Kosova bëhet me festival ndërkombëtar të muzikës, “Sunny Hill”

“Sunny Hill” e kanë emërtuar festivalin yjet e muzikës botërore që kanë dalë nga Kosova me qëllim për ta promovuar vendlindjen e tyre në arenën ndërkombëtare të festivaleve.

Kosova bëhet me festival ndërkombëtar të muzikës, “Sunny Hill”
Kosova_Suny Hill uluslararası müzik festivali.jpg
Kosova Cumhurbaşkanı Hashim Thaçi.jpg
Kosova_gençler_AB.jpg
Hivzi Islami.jpg
Zambaku i Prizrenit_Prizran Zambak'ı festivali.jpg

Në parkun Gërmia të Prishtinës, është mbajtur festivali tre-ditor “Sunny Hill”, ku performuan yjet e muzikës botërore dhe vendore. Në mesin e tyre ka kënduar edhe këngëtarja shqiptare me famë botërore Dua Lipa.

Këngëtarja Dua Lipa ka folur para fillimit të festivalit, në një konferencë për media, së bashku me babain e saj, Dukagjin Lipa. Ajo tha se ndihet mirë që mund ti bëjë krenarë njerëzit e vendit të saj. 

“Besoj që mjaft gjëra kam për të arritur, sepse jam vetëm në fillim të karrierës. Mendoj se jam me shumë fat për këto mundësi që i kam në muzikë. Dua vetëm t’i bëjë krenar njerëzit e vendit tim me këtë çka jam duke bërë”, ka thënë Dua.

E babai i Dua’s, njëherit organizatori i festivalit Sunny Hill Dukagjin Lipa, tha se ky festival i  është më i madhi në jug-lindje të Evropës dhe do të jetë i përvitshëm duke u bërë i njohur në gjithë botën. 

“Jemi një ndër festivalet më të mëdha në Evropën Juglindore, kështu që me një krenari dhe pa modesti jena tu e bo një farë pune e cila do të na qet në hartën kulturore të Evropës”

Ndërsa, ashtu siç kishin premtuar babë e bijë me një çek prej 100 mijë eurove ndan donacionet për OJQ të ndryshme. Përveç Dua Lipës, në këtë festival performuan edhe artistë tjerë ndërkombëtarë dhe vendorë.

*** 

Arrestohet dhe më pas lirohet reperi Bronson

Gjatë festivalit Sunny Hill, është arrestuar njëri ndër tre performuesit kryesorë, reperi me prejardhje shqiptare, Action Bronson, të cilin policia e Kosovës e arrestoi për shkak të ndezjes së marihuanës në skenë. Mirëpo ai më pas është liruar dhe sipas kryeprokurorit të Prishtinës, Ymer Beka, është konfirmuar nga hetimet se reperi Bronson nuk kishte konsumuar narkotikë natën kur ishte shoqëruar në polici.

***

Thaçi kërkon bashkim politik për bashkim me Luginën 

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi përmes një postimi në Facebook ka falënderuar të gjithë liderët dhe qytetarët e Luginës së Preshevës që po përkrahin arritjen e qëllimeve të përbashkëta për bashkimin e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës me Kosovën, në kuadër të korrigjimit të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai u ka bërë thirrje liderëve politik në Kosovë që të bashkohen rreth këtij qëllimi të përbashkët.

“Kjo e drejtë duhet të na bashkojë pa dallime partiake, ideologjike dhe bindjesh tjera, qoftë nga pozita institucionale, e shoqërisë civile apo e opozitës”, ka shkruar Thaçi.

***

Të rinjtë i duan që BE ti ketë dyert e hapura

Të rinjtë kosovarë duhet t’i kenë dyert e hapura për në Bashkimin Europian, është mesazhi që është dhënë të dielën gjatë aktiviteteve për nder të Ditës Ndërkombëtare të Rinisë.

Kryeministri, Ramush Haradinaj, ka uruar të rinjtë e Kosovës, për nder të kësaj dite.

“Historikisht të rinjtë tanë ia kanë dalë në sfida dhe etapa të shtet-ndërtimit dhe tani Kosovës më shumë se kurrë i duhet kontributi i rinisë në fusha e procese të rëndësishme të vendit”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

E aktivitetet e shumta në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, i ka hapur ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, bashkë me disa shoqata. Në qendër të Prishtinës, është organizuar instalacioni dhe performanca artistike ku është kompletuar flamuri i BE-së, me mesazhin që Kosova është gati për liberalizimin e vizave. Ministri i Rinisë, Kujtim Gashi, tha se të rinjtë kosovarë duhet t’i kenë dyert e hapura për në BE.

