Takimi Haradinaj-Marocco: Kosova e përkushtuar për paqen e qëndrueshme në vend dhe rajon

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është takuar të hënën me zëvendësndihmëssekretarin amerikan të Shtetit për Çështjen e Parandalimit të Konflikteve, Pete Marocco...

Takimi Haradinaj-Marocco: Kosova e përkushtuar për paqen e qëndrueshme në vend dhe rajon

“Mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në proceset nëpër të cilat po kalon vendi, liberalizimin e vizave, finalizimin e dialogut me Serbinë dhe anëtarësimin në BE dhe NATO, është jetike për Kosovën dhe qytetarët e saj”. Kështu tha Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë takimit me zëvendësndihmëssekretarin amerikan të Shtetit për Çështjen e Parandalimit të Konflikteve, Pete Marocco.

Në këtë takim, ku i pranishëm ishte edhe ambasadori amerikan, Greg Delawie, Kryeministri Haradinaj e ka njohur zëvendësndihmëssekretarin Marocco me arritjet e Kosovës në fushën e sundimit të ligjit, zhvillimin ekonomik, parandalimin e ekstremizmit dhe radikalizmit ekstrem duke theksuar përkushtimin e qeverisë për paqen e qëndrueshme në vend dhe rajon.

“Kosova ka dëshmuar përkushtimin e saj që të parandalojë dhe luftojë ekstremizmin në vend dhe ky angazhim do të vazhdojë”, ka thënë Kryeministri Haradinaj duke konfirmuar vizionin euroatlantik të Kosovës.

Ai ka thënë se anëtarësimi në Interpol do të ndihmojë jo vetëm Kosovën, por njëherësh rajonin dhe BE-në në fuqizimin e sigurisë dhe se për këtë është e nevojshme edhe ndihma e SHBA-së.

Shefi i Prishtinës zyrtare e ka falënderuar zyrtarin e lartë amerikan për ndihmën e vazhdueshme të SHBA-së, dhënë Kosovës në të gjitha etapat e shtetndërtimit.

Pete Marocco, nga ana e tij vlerësoi arritjet në Kosovë duke theksuar përkushtimin e SHBA-së për të ndihmuar Kosovën në të gjitha proceset e rëndësishme për vendin dhe çmoi angazhimin konkret të Kosovës në luftimin e ekstremizmit dhe terrorizmit.



Lajme të ngjashme