Mali i Zi dhe Turqia bashkëpunim në të gjitha fushat

Nënkryetari i qeverisë së Malit të Zi, Milutin Simoviç, takohet me Presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan. Vërtetohen edhe një herë raportet e shkëlqyera midis dy vendve mike...

1015964
Mali i Zi dhe Turqia bashkëpunim në të gjitha fushat
Türkiye ve Karadağ bayrakları.jpg
Tika Podgoricë Podgorica.jpg
Foto 1- storia e gjashtë - ekspozita e piktorëve në Kala.jpg
Foto 1- storia e katërt - delegacioni i Decanit në Ulqin.jpg
Foto 1- storia e pestë- Plazhet e Ulqinit turizmi.jpg
Foto 1- storia e trete - Sadik Striniq -mjeku i parë në Mal të Zi i diplomuar në Stamboll.jpg

Shtypi në Mal të Zi i kushton vëmendje të veçantë prezencës së nënkryetarit të Qeverisë dhe Ministrit të Bujqësisë, Milutin Simoviç, në ceremoninë e dhënies së betimit të Presidentit të Turqisë,  Recep Tayyip Erdogan dhe takimeve që ai ka pasur me afaristët në Turqi. Mësojmë se z. Simoviç u ka bërë thirrje investitorëve që të orientohen në tregun e Malit të Zi dhe të shfrytëzojnë të gjitha përparësitë që Mali i Zi u ofron atyre. Në takimin që Simoviçi pati me Presidentin Erdogan thuhet se ai ka shprehur bindjen që Kabineti i ri turk do të udhëheq Turqinë në drejtim të zhvillimit të mëtejmë, përparimit dhe stabilitetit.  Ai ka nënvizuar edhe me këtë rast se Mali i Zi do të jetë mik i sinqertë i Republikës së Turqisë dhe do t’i kontribuojë bashkëpunimit të mëtejshëm të dy vendeve. Nga ana tjetër, Presidenti Erdogan ka falënderuar Simoviçin për pjesëmarrjen e tij në inaugurim që ka dëshmuar respektin që Mali i Zi tregon ndaj Turqisë. Thuhet se Presidenti Erdogan edhe një herë ka vërtetuar gatishmërinë e vendit të tij për vazhdimin e këtij bashkëpunimi të sinqertë në interes të dy vendeve. Nënkryetari i Qeverisë së Malit të Zi ka pasur edhe një sërë takimesh me zyrtarë të tjerë të Turqisë dhe afaristë. Në takimin që ai pati me Kryetarin e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), z. Serdar Çam, ai ka shprehur falënderimet për projektet e shumta që TIKA ka realizuar dhe po realizon në Mal të Zi. Z. Çam me këtë rast ka thëne se ky bashkëpunim do të vazhdojë dhe do të intensifikohet më shumë në të ardhmen.  Simoviçi veçon takimin që ka pasur edhe me z Fuad Tosyali, pronarin e kompanisë “Tosyali”, respektivisht të uzinës së shkrirjes së çelikut në Nikshiq, ku është theksuar avancimi i marrëdhënieve veçmas në fushën ekonomike ndërmjet Malit të Zi dhe Turqisë.

Aktivitete të dendura të institucioneve turke në Mal të Zi

Ambasada e Republikës së Turqisë në Mal të Zi, TIKA dhe Instituti “Yunus Emre” në Podgoricë kanë paralajmëruar aktivitete të ndryshme gjatë stinës së verë. Pikërisht këto ditë TIKA në bashkëpunim me Drejtoritë e Policisë së Malit të Zi organizoi seminarin edukativ në temën “Teknikat e hetimeve për krimet e trafikimit të qenieve njerëzore”. Për këtë seminar u tregua interesim i madh i të dyja palëve, ndërkohë që ai u përcoll nga 18 vijues të shërbimeve të ndryshme policore.  

Me një film dokumentar kujtohet mjeku i parë mysliman në Mal të Zi

Ambasada e Turqisë në Podgoricë ka paralajmëruar shfaqjen e një filmi dokumentar dedikuar mjekut të parë mysliman në Mal të Zi, Sadik Striniç, i diplomuar në Stamboll. Dr. Striniçi ishte personalitet i cili ka luajtur një rol të rëndësishëm në avancimin e mjekësisë në Mal të Zi në vitet 1900 të shekullit të kaluar. Ai është diplomuar për mjekësi në Stamboll, ndërkaq në Mal të Zi thuhet se ka shërbyer si mjek personal i Mbretit Nikolla. I njëjti, në vitin 1916 është shpërngulur në Shkodër dhe ka shërbyet atje në avancimin e fushës së mjekësisë, ku emri i tij është shënuar me shkronja floriri.

