Vazhdojnë reagimet nga Mali i Zi për deklaratën e Trump

“Jemi shumë vend i vogël për të nxitur Luftën e Tretë Botërore”,- ka thënë ministri i Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Srgjan Darmanoviq në lidhje me deklaratën e Presidentit të Shteteve te Bashkuara të Amerikës (ShBA) Donald Trump dhënë kanalit televizi

Donald Trump_Karadağ.jpg
Karadağ NATO.jpeg
Karadağ Yunus Emre_Cetinje faaliyet.jpg
Türkiye ve Karadağ bayrakları.jpg
Karadağ Yunus Emre_Budva konser.jpg
Karadağ_Şiir Festivali_Kalimera Poetike në Ulqin.jpg

Gjatë ditëve te fundit shtypi në Mal të Zi ka sjellë deklaratën e Presidentit të Shteteve te Bashkuara të Amerikës (ShBA) Donald Trump dhënë kanalit televiziv amerikan FOX NEWS dhe reagimet e shumta rreth kësaj deklarate nga zyrtarë të lartë të Malit të Zi, qeverisë, analistë, gazetarë të çështjeve politike, por dhe liderë botërorë. Kujtojmë që gjatë kësaj interviste Presidenti amerikan la të kuptohet “njerëzit shumë agresivë të Malit të Zi mund të bëhen shkak i Luftës së Tretë Botërore”. Qeveria e Malit të Zi thotë se Mali i Zi së bashku me ushtarët amerikanë në Afganistan i kontribuojnë paqes dhe stabilitetit, jo vetëm në kontinentin Evropian, por edhe në mbarë botën. Nga ana tjetër shefi i diplomacisë malazeze Srgjan Darmanoviq thotë se nuk kemi asnjë qëllim që të nisim Luftën e Tretë Botërore. Jemi shumë të vegjël për të bërë një gjë të tillë ka nënvizuar ai. Pas kësaj deklarate dhe jehonës së saj në media, shtëpi të shumta mediatike botërore kanë dërguar reporterët e tyre luftarakë në Mal të Zi, të cilët janë bindur fare në të kundërtën e deklaratës së Z. Trump. Ata kanë vizituar qytetet bregdetare duke sjellë intervista me turistë të vendeve të ndryshme dhe banorë autoktonë, të cilët kanë dëshmuar se Mali i Zi vazhdon të ecë rrugës së integrimeve evropiane dhe t’i kontribuojë paqes në rajon. Intervista e Presidentit të ShBA, Donal Trump erdhi menjëherë pas takimit që ai pati me Presidentin e Rusisë Vladimir Putin në Helsinki. Dihet që Rusia nuk e ka mirëpritur anëtarësimin e Malit të Zi në NATO në vitin 2017-të, andaj dhe marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve janë të tensionuara. 

                                                                               ***

-Mali i Zi dhe Italia vërtetojnë marrëdhëniet e mira fqinjësore 

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq zhvilloi vizitën e tij të parë zyrtare në Itali pas zgjedhjes në postin e Presidentit. Vizita zyrtare në Romë u realizua me ftesë të Presidentit italian Sergio Matareli. Ky i fundit ka vlerësuar së Mali i Zi ka rol të rëndësishëm në ruajtjen, promovimin, stabilitetin dhe avancimin e rajonit. Vizita e Gjukanoviqit në Itali është tregues i vlerësimit të ndërsjellët të dy vendeve fqinje. Presidenti italian ka theksuar se Italia fuqishëm përkrah politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian (BE) dhe ka shprehur bindjen se Evropa nuk mund të jetë e kompletuar pa prezencën e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ndërkaq Presidenti Gjukanoviq ka thënë se dy vendet fqinje po avancojnë marrëdhëniet e tyre mbi themelet e miqësisë shekullore. Njëkohësisht Gjukanoviq i ka shprehur falënderime Italisë për përkrahjen e vazhdueshme. Përndryshe marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve janë vlerësuar lartë ashtu dhe bashkëpunimi në planin ekonomik veçmas në fushën e energjetikës. Të dy presidentët kanë ndarë mendimin se ende ekziston hapësirë për bashkëpunim në fushën e kulturës, mbrojtjes së mjedisit dhe arsimit veçmas nëpërmjet programeve të shkëmbimit dhe mësimit të gjuhës italiane, e cila tradicionalisht është e pranishme në Mal të Zi.

