Samiti i Kryeministrave të Ballkanit Perëndimor për integrimin ekonomik

Në Durrës u zhvillua Samiti i Vendeve të Ballkanit Perëndimor, në fokus çështje të integrimit ekonomik rajonal, heqja e barrierave doganore dhe hapja e vendeve të reja të punës.

Batı Balkanlar Başbakanları_Arnavutluk Durres_toplantısı_07_Edi Rama_Ramush Haradinaj.jpg
Batı Balkanlar Başbakanları_Arnavutluk Durres_toplantısı_05.jpg
Arnavutluk_İşkodra_İstanbul Derneği_Kurban bağışı_05.jpg
Arnavutluk_ALSAR_Kurban bağışı_03.jpg
Ilir Meta_Konispol ziyareti_02.jpg
Ilir Meta_Konispol ziyareti_04.jpg

-Takim të kryeministrave të Ballkanit Perëndimor në Durrës për integrimin ekonomik

Në Durrës u mbajt Samiti i Vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në fokus të tij ishin çështje të integrimit ekonomik rajonal, heqja e barrierave doganore dhe hapja e vendeve të reja të punës.

Me disa ndryshime, por edhe mungesa në formacion kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Komisioneri për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johanes Hahn u ritakuan të hënën e kaluar, pas saktësisht një viti në Durrës.

Samiti një ditor i cili u zhvillua pa praninë e mediave pati në fokus krijimin e një vizioni të përbashkët mbi Strategjinë e Integrimit evropian, zbatimin dhe Fuqizimin e Zonës Ekonomike Rajonale, Marrëveshjen për komunikimet Roaming si dhe fillimin e negociatave për marrëveshjet e njohjes reciproke të kualifikimeve akademike dhe profesionale. 

Komisioneri Hahn gjatë një konferencë për shtyp theksoi se në takim është diskutuar për integrimin ekonomik në rajon dhe se çfarë është realizuar deri tani. 
“…Në Shqipëri dhe Maqedoni është bërë shumë progres që ka çuar në konkluzionet e këshillit për pranimin dhe mendoj që miratimi përfundimtar nga viti që vjen do të mund të bëhet realitet. Kemi diskutuar për integrimin ekonomik, për atë që është realizuar deri tani, dhe është mbresëlënëse ajo që është realizuar. Në të  gjithë rajonin janë hapur 80 mijë vende të reja pune. Është rritur 18% tregtia mes vendeve të rajonit në krahasim 2016. Kjo për shkak të rritjes së ekonomisë dhe tregtisë së vendeve të rajonit me BE…”.

Ndërsa, kryeministri shqiptar, Edi Rama deklaroi se është zhvilluar një takim i dobishëm duke bërë një bilanc të ecurisë së procesit të krijimit të zonës rajonale ekonomike, duke parë sipas tij të gjitha aspektet e këtij procesi. 
 Ai njoftoi gjatë kësaj konference se është diskutuar në samit më gjerësisht për marrëdhëniet mbi ecurinë e përbashkët në BE. 

“…Qasjet për eliminimin e barrierave jotarifore, rritjen e shkëmbimeve tregtare midis vendeve, por edhe aspektet që lidhen me iniciativat brenda grupit të vendeve si ndër të tjera edhe iniciativa më e  afërt ajo e ngritjes së qendrës për zhvillimin e qëndrueshëm në Malin e zi që të gjithë e mbështesim fuqimisht…”.

Objektiv konkret sipas tij, është ngritja e qendrës për zhvillimin e qëndrueshëm teknologjik në Malin e Zi, iniciativë kjo që u përshëndet nga kryeministri malazes Dushko Markoviç.

 “…Ramë dakord që plani i veprimit duhet të jetë agjenda që na mban në lëvizje të gjithë, që ekonomitë tona të rriten më shumë…”.

Ndërsa, kryeministri kosovar, Ramush Haradinaj u shpreh gjatë konferencës për mediat se Kosova po e kryen pjesën e saj për të ndihmuar njësimin ekonomik në rajon. Kryeministri i Kosovës përtej temës së samitit, vuri theksin tek kryetema që vjen nga Kosova, korrigjimi i kufinjve me Serbinë

“…Kosova i ka kufijtë e saj me Shqipërinë, me Malin e Zi, me Serbinë, me Maqedoninë  dhe i respektojmë dhe nuk mendoj se duhet ndonjë kreativitet i ri për dizenjimin e tyre, por duhet t’i respektojmë kufijtë që kemi…”.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev dhe kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, Denis Zvizdiç nuk ishin pjesë e takimit në Durrës. 
Pjesë e takimit ishin edhe përfaqësues të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), të Bankës Botërore, si dhe ambasadorë të akredituar në Shqipëri.

***

-Presidenti Meta në Konispol, në kuadër të nismës së ndërmarrë prej tij dhe “Aleancës për Dhurimin e Gjakut”

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta vizitoi bashkinë më jugore të Shqipërisë, Konispolin, në kuadër të nismës së ndërmarrë prej tij dhe “Aleancës për Dhurimin e Gjakut”.

Presidenti Meta i shoqëruar nga kryetari i bashkisë, Shuaip Beqiri morën pjesë në procesin e dhurimit të gjakut nga qytetarë të shumtë, emigrantë të ardhur nga Evropa etj.