“Jam shumë i bindur që ky aktivitet koincidon edhe me kriteret dhe ato që shteti i Kosovës i ka plotësuar kushtet për t’i pasur dyert hapur në Bashkimin Evropian. Besoj që ky vit të jetë viti kur të rinjtë e Republikës së Kosovës që padrejtësisht kanë pasur probleme me lëvizjen e lirë, të jenë të lirë, të barabartë me të gjithë të rinjtë e Evropës”.

Në një aktivitet tjetër ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, tha se të rinjtë e meritojnë lëvizjen e lirë.

“Liberalizimi i vizave do t’i hapë dyert e së ardhmes”, është shprehur ministrja Hoxha.

***

Kosova s’po mund të bëhet pjesë e Kartonit të Gjelbër, shkak i OKB-së 

Mos anëtarësimi në OKB është barrierë kryesore në anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Byrove në Bruksel, e cila do ta bënte Kosovën pjesë të kartonit të Gjelbër. Kështu është thënë në një konferencë për media nga drejtues të Byrosë Kosovare e Sigurimeve.

Edhe pse Byroja Kosovare e Sigurimit ka plotësuar të gjitha kushtet që në fillim u ishin kërkuar nga Këshilli i Byrove në Bruksel, megjithatë në fund iu është vendosur një kusht shtesë, ka thënë drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimit, Blerim Pushkolli. E ai është anëtarësimi i Kosovës në OKB. Pushkolli po ashtu njoftoi se ditë më parë, Shoqata e anëtarëve në Austri ka refuzuar të marrë përsipër si mundësi alternative mbulueshmërinë me sigurim të Kosovës. Ai po ashtu tha se asnjë karton i gjelbër i asnjë shteti nuk vlen në Kosovë, përveç kartonit të gjelbër të Shqipërisë, Maqedonisë dhe Serbisë.

***

TPL do të vlejë edhe për Malin e Zi

Drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimit, Blerim Pushkolli ka paralajmëruar që deri në fund të vitit sigurimi TPL që vlen për makinat kosovare në Serbi e Maqedoni, të vlejë edhe për Mal të Zi. Pushkolli tha se janë duke punuar në këtë drejtim në kontakt me autoritetet malazeze.

Ai po ashtu ka treguar se të gjithë bashkatdhetarët tanë që jetojnë jashtë Kosovës dhe shtetasit e huaj që udhëtojnë për në Kosovë me targa të huaja, nga 17 Maj i këtij viti, mund ta blejnë Online policën e Sigurimit Kufitar për automjetet e tyre. Drejtori i Byrosë Pushkolli potencoi si shumë shqetësues numrin e madh të veturave të pasiguruara që qarkullojnë në trafik. Për këtë arsye ai ka kërkuar nga policia që ti konfiskojë ato vetura.

Shefi i Sigurimeve të Kosovës, Blerim Pushkolli po ashtu kërkoi që tatimi në të hyra prej 5% për kompanitë e sigurimeve të zëvendësohet me tatimin në Korporata prej 10%. Po ashtu u kërkua të shfuqizohet neni i padrejtë sipas tyre, që Kompanitë e sigurimit të detyrueshëm të automjeteve t’i paguajnë Kryqit të Kuq një (1) për qind nga bruto primi i vlerës së sigurimit të automjetit.

***

Ish-kryetarit të Akademisë së Shkencave i ndalohet hyrja në vendlindje në Serbi

Për të dytën herë i është ndaluar hyrja në Serbi, ish-kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Hivzi Islamit, i cili të shtunën po shkonte për vizitë familjare në vendlindje, Bujanoc. Për këtë shkak, Kosova ka paralajmëruar masa reciprociteti ndaj Serbisë. Ministria e Punëve të Jashtme ka reaguar duke thënë se do të rishqyrtojë qasjen pozitive ndaj kërkesave për vizita nga autoritetet e Serbisë në Kosovë dhe do të veprojë në bazë të parimit të reciprocitetit, nëse raste si ky përsëriten në vazhdimësi.

Ky rast, por edhe rastet tjera të ndalimit, sipas MPJ-së, janë kundërshtim të plotë me Marrëveshjen e Brukselit, zotimin deklarativ të shtetit fqinj, Serbisë, për normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes dy shteteve dhe një shkelje e sistematike e njërës prej të drejtave fundamentale të Bashkimit Evropian.

