Xhamia “Namazgja” në Tiranë parashikohet të përfundojë në bajramin e ardhshëm

“Vitin tjetër festa e Bajramit do t’i gjejë besimtarët myslimanë me një xhami të re…” ka deklaruar kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

1037219
Xhamia “Namazgja” në Tiranë parashikohet të përfundojë në bajramin e ardhshëm

Vitin tjetër, 2019 festa e Bajramit do t’i gjejë besimtarët myslimanë me një xhami të re. Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga myftiu i Tiranës, inspektuan punimet që po kryhen në xhaminë e Namazgjasë, e cila është afër përfundimit dhe financohet si dhuratë për popullin shqiptar nga qeveria turke.Kryebashkiaku e cilësoi ndërtimin e xhamisë si vepër të dobishme, jo vetëm për besimtarët myslimanë, por edhe si një stoli për qytetin.

Jam shumë i lumtur që inspektuam këtë vepër të dobishme. E quaj një vepër të dobishme për disa arsye: së pari, për të gjithë besimtarët myslimanë, sepse pasja e një shtëpie të madhe të Zotit, për të ofruar shërbesat, jo vetëm në ditën e xhumasë, por edhe në ditët e tjera të veçanta, apo për të pasur një qendër kulturore, aktivitete të tjera të komunitetit, si ato që kanë të bëjnë me doktrinën fetare, me ndihmën dhe solidaritetin në komunitet, i sjell Tiranës një stoli”, – tha Veliaj.

Për kryebashkiakun, ndërtimi i xhamisë është një e mirë edhe për qytetarët apo turistët e huaj, të cilët brenda 1 km2 mund të vizitojnë tempujt fetarë të myslimanëve, orthodhoksëve dhe katolikëve.

Në 1 km2 kemi të gjitha shtëpitë e besimit, si atë të vëllezërve myslimanë, të atyre ortodoksë dhe atyre katolikë, ku mjafton të shikosh nga parvazi i Xhamisë së Namazgjasë dy majat e objekteve të tjera të kultit. Do të thotë se edhe për një turist që është i tërhequr nga Shqipëria për turizmin fetar, për vëllazërinë religjioze që kemi me njëri-tjetrin, e ka kollaj, sepse brenda Unazës së Vogël mund t’i shohë të tre këta tempuj”, – u shpreh kreu i bashkisë së kryeqytetit.

Ai nënvizoi se po kaq me vlerë është edhe dobia urbanistike që sjell ky tempull besimi. “Jo vetëm që kemi punuar me cilësi, por një pjesë masive e financave ka shkuar në komunitet, për punëtorët, për materialet e ndërtimit, ama edhe për shumë punishte nga qytete të tjera, në të cilat mjeshtër dhe mjeshtëri që ndoshta ishin harruar nga koha, janë zhdërvjelltësuar falë punimeve. Do të hyjmë mandej, në fazën tjetër, ku do të vijojnë kaligrafët dhe punonjësit tjerë artistikë, që pas punës masive industriale, të vijojë puna artistike dhe Bajrami tjetër të na gjejë me xhaminë e Namazgjasë”, deklaroi Veliaj.

Kryebashkiaku tha se “…U jam shumë mirënjohës inxhinierëve, punëtorëve, supervizorëve, kontraktorëve që kanë ecur me ritme të jashtëzakonshme dhe mezi pres që Bajramin tjetër të kemi një xhami të re dhe më në fund të gjithë besimtarët e Tiranës të kenë shtëpinë e tyre dinjitoze, të bollshme dhe një stoli për qytetin tonë…”, – përfundoi ai.

Punimet në xhaminë e Namazgjasë janë në fazën e tyre përmbyllëse të rifiniturave, instalimeve elektrike, mekanike, si edhe veshjes me gurë, të cilat pritet të mbyllen brenda 2 muajsh. Ndërsa, një grup që do të vijë nga Turqia do të kryejë dhe punimet e kaligrafisë, të vizatimeve dhe punimet e allçisë, për t’i dhënë kështu dorën e fundit shtëpisë së re të besimtarëve myslimanë.



Lajme të ngjashme