Shteti dhe populli shqiptar i urojnë Erdoganit fitoren

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta i ka dërguar një mesazh urimi Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, për fitoren në zgjedhjet e 24 qershorit.

Erdoğan_ilir meta.jpg
Erdoğan seçim zaferi_Arnavutluk.jpg
Arnavutluk_İşkodra Medresesi_mezuniyet_01.jpg
Arnavutluk_İşkodra Medresesi_mezuniyet_09.jpg
Murat Ahmet Yörük_Tiran Güzel Sanatlar Üniversitesi_ziyaret_01.jpg
Avrupa Birliği Konseyi_Arnavutluk_Makedonya.jpg

- Tirana zyrtare dhe populli shqiptar urojnë fitoren e Presidentit të Turqisë, Erdoğan

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta i ka dërguar një mesazh urimi, Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, (Rexhep Tajip Erdoan) për fitoren në zgjedhjet e 24 qershorit.

Në mesazhin e publikuar nga Presidenca e Shqipërisë thuhet se Meta shpreh besimin e tij se gjatë mandatit të ri të presidentit Erdoğan, marrëdhëniet historike e tradicionalisht miqësore e vëllazërore midis dy vendeve e dy popujve do të forcohen edhe më shumë.

I nderuar Zoti President,

Urimet më të mira e të përzemërta për fitoren në zgjedhjet e djeshme presidenciale! Ju uroj nga zemra shumë suksese në përmbushjen e agjendës Suaj dhe drejtimin e zhvillimin e mëtejshëm të Turqisë e të popullit mik turk.

Shpreh besimin e palëkundur se, gjatë mandatit Tuaj të ri, marrëdhëniet historike e tradicionalisht miqësore e vëllazërore midis dy vendeve e dy popujve tanë, do të forcohen edhe më shumë.

Jam i sigurt se, falë vëmendjes së madhe e të veçantë që i kushtoni bashkëpunimit me Shqipërinë, këto marrëdhënie do të intensifikohen e do të thellohen edhe më shumë. Ju siguroj për vullnetin dhe gatishmërinë time për të vijuar bashkëpunimin me Ju e për t’i çuar më tej këto marrëdhënie.

Përfitoj nga rasti të shpreh mirënjohjen e thellë për ndihmën dhe mbështetjen e pakursyer që Ju dhe Turqia i keni dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve ndër vite. Shqiptarët janë mirënjohës dhe do të jenë solidarë me Ju dhe popullin mik turk në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm që kërcënon paqen dhe stabilitetin e Turqisë.

Me urimet më të mira për shëndetin dhe lumturinë Tuaj, ju lutem pranoni, Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë”.

Më herët, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përmes linjës telefonike ka uruar presidentin Erdoğan për suksesin në zgjedhje.

Sipas burimeve presidenciale, presidenti Erdoğan falënderoi kryeministrin e Shqipërisë për urimin.

Nga ana tjetër, qytetarët në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, në Shkodër, dhe qytete të tjera kanë mirëpritur dhe festuar suksesin e arritur nga presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, i cili fitoi zgjedhjet e mbajtura të dielën e kaluar në Turqi.

Qytetarët janë mbledhur në disa rrugë të kryeqytetit duke festuar me flamuj të Turqisë dhe Shqipërisë, duke ndjekur edhe rezultatet e zgjedhjeve.

                                                            ***

-BE-ja miraton çeljen e negociatave për Shqipërinë

Hapja e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë do të shtyhet në qershor të vitit 2019. 

Gjatë takimit të martës, pikërisht pasdite të Këshillit të Marrëdhënieve të Përgjithshme, që merret me përgatitjet e takimeve të Këshillit Evropian, është përcaktuar udhërrëfyesi drejt hapjes së negociatave.

Komisioneri për Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, tha se çështja e hapjes së negociatave është e qartë në qershor 2019.

"I lumtur që Këshilli Evropian sheh një dritë për konkluzionet e zgjerimit për Shqipërinë dhe të ardhmen e Maqedonisë Veriore, pas një debati të gjatë. Çështja e hapjes së negociatave është e qartë në qershor 2019. Sinjal kyç për rajonin është progresi i kërkuar dhe vendimtare për BE-në".