Andaj, MPJ u bën thirrje autoriteteve serbe që t’i ndërpresin menjëherë veprimet dhe sjelljet e tilla ndaj shtetaseve të Kosovës dhe paralelisht me këtë, u bën thirrje edhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian që të dalin në mbrojtje të njërit prej parimeve themelore, në bazë të së cilit është themeluar edhe vet BE-ja.
***

Arrestohet një tjetër shqiptar nga Kosova në Serbi 

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, nëpërmes Zyrës Ndërlidhëse të saj në Beograd, ka konfirmuar edhe një rast tjetër të ndalimit dhe arrestimit të një bashkëkombësi, përderisa ai ka qenë duke kaluar nëpër territorin e Serbisë. Në komunikatën e lëshuar për media nga kjo ministri thuhet se sipas informacioneve të para të Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, personi në fjalë është ndaluar për veprat penale, që janë në kundërshtim me Ligjin penal të ish-RSJ-së, i dyshuar për veprën penale për terrorizëm, aktakuzë kjo e ngjashme si edhe për raste të tjera ndaj shtetasve të Kosovës që nga periudha e luftës. Për Ministrinë e Punëve të Jashtme, ndalimet dhe arrestimet e vazhdueshme të shtetasve të Kosovës nga Serbia mund të vlerësohen si një gjueti shtrigash nga autoritetet e këtij shteti dhe praktika të politikave të Millosheviqit, thuhet në reagim.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës i bën thirrje Serbisë që urgjentisht të ndalë keqtrajtimet, maltretimet dhe shkeljet sistematike të të drejtave të njeriut ndaj shtetasve kosovarë, që në kohën e pushimeve po e shfrytëzojnë atë shtet si rrugë transite. Kjo ministri, edhe njëherë thërret Bashkimin Evropian, shtetet e Quintit dhe komunitetin ndërkombëtarë që urgjentisht t’i tërheqin vërejtjen Serbisë ndaj sjelljeve të tilla dhe kërkon me ngulm lirimin e menjëhershëm të mërgimtarit që u arrestua dje në pikë kalimin kufitar te Dheu i Bardhë.

Në Obiliq të gjitha dokumentet në një vend

U përurua ndërtesa e re e Qendrës për Pajisje me dokumente të gjendjes civile në Obiliq. Ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, tha se qytetaret aty do mund të pajisen me të gjitha dokumentet e nevojshme, përkatësisht me dokumente që lëshohen nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe ato komunale. Ministri Gashi gjatë përurimit tha se ky projekt është i pari i tillë në vend.

Për projektin foli edhe kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, i cili tha se ndjehet me fat që ky projekt, i cili ishte shumë i nevojshëm u realizua në komunën që ai drejton.

Ndërtimi i objektit, filloi vitin e kaluar dhe ka kushtuar 270 mijë euro.

Nëse tregohet i suksesshëm, qendrat e tilla planifikohen të hapen edhe në Komuna tjera të Kosovës.

***

AKP miraton transferimin e miliona eurove në buxhetin e Kosovës 

Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) mbajti një mbledhje urgjente me ç’rast, sipas kumtesës për media, miratoi transferimin e 44 milionë eurove në fondin e konsoliduar të Republikës së Kosovës. Në këtë mbledhje Bordi i Drejtorëve gjithashtu miratoi edhe transaksionet e Shitjes së Aseteve me Likuidim.

Veç kësaj u diskutua dhe u miratua Memorandumi i Mirëkuptimit në mes Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë dhe Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike.

***

“Zambaku i Prizrenit” nuk mbahet, AAK kërkon llogari

Dega e AAK-së në Prizren përmes 16 nënshkrimeve të mbledhura ka kërkuar mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal, duke kërkuar debat për mos mbajtjen e Festivalit “Zambaku i Prizrenit”.

“Në bazë të nenit 44, Pika 1 dhe Pika 2 e Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, si dhe nenit 30 të Statutit të Komunës së Prizrenit, me iniciativën e Grupit Parlamentar të AAK-së dhe përmes nënshkrimeve të anëtarëve të Kuvendit të Komunës së Prizrenit kërkojmë nga kryesuesi ta thërrasë mbledhjen e jashtëzakonshme me këtë rend dite: “Debat për mosmbajtjen e Festivalit “Zambaku i Prizrenit”, thuhet në njoftim.

-Përgatiti për TRT Shqip, Muharrem SARAGJOLLI-



Lajme të ngjashme