Markoviç-Rama në Shkodër – Vërtetim i miqësisë dhe lidhjeve të mira të dy shteteve e popujve

Në Mal të Zi po i kushtohet vëmendje të veçante takimit të dy qeverive, Malit të Zi dhe Shqipërisë, zhvilluar në qytetin e Shkodrës, fjalës së Kryeministrit Dushko Markoviç dhe Kryeministrit shqiptar, Edi Rama, si dhe marrëveshjeve të nënshkruara...

Markoviç-Rama në Shkodër – Vërtetim i miqësisë dhe lidhjeve të mira të dy shteteve e popujve

Në Mal të Zi po i kushtohet vëmendje të veçantë takimit të dy qeverive, Malit të Zi dhe Shqipërisë, zhvilluar në qytetin e Shkodrës. Vend i veçantë iu kushtua fjalës së Kryeministrit Dushko Markoviç dhe Kryeministrit shqiptar, Edi Rama,si dhe marrëveshjeve të nënshkruara. Të dy kryeministrat kanë nënvizuar që dy vendet i kanë marrëdhëniet e shkëlqyera, por edhe mundësitë e shumta për fuqizimin e tyre në të ardhmen. Kryeministri i Malit te Zi, Dushko Markoviç, në takim ka veçuar se komunikimi i vazhdueshëm dhe cilësor ndërmjet dy vendeve do të rezultojë me nënshkrimin e  disa marrëveshjeve, si dhe me një marrëveshje mbi intensifikimin e bashkëpunimit në ato fusha ku ky bashkëpunim është i nevojshëm dhe i dobishëm, siç janë lufta kundër krimit ndërkufitar dhe kalimi i emigrantëve, shfrytëzimi i fondeve të Bashkimit Evropian për modernizimin e pikave të kalimit kufitar, fushat publike si arsimi, shkenca, turizmi e të tjera. Posaçërisht duhet të përpiqemi ka thënë Markoviç  që të avancojmë bashkëpunimin ekonomik midis Malit të Zi dhe Shqipërisë, posaçërisht duke marrë në konsideratë potencialin e madh në degët e shumta të ekonomisë, që mund të shfrytëzohen në mënyrë shumë më të mirë në periudhën e ardhshme. Afërsia gjeografike dhe struktura ekonomike e ngjashme mund t’i kontribuojnë shumë lidhshmërisë më të fuqishme të dy ekonomive tona dhe realizimit të papenguar të aktiviteteve në kuadër të projekteve të akorduara.  Forumi i biznesit, duhet të konkretizojë këto potenciale të shumta të bashkëpunimit. Prandaj është shumë me rëndësi të tregojmë vendosmëri në përmirësimin e treguesve ekonomikë dhe në inicimin e aktiviteteve për projekte të përbashkëta në fushën e infrastrukturës energjetike, si treguesve më të dukshëm të bashkëpunimit bilateral që deri tani nuk i kanë përcjellë marrëdhëniet e mira politike midis Malit të Zi dhe Shqipërisë. Jemi të vetëdijshëm që lidhjet e mira të komunikacionit rrugor janë kyç për plasmanin e të gjitha mallrave dhe shërbimeve, që prodhohen apo do të prodhohen në vendet e Ballkanit Perëndimor. Ndërsa lidhshmëria e mirë energjetike është e domosdoshme si për investimet e ardhshme në sektorin energjetik, ashtu dhe për qarkullimin e lirë të energjisë në rajonin tonë, prej të cilit çdo vend në veçanti do të vjelë përfitime të qarta financiare dhe strategjike. Sipas kryeministrit të Malit të Zi, hapja e pikës së kalimit kufitar Tuz-Baizë, modernizimi dhe zgjerimi i infrastrukturës në pikën kufitare Sukobinë-Muriqan do të krijonte mundësi për shfrytëzimin e kapaciteteve të plota për bashkëpunimin e dy ekonomive, valorizimin e potencialeve turistike të dy palëve, avancimin e shkëmbimit tregtar, por edhe shfrytëzimin shumë më të mirë të kapaciteteve të porteve tona. Kjo posaçërisht në kontekstin e aktualizimit të autostradës Adriatik – Jon që është me një rëndësi vitale për dy vendeve. Gjithashtu duhet punuar në avancimin e mëtejshëm të kuadrit, duke nënshkruara marrëveshje ndërshtetërore me të cilat në mënyrë ligjore do të rregulloheshin raportet e ujërave, valorizomi i potencialeve hidroenergjetikë, të fuqizohej bashkëpunimi në fushën e gjyqësorit, policisë dhe policisë kufitare. Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviç citohet të ketë thënë që, bashkërisht të punojmë për  përmbushjen e të gjitha atyre që do akordojmë sot, me qëllim që vitin e ardhshëm, në Mal të Zi të kemi mundësi që t’i verifikojmë e t’i analizojmë rezultatet e arritura gjatë mbledhjes së dytë të  përbashkët të qeverive të Malit të Zi dhe të Shqipërisë.