Delegacioni i komunës së Deçanit viziton qytetin e Ulqinit

Kryetari i Komunës së Ulqinit, Loro Nrekiç dhe bashkëpunëtoret e tij pritën delegacionin e Komunës së Deçanit, të kryesuar nga kryetari i saj, Bashkim Ramosaj. Komuna e Ulqinit ka vite që është binjakëzuar me Komunën e Deçanit dhe urat e bashkëpunimit janë vënë në disa sektorë. Edhe në këtë takim palët u dakorduan që ky bashkëpunim duhet avancuar, veçmas në sektorë si turizmi veror dhe ai dimëror, në shkëmbimin e përvojave, por vëmendje e veçantë i duhet kushtuar edhe bashkëpunimit në fushën e kulturës. Po ashtu në takim u tha se ka vend për bashkëpunim në hartimin e projekteve të përbashkëta që mbështeten nga Bashkimi Evropian. Mysafirët e shoqëruar nga zyrtarët komunalë, gjatë qëndrimit në Ulqin vizituan objektet e rëndësishme kulturore të qytetit, ndërkohë që delegacioni i Ulqinit, i kryesuar nga kryetari, vizitën kthyese do ta ketë në Deçan më 20 korrik, datë kur organizohet Panairi Tradicional i Deçanit.

Turistët nga Kosova dhe diaspora kosovare mbajnë gjallë turizmin e Ulqinit

Bregdeti i Ulqinit tashmë ka hyrë në vlugun e sezonit turistik, i cili sjell në këtë qytet turistë nga rajoni dhe Evropa. Organizata Turistike e Ulqinit njofton se në hotele janë duke pushuar 4.100 turistë, në kampe 478, ndërkaq në sektorin privat të regjistruar janë 16.699 turistë. Gjykuar nga frekuentimi i rrugëve dhe plazheve dhe radhët e gjata të automjeteve, kjo shifër duhet te jetë dy apo tre herë më e lartë. Andaj strukturat udhëheqëse komunale kanë paralajmëruar masa shtesë dhe i tërheqin vëmendjen qiradhënësve që të regjistrojnë mysafirët dhe të paguajnë taksën e banimit. Të kënaqur me numrin e turistëve tregohen edhe pronarët menaxherë të plazheve të Ulqinit. Njëri prej tyre është edhe pronari i plazhit “Saranda” në Ulqin, Dali Truma. Ai për “Zërin e Turqisë” thotë se këtë vit mund të flasim për një sezon më të suksesshëm dhe më cilësor se vitet e tjera. Z. Truma thotë po ashtu se Kosova dhe diaspora kosovare si gjithnjë e mban gjallë turizmin e Ulqinit. Përndryshe plazhet e Ulqinit janë të njohura për një turizëm të zhvilluar, ku vija bregdetare konsiderohet si zona me potencial më të lartë turistik në Adriatik.

Në Ulqin fillon Festivali Tradicional “Skena Verore Ulqini 2018”

Gjatë stinës së verës, qytetet bregdetare në Mal të Zi organizojnë aktivitete të shumta kulturore. Kështu ndodh edhe me qytetin e Ulqinit, ku Kalaja shekullore bëhet pikë takimi e artistëve dhe krijuesve jo vetëm nga Mali i Zi, por edhe nga rajoni e më gjerë. Në Sheshin “Cervantes” të Kalasë u hap ekspozita e piktorëve vendas, ku disa artistë të shkollave të ndryshme të artit publikuan punimet e tyre. Ky aktivitet u përcoll jo vetëm nga adhurues vendas, por edhe mysafirë të shumtë. Në Kala po ashtu u hap të enjten sipari i Festivalit Tradicional Veror, “Skena Verore Ulqini 2018”, i cili këtë vit shënon 30-vjetorin e themelimit.  Festivali është aktiviteti më i larmishëm në kalendarin kulturor të Ulqinit, i cili përcjell vlerat tek spektatorët dhe turistët. Në skenën e Festivalit bëhet shkëmbimi ndërmjet kulturave dhe traditave e kjo është fytyra e vërtetë e qytetit multikulturor. Në skenën e Festivalit shpeshherë janë prezantuar edhe artisët nga Turqia.

 

Për Zërin e Turqisë nga Mali i Zi – përgatiti Vera Alibegu Katana



Lajme të ngjashme