                                                                          ***

-U mbajt manifestimi tradicional “Vera në Krajë” 

Në Krajë u mbajt manifestimi gjithëpopullor “Vera në Krajë”. Ky ishte edicioni i 26-të me radhë i këtij aktiviteti, që edhe këtë vit tuboi një numër të madh të banorëve të kësaj treve të banuar me shqiptarë në Mal të Zi. Në aktivitete morën pjesë edhe shumë mysafirë nga Tivari, Ana e Malit, Ulqini, Tuzi, Kosova e veçmas nga qyteti i Shkodrës. Organizatori i këtij aktiviteti jo më kot thotë që manifestimi të mbahet në muajin korrin, kur dihet që në këtë kohë në Krajë vijnë shumica e bashkatdhetarëve që punojnë dhe jetojnë në vende të ndryshme të botës. Edhe këtë vit u prezantuan këngëtarë vendas, u lexuan mjaft poezi, por dhe u bë promovimi i prodhimeve bujqësore e ushqimore të kësaj treve.         

                                                                       ***

-Kalimera poetike këtë vit me emra të njohur të letërsisë dhe kulturës shqiptare

Në Kalanë e Ulqinit këtë fundjavë në kuadër të Festivalit “Skena Verore Ulqini 2018-të” do të mbahet edicioni i 26-të i “ Kalimerës Poetike”, që nga ky vit do të mbajë emrin e poetit dhe studiuesit nga Ulqini Basri Çapriqi i cili para ca muajsh u nda nga jeta. Mbrëmja e parë pikërisht do të jetë mbrëmje homazhi kushtuar veprimtarisë së poetit Çapriqi. Për opusin e tij krijues do të flasë akademiku Ali Aliu – studiues i letërsisë, Haxhi Shabani dhe Sadik Bejko. Mbrëmja e dytë e Kalimerës Poetike do të jetë takimi me poeten dhe skenaristen nga Shqipëria Natasha Lako, ku për krijimtarinë e saj do te flasë studiuesi i letërsisë Arian Leka. Ndërkaq mbrëmja autoriale për poetin Selajdin Saliu do te mbyllë Kalimerën poetike të vitin 2018-të në Ulqin.

                                                                    ***

-Mbi 50 botues do të ekspozojnë në panairin tradicional të librit në Ulqin

Panairi i 18-të i Librit “Ulqini 2018”, aktivitet ky i cili organizohet nën kujdesin e Komunës së Ulqinit dhe falë bashkëpunimit të Institutit të Librit dhe të Promocionit me Organizatën Turistike të Ulqinit dhe me Qendrën për Kulturë të Ulqinit, do të mbahet nga data 3 deri më 8 gusht në shëtitoren e Plazhit të Vogël. Panairi i sivjetshëm realizon vazhdimësinë e traditës së organizimit të kësaj veprimtarie që pritet me shumë interes nga qytetarët e Ulqinit dhe pushuesit, të cilët e kanë shumëfishuar numrin e banorëve të Ulqinit gjatë këtij sezoni. Veç librave nga Shqipëria, Kosova e Shkupi, do të ekspozohen libra e do të marrin pjesë botues edhe nga Mali i Zi e pakicat e tjera kombëtare të kësaj republike. Do të jenë ata që përfaqësohen vazhdimisht në veprimtari të tilla me karakter kulturor kombëtar, që vijnë nga e gjithë hapësira shqiptare e rajonit tonë dhe që janë nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të botimeve shqiptare pas viteve ’90. Rreth 50 botues do të jenë të pranishëm gjatë ditëve të Panairit, ose do të dërgojnë botimet e tyre më të mira të përfaqësuara nëpërmjet agjencive të shpërndarjes së librit.

                                                                           ***

-Dy aktivitete të rëndësishme kulturore nga Instituti “Yunus Emre” në Podgoricë 

Instituti “Yunus Emre” në Podgoricë në bashkëpunim me ambasadën e Turqisë në Mal të Zi, Ministrisë e Turizmit të Turqisë do të organizojnë dy aktivitete të rëndësishme kulturore, që do të mbahen në metropolin e turizmit Budvë dhe në kryeqytetin historik të Malit të Zi, Cetinjë. Para kalasë së vjetër në Budvë do të mbahet “Karvani ballkanik”, ku do të prezantohet arti tradicional dhe vlerat e kulturës turke. Ndërkaq në Cetinjë është paraparë të organizohet koncerti i “Orkestrës Kamertale të të Rinjve TURKSOY”. Ky koncert organizohet në kuadër të Festivalit “ESPRESSIVO 2018”. Të pranishëm në këtë mbrëmje do të jenë Bojan Martinoviq dekan i akademisë së muzikës, shkëlqesia e tij Ambasadori i Republikës së Turqisë Serhat Galip, prof. dr. Sheref Atesh kryetar i Institutit “Yunus Emre” si dhe sekretari i përgjithshëm i TURKSOY, Dusen Kaseinov.

-Përgatiti për Zërin e Turqisë nga Mali i Zi, Vera ALIBEGU KATANA



Lajme të ngjashme