Mali i Zi synon që përmes zhvillimit të infrastrukturës të tërheqë më shumë turistë nga Kosova

Nënkryetari i Odës Ekonomike të Malit të Zi, Ivan Saveljiç, ka thënë se Mali Zi po investon në rregullim të infrastrukturës në mënyrë që të kenë më shumë turistë nga Kosova. “Mali i Zi synon që me zhvillimin e mëtutjeshëm të infrastrukturës, edhe rrugore, të ketë edhe më shumë turistë nga Kosova. Tradicionalisht turistët nga Kosova kanë qenë të mirëpritur në Mal të Zi dhe të inkorporuar mirë në ofertën turistike”, tha ai. Qëllimi kryesor i Odës Ekonomike të Malit të Zi është heqja e barrierave ekonomike me vendet e rajonit duke investuar në Infrastrukturë dhe në komunikim të ndërsjellët. “Sektori ku bashkëpunimi ynë është më i mirë me Kosovën është tregtia, gjithmonë, është në vend të parë.  Ne po mundohemi që nëpërmes zhvillimit të infrastrukturës dhe komunikim më të mirë, që është problem jo vetëm me Kosovën, por edhe me vendet e tjera në rajon, ta ndryshojmë këtë, duke ofruar shërbime dhe kushte më të mira. Kjo do të ishte në dobinë e të gjithëve”, tha ai. Ai theksoi se ndër barrierat kryesore që e karakterizon bashkëpunimin ekonomik me Kosovën, janë disa nga rregulloret e CEFTA-s. “Janë disa rregullore doganore, rregullore të CEFTA-s, për të cilat rëndom ka ankesa. Konsideroj se këto rregullore duhet të harmonizohen gjatë procesit të integrimit evropian të vendeve të rajonit”, ka thënë nënkryetari i Odës ekonomike të Malit të Zi, Ivan Saveljiç.

Miratohet raporti përfundimtar mbi gjendjen e të drejtave të njeriut në Mal të Zi

Ministri i të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Mehmet  Zenka, mori pjesë në sesionin e 38-të të Këshillit për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë, ku u miratua raporti përfundimtar mbi gjendjen e të drejtave të njeriut në Malin e Zi nën mekanizmin e përgjithshëm të shqyrtimit Periodik të Këshillit për të Drejtat e Njeriut. Raporti, i paraqitur me sukses në janar të këtij viti, dha një pasqyrë të përparimit, sfidave dhe angazhimeve të Malit të Zi në drejtim të forcimit të mëtejshëm të sistemit të mbrojtjes dhe respektimit të drejtave dhe lirive të njeriut. Pas një diskutimi interaktiv brenda prezantimit të përmendur, Mali i Zi mori gjithsej 169 rekomandime nga shtetet anëtare të OKB-së, prej të cilave ajo pranoi zbatimin 159. Ministri Zenka rishqyrtoi rekomandimet e pranuara dhe dha një përmbledhje të shkurtër të rezultateve në fushat në të cilat u fituan rekomandimet, përsëriti angazhimin e qartë të Malit të Zi ndaj vlerave më të larta të demokracisë dhe parimeve të përcaktuara në Kartën e OKB-së, Deklaratën Universale të  Drejtave të Njeriut dhe dokumentet ligjore ndërkombëtare në të drejtat e njeriut. Ai vuri në dukje se rekomandimet e pranuara Mali i Zi i sheh si një shtysë shtesë për përmirësimin e gjendjes së të drejtave të njeriut në vend dhe se do të vazhdojë të zbatojë masat dhe aktivitetet që do të sigurojnë efikasitetin e kornizës institucionale për të drejtat e njeriut dhe zbatimin e plotë të instrumenteve të ratifikuara ndërkombëtare dhe vendore. Zenka vuri në dukje se përpjekjet në fushat me interes do të intensifikohen në periudhën e ardhshme në përputhje me rekomandimet e marra. Në miratimin përfundimtar të raportit, morën pjesë përfaqësues të shteteve anëtare dhe organizatave joqeveritare. Vlerësohet qasja konstruktive ndaj mekanizmit UPR, dhe Mali i Zi u ftua të vazhdojë përpjekjet për të forcuar mbrojtjen, respektin dhe gëzimin e të drejtave të njeriut dhe për të përmbushur detyrimet ndërkombëtare në fushën e të drejtave të njeriut. Gjithashtu, përfaqësuesit e Shteteve Anëtare mirëpritën numrin e lartë të rekomandimeve të pranuara që u morën gjatë prezantimit të Raportit në janar. Përveç kësaj, janë përgëzuar përpjekjet në fushën e barazisë gjinore, fuqizimin ekonomik dhe politik të grave, luftën kundër dhunës në familje, mbrojtjen sociale të grupeve vulnerabël, pastaj në fushën e mbrojtjes së fëmijëve, personave me aftësi të kufizuara, luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe punën për forcimin e pavarësisë së gjyqësorit.

