Perspektiva Evropiane – Shtysë pozitive për të gjitha vendet e Ballkanit

Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviç, falënderoi homologun shqiptar, Edi Rama, për mbështetje në nismën për hapjen e Institutit të Zhvillimit të Qëndrueshëm të Teknologjisë në Evropën Juglindore, gjatë takimit në mbajtur në Durrës...

Perspektiva Evropiane – Shtysë pozitive për të gjitha vendet e Ballkanit

Në Mal të Zi i është kushtuar vëmendje e veçantë takimit informal të Kryeministrave të Ballkanit Perëndimor, që u mbajt në Durrës. Këtu citohet Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviç, i cili takimin e ka cilësuar si platformë mjaft të mirë për të gjitha vendet. Sipas tij, kjo platformë është shumë e dobishme dhe duhet të bëhet tradita jonë.

“Është e qartë se gjatë vitit të kaluar kemi bërë një përparim mjaft të rëndësishëm në rajon. Kemi pasur një dialog politik të cilësisë së lartë që është vendosur dhe kemi një nivel më të lartë të besimit dhe të konfidencës politike sa  ç’kemi pasur më përpara. Për këtë, kontribut të posaçëm kanë dhënë edhe rezultatet e negociatave midis Maqedonisë dhe Greqisë dhe nënshkrimi i marrëveshjes, gjithashtu dhe dialogu mes Serbisë dhe Kosovës për zgjidhjen e çështjeve të tyre”, ka thënë Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviç.

“Ajo çfarë ka rëndësi në këtë kuptim është edhe strategjia e re e zgjerimit që patëm mundësi të kemi, që në fakt është një shtysë pozitive për të gjithë ne, kur bëhet fjalë për perspektivën evropiane. Kemi rënë dakord që ky vizion dhe kjo mundësi e përcaktuar nga strategjia, duhet të shfrytëzohet maksimalisht për të përmirësuar shtetin e së drejtës, standardet dhe ekonominë. Kësisoj duhet të jemi të gatshëm dhe të përgatitur për BE-në dhe për tregun e përbashkët evropian”, ka shtuar numri një i qeverisë malazeze.

Ai ka veçuar se në këtë kuptim, është e rëndësishme që ne të përmbushim detyrimet dhe angazhimet që janë marrë përsipër në Trieste, në kuadër të Procesit të Berlinit, duke nënshkruar planin e veprimit për konektivitetin  rajonal.

“Sot, bëmë një vlerësim të rezultateve të arritura, të asaj çfarë nuk kemi përmbushur ende dhe cilat janë kufizimet, me të cilat përballemi në nivel ndërkombëtar për t’i përmbushur këto detyrime dhe këto angazhime. Qartësisht, vendosëm dhe ramë dakord se plani i veprimit duhet të jetë agjenda që na mban në lëvizje të gjithëve, në mënyrë që ekonomitë tona të rriten më shumë dhe në mënyrë që standardet e qytetarëve tanë të jenë më të larta dhe të jemi më në gjendje që të krijojmë më shumë vende pune dhe të krijojmë mundësi të mëtejshme për rininë tonë. Për rrjedhojë, sot, në emër të Malit të Zi, do të doja të falënderoja dhe të shprehja vlerësimin e fortë për mbështetjen e Kryeministrit Edi Rama për nismën tonë për hapjen e Institutit të Zhvillimit të Qëndrueshëm të Teknologjisë në Evropën Juglindore dhe kjo është shumë e rëndësishme për ne që të parandalojmë largimin e ‘trurit’, në mënyrë që t’i bëjmë ata atë rinj që janë larguar që të kthehen sërish në vend, duke bërë një lidhje të mirë midis kërkimit shkencor dhe ekonomisë dhe për të arritur rezultate akoma më të mira. Ndaj besoj se koha dhe ajo çfarë shtrihet para nesh është e mbushur me sfida dhe në qoftë se do të karakterizohet nga rezultatet të mira, atëherë do të bëjë që kjo platformë dhe platforma të tjera ministrore të jenë mjaft të rëndësishme për perspektivën tonë evropiane”, ka përfunduar Markoviç.