Presidenti i Republikës pasi iu shprehu mirënjohjen dhe falënderimet e tij u shpreh se:

Është kënaqësi e jashtëzakonshme që të jem sot në Bashkinë e Konispolit, në bashkinë më jugore të vendit, por dhe një bashki e veçantë për të gjithë vlerat e trashëguara historike, kulturore, arkeologjike dhe mbi të gjitha njerëzore. Një bashki simbol i bashkëjetesës, harmonisë dhe solidaritetit të qytetarëve me njëri-tjetrin

Sot edhe një bashki e cila ka zgjedhur të kontribuojë në “Aleancën për Dhurimin e Gjakut”, duke ftuar jo vetëm punonjësit e saj, por dhe qytetarët e Konispolit për të dhuruar gjak. Kjo merr vlerë të veçantë sot, që është një ditë pushimi, çka tregon se qyteti i Konispolit ka një komunitet jashtëzakonisht solidar e njerëzor, i gatshëm për të sakrifikuar edhe disa momente pushimi në emër të një kauze jashtëzakonisht humane. Mbi të gjitha duke dhuruar një ‘gjak shumë cilësor’ me vlera të veçanta, për shkak të klimës së kombinimit perfekt këtu, të jodit me oksigjenin”, – u shpreh Presidenti.

Me këtë rast, – theksoi Kreu i Shtetit, – duke falënderuar Kryetarin e Bashkisë, i cili është mjaft i angazhuar në këtë proces, jo vetëm si kryetar i bashkisë, i këtij komuniteti, por njëkohësisht edhe si mjek, dua t’i uroj të gjithë banorëve të Konispolit, sukses gjatë këtij sezoni të rëndësishëm, edhe për turizmin, edhe për bujqësinë!

Konispoli njihet në të gjithë Shqipërinë për prodhimet e shkëlqyera bujqësore dhe blegtorale duke qenë një nga bashkitë më të njohura e më të suksesshme në këtë drejtim.

Do t’i ftoja të gjithë ta vizitojnë sa më shumë Konispolin, pasi vërtetë është një bashki e mrekullueshme, me një klimë të jashtëzakonshme, me produkte mjaft cilësore dhe mbi të gjitha me një komunitet të shkëlqyer, i cili ëshë shembulli i solidaritetit.

***

-Shoqata “Istanbul” pranë shtresave në nevojë 

E kthyer tashmë  në traditë shoqata “Istanbul” ka organizuar me rastin e festës së Kurban Bajramit shpërndarjen e mishit për qytetarët në nevojë të Qarkut Shkodër. Kryetari i shoqatës “Istanbul”, Ridvan Seferaj, bëri të ditur se janë prerë kurban 100 bagëti, dhe u janë shpërndarë 1.900 familje në Qarkun Shkodër.

“…Për Festën e Kurban Bajramit, jo vetëm në Shkodër, por edhe në qytete të tjera të Shqipërisë jemi pranë familjeve në nevojë që këtë festë t’ua bëjnë sa më të gëzueshme… Kemi bërë prerjen e 100 bagëtive të trasha, prej të cilave përfitojnë 2500 familje, duke filluar nga rrethi i Shkodrës, Kopliku, Pukë, Tiranë, Mamurras, po ashtu edhe në qytetin e Kavajës e të Beratit…”.

Seferaj sqaroj se përzgjedhja e familjeve në nevojë për t’i ndihmuar bëhet duke bashkëpunuar me institucionet fetare dhe civile, në mënyrë që të vërtetohen me vërtetësi lista e familjeve më të varfra e që vërtet kanë nevojë të ndihmohen. 

***

-“Kurbani; Solidaritet shoqëror ndaj njerëzve në nevojë”

Fondacioni “ALSAR” përfundoi me sukses projektin “Kurbani; Solidaritet shoqëror ndaj njerëzve në nevojë”.

“…Në rrugëtimin e tij 12-të vjeçar ishte kjo një tjetër arritje për të përmbushur misionin e tij mirëbërës në shërbim të shoqërisë shqiptare.

Sakrifica, përkushtimi dhe solidariteti është lajm motivi dhe mesazhi që buron nga ky projekt, ai nuk shpreh thjesht ofrimin e një sasie mishi për njerëzit e varfër, ai në radhë të parë shpreh dashurinë dhe vëllazërinë për ata, që së bashku të përjetojmë ndjenjat e solidaritetit human me qëllim që të na bëjnë edhe më të bashkuar, e të ndërgjegjësuar për forcimin e unitetit dhe të vëllazërisë mes njëri-tjetrit…”, thuhet në një prononcim nga fondacioni ALSAR.

Zhvillimi i këtij projekti u realizua dhe koordinua në bashkëpunim me drejtuesit e autoriteteve të pushtetit lokal, referuar në marrëveshje protokollare të bashkëpunimit.

Ndër treguesit kryesore të zbatimit të projektit të kurbanit për vitin 2018 përmendim se përfituan ndihma në pako mishi, 15000 familje të varfra të shtresave shoqërore më në nevojë që trajtohen me ndihmë ekonomike nga autoritetet e pushtetit lokal, me një shtrirje gjeografike në 26 njësi administrative të Shqipërisë si dhe në Kosovë e Preshevë. 

Kurorëzimi i suksesshëm i këtij projekti, është mundësuar falë kontributit të çmuar dhe ndihmës bujare të ofruar nga populli vëlla turk, përmes organizatave partnere të shoqërisë civile.

Vlen të theksohet se këto 3 vitet e fundit, një kontribut i jashtëzakonshëm është ofruar nga organizata Gjysmëhëna e Kuqe Turke, e cila gjatë këtij viti dhuroi ndihma në pako mishi për 9500 familje. Krahas saj, ALSAR shpreh mirënjohjen edhe për : 
Fondacionin “Hasene”, me qendër në Gjermani, shoqatën “Ribat”, me qendër në Turqi, shoqatën “Hayrat” po me qendër në Turqi, si dhe për partnerët e saj në Hollandë dhe në Londër.
-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri-



Lajme të ngjashme