Duam të integrohemi në çdo institucion publik të Malit të Zi

Kryetari i posa zgjedhur i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, Faik Nika, në një intervistë për “Zërin e Turqisë” thotë se ka nisur takimet zyrtare dhe aktivitetet për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në Mal të Zi. Ai ndalet dhe flet për fushat ku do te fokusohen duke veçuar fillimisht atë të arsimit, që sipas tij është një ndër shtyllat kryesore të ruajtjes së identitetit kombëtar.

Ne kemi nisur disa projekte në fushën e arsimit në mal të Zi pasi kjo fushë është një ndër shtyllat kryesore të ruajtjes së identitetit të kombit shqiptar këtu në Mal të Zi. Fokusi ynë do të jetë në reformat në kurikulat  arsimore, do t’i përcjellim sipas marrëveshjeve dhe propozimeve që kemi bërë por edhe monitorimin e shkollave, kuadrit arsimorë dhe ç’do gjë tjetër që ka të bëjë me arsimin e shqiptarëve në Mal të Zi.

V. Katana: Z. Nika si do ta vlerësonit bashkëpunimin e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi me institucionet e shtetit, por edhe me asociacionet ndërkombëtare?

F. Nika: Me zgjedhjen time në krye të Këshillit, pasi edhe në përbërjen e kaluar isha në rolin e sekretarit, pak a shumë janë disa gjëra që shkojnë në vazhdimësi, mirëpo tani kam punuar një plan të punës lidhur me bashkëpunimet brenda Malit të Zi, pastaj edhe jashtë vendit. Kam parasysh këtu Shqipërinë dhe Kosovën, po ashtu edhe diasporën shqiptare në vende të ndryshme të botës. Aktualisht kontaktin e parë në rolin e kryetarit të Këshillit e kam pas me ministrin për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave, Mehmet Zenka . Sipas agjendës dhe planit të punës, do të vazhdoj edhe bashkëpunimin me ministritë dhe asociacionet e ndryshme brenda dhe jashtë Malit të Zi.

V. Katana: Cili është roli i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi në përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në këtë republikë?

F.Nika: Këshilli Kombëtar, me aq kapacitete të kuadrit dhe angazhim sa ka mundësi, përpiqet të bëjë maksimumin. Mirëpo janë disa sfera ku duhet të punohet dhe probleme me të cilat ballafaqohen shqiptarët e Malit të Zi. Ne këto i kemi ndarë në 5 fusha: Shtylla numër një është arsimi shqip, kemi parasysh këtu edhe çështjet e kulturës shqiptare në Mal të Zi, trojeve ku jetojnë ata qofshin ato vlerat dhe shoqëritë folklorike, veshjet, traditat, sitet arkeologjike, edhe aty duhet një vëmendje e veçantë. Pastaj me rëndësi kemi edhe çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe në institucionet publike në Mal të Zi, situata socio-ekonomike në trevat ku jetojnë shqiptarët, pasi që kemi shqetësim për rënien e vazhdueshme të numrit të shqiptarëve, pra, largimit të tyre nga vendlindja. Me kuadro të përgatitura të shikohet mundësia se si mund të veprojmë në këtë drejtim. Dhe së fundmi, jo më pak e rëndësishme, është inkuadrimi i shqiptarëve në institucionet publike në  Mal të Zi, sepse ne duam të integrohemi në ç’do institucion publik në Mal të Zi, sepse jemi pjesë përbërëse e këtij shteti dhe duke ruajtur identitetin tonë kombëtar jo me detyrim që t’i nënshtrohemi dikujt, por që të marrim atë që na takon në institucionet publike në vendet udhëheqëse apo në administratën publike. Mendoj që shqiptarët duhet të kenë përfaqësuesit e tyre në institucionet shtetërore dhe administratën publike. Viteve të fundit, ne kemi kuadro të përgatitura dhe të shkolluara  dhe besoj se ato do të jenë adekuat në mbulimin e pozitave të ndryshme të jetës publike të Malit të Zi. Në këtë mënyrë, ne mund të integrohemi dhe të zbutet çështja e papunësisë së të rinjve shqiptarë në Mal të Zi. Ne e konsiderojmë veten si pjesë e këtij vendi, jemi taksapagues të këtij shteti, andaj duhet të jemi të pranishëm me kuadro në të gjitha sferat e jetës institucionale të kësaj republike.

 

Për Zërin e Turqisë nga Mali i Zi – Vera ALIBEGU KATANA



Lajme të ngjashme