Historike - Tuzi i Malit të Zi bëhet komunë e pavarur  

Nga 1 shtatori Tuzi, trevë e banuar kryesisht me shqiptarë në Mal të Zi, do të jetë komunë autonome. Kjo në përputhje me miratimin e propozim-ligjit mbi ndryshimet dhe plotësimet e ligjit për organizimin territorial të Malit të Zi të miratuar nga qeveria.

Në deklaratën për shtyp nga mbledhja e qeverisë, thuhet se në këtë mënyrë forcohet e drejta e qeverisjes lokale të qytetarëve nga treva e Tuzit dhe ndërtohet shoqëria mbi bazën e parimeve të decentralizimit, si një prej parimeve themelore të Kartës Evropiane për vetëqeverisjen lokale.

Miratimi i këtij propozim-ligji është përshëndetur nga të gjitha subjektet politike shqiptare, pasi këtë të drejtë shqiptarët dhe subjektet e tyre e kanë kërkuar prej shumë vitesh.

Së shpejti rikonstruktimi i pikës kufitare Sukobinë-Muriqan

Pika e përbashkët kufitare Sukobinë-Muriqan, e cila lidh Malin e Zi me Shqipërinë, është një vendkalim shumë i rëndësishëm për të dyja vendet. Ministri i Punëve të Brendshme të Malit të Zi, Mevludin Nuhoxhiç, ka thënë se planifikohet rikonstruktimi i kësaj pike kufitare dhe rritja e kapaciteteve nga 500.000 në 2.000.000 njerëz në vit, çka do të bënte që në mënyrë të konsiderueshme të rritet lëvizja në këtë pikë kufitare. Nuhoxhiç është i kënaqur me përpjekjet që bëjnë të dyja vendet për të përmirësuar infrastrukturën rrugore. Sipas tij, infrastruktura ka rëndësi të veçantë për zhvillimin e dy shteteve. Qeveria e Malit të Zi ka paralajmëruar se së shpejti do të hapet edhe një pikë tjetër kufitare me Shqipërinë. Fjala është për vendkalimin e përbashkët kufitar Skije-Zogaj, vendkalim ky që do të shërbej për komunikacion ndërkombëtar rrugor të udhëtarëve dhe nëpër liqenin e Shkodrës.

Kthehen nga haxhillëku 16 besimtarë nga komuna e Ulqinit

Grupi i haxhilerëve nga Mali i Zi është kthyer në vendlindje. 16 haxhilerë nga Ulqini dhe 67 nga qytetet e tjera të Malit të Zi ishin në Tokat e Shenjta, në Arabinë Saudite, për të kryer kushtin e  pestë të Islamit, haxhillëkun.

Ata janë pritur nga familjarët dhe të afërmit e tyre.

Tashmë është bërë traditë që udhëtimi i besimtarëve në haxhillëk bëhet në mënyrë të organizuar.

Ulqini do të mirëpres sopranon e njohur shqiptare, Inva Mula

Ulqini do të mirëpresë sopranon shqiptare me famë ndërkombëtare, Inva Mula, në Festivalin  Ndërkombëtar “Belcanto Dolcino”,që do të mbahet nga data 7 deri më 9 shtator në kalanë e Ulqinit.

Ky festival ka vite që tubon emra të njohur të interpretuesve klasikë. Festivali organizohet nga Komuna e Ulqinit dhe Fondacioni Kulturor Shqiptaro-Amerikan.

Mësohet se sopranoja e njohur shqiptare, Inva Mula, do të performojë së bashku me pianistin virtuoz, Genc Tukici.

Kjo është hera e parë që Inva Mula do të paraqitet para publikut në Ulqin, respektivisht në Mal të Zi. Ajo vite më parë pati koncertin e saj shumë të suksesshëm në Dubrovnik të Kroacisë, andaj për koncertin e divës shqiptare ka një interesim të madh jo vetëm nga qytetarët ulqinakë, por edhe nga mysafirët që janë duke pushuar në këtë qytet bregdetar.

 

Për Zërin e Turqisë nga Mali i Zi, përgatiti Vera ALIBEGU KATANA



Lajme të ngjashme