borxhi publik në tremujorin e dytë (TM2) të vitit 2018 ka arritur në 1 miliard euro, që është për 9% më i lartë krahasuar me TM2 2017.

“Rritja e borxhit publik në Kosovë i atribuohet rritjes së borxhit të brendshëm përderisa borxhi i jashtëm publik u karakterizua me rënie”, ka njoftuar BQK-ja.

Administrata Tatimore: Deklaroni tatimin

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), me anë të një njoftimi, porosit që të deklarohet saktë tatimi; pasi, sipas legjislacionit tatimor, të gjitha ndërmarrjet dhe personat që merren me aktivitet biznesor janë të obliguar të deklarojnë tatimin.

ATK-ja thotë se me kryerjen e detyrimeve tatimore kontribuohet për një mirëqenie më të mirë ekonomike tatimore.

Në njoftimin e ATK-së ndër të tjera thuhet:

“Aktivitetet e ATK-së, në vazhdimësi, do të përqendrohen pikërisht te kategoritë, si nëndeklaruesit e pagave të punëtorëve, nëndeklaruesit tek bizneset e mesme dhe të mëdha, nëndeklaruesit tek bizneset mikro dhe të vogla, me qëllim të identifikimit të atyre bizneseve të cilat nëndeklarojnë të ardhurat e tyre.

Disa nga veprimtaritë nuk zbatojnë këtë obligim, prandaj ATK-ja u bënë thirrje që të deklarojnë apo korrigjojnë sa më parë deklaratat e tyre dhe të përmbushin të gjitha obligimet tatimore të parapara me Legjislacionin Tatimor.

ATK-ja inkurajon të gjitha kategoritë që t’u përgjigjen në mënyrë të saktë detyrimeve tatimore, në të kundërtën ATK-ja do të detyrohet që të ndërmarrë masa ndëshkuese sipas Legjislacionit Tatimor.”

 

-Përgatiti për TRT Shqip, Muharrem SARAGJOLLI-



Lajme të ngjashme