"Edhe në 2019-ën flitet për hapje të kushtëzuar të negociatave sepse varet nga ecuria e reformës në drejtësi, lufta kundër korrupsionit dhe krimit",- citojnë burimet.

Në dhjetor 2018, mblidhet konferenca e parë ndërqeveritare që shënon nisjen zyrtare të negociatave.

                                                            ***

-KE: Shqipëria meriton hapjen e negociatave

 “Komisioni Europian rekomandon hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe ky proces është i bazuar në meritë”, deklaroi të hënën e kaluar Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini. 

Interesit të gazetarëve  lidhur me hapjen e negociatave për Shqipërinë, por edhe për Maqedoninë, zyrtarja e lartë e BE tha se: “Le ta them qartë, ju e njihni rekomandimin sipas të cilit ne si Komision rekomandojmë hapjen e negociatave si me Shkupin ashtu dhe me Tiranën. Ky proces është i bazuar në meritë”.

Mogherini thekson se “…Kur ka progres, një gjë e tillë duhet njohur, inkurajuar dhe shoqëruar. Prandaj, unë shpresoj se vendet anëtare do të marrin vendimin e duhur…”.

 “Më lejoni të them, se në Ballkan ne shohim se është bërë progres i rëndësishëm. Unë isha dëshmitare e nënshkrimit të marrëveshjes për emrin dhjetë ditë më parë, një moment historik që duhet të mbështetet. Dje zhvillova një seancë shumë të mirë dialogu të nivelit të lartë mes Beogradit dhe Prishtinës që gjithashtu po shkon në një mënyrë shumë inkurajuese, të vështirë, por inkurajuese. Tani Ballkani Perëndimor ka nevojë për BE-në që të jetë i qëndrueshëm dhe të mbajë fjalën”,- tha Mogherini.

                                                                  ***

-Aeroporti i Vlorës do të ketë tarifat më të ulëta në rajon dhe jo vetëm

Kështu deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në prezantimin e projekteve të reja për qarkun e Vlorës, sipas të cilit aeroporti i Vlorës që ka mbështetjen financiare nga partnerët turq do të jetë ndërkombëtar dhe konkurrues i drejtpërdrejtë me atë të Rinasit.

Nga pikëpamja e parametrave do të jetë jashtëzakonisht cilësor dhe nga pikëpamja e çmimeve do të jetë shumë më i favorshëm për udhëtarët, qofshin vendas, e qofshin vizitorë. Ky do të jetë aeroporti i Vlorës, punimet për të cilin presim të nisin shumë shpejt.

“…Jemi drejt përfundimit të negociatave që të kemi aeroportin e Vlorës me tarifat më të ulëta në rajon. Kjo ka qenë kërkesa jonë. 27 mijë vende pune drejtpërdrejt është minimumi për 4-5 vitet e ardhshme. Aeroporti do të jetë me paga goxha të larta në raport me mesataren që ne jemi mësuar…”.

Në prezantimin e projekteve për Qarkun Vlorë, kryeministri shqiptar, Edi Rama risolli në vëmendje Lungomaren, e cila do të jetë gati sezonin e ardhshëm.

“…Më vjen shumë mirë që nuk kam asnjë ankesë në telefon apo në Facebook nga Vlora, që u bllokuam apo më ka lënë makina, e shikoj që ia vlejti sakrifica e ndërtimit, e bllokimit dhe e durimit…”.

Projekti i Lungomares është një ndër tre projektet finaliste që u prezantuan në konkursin që u zhvillua në Barcelonë për hapësirën më të mirë publike 2017. Këto modele tha kreu i qeverisë shqiptare duhet të kuptohen drejt, jo siç i interpreton opozita...

                                                           ***

-Ambasadori turk në Shqipëri M. Ahmet Yörük vizitoi Universitetin e Arteve në Tiranë

Në kuadër të vizitave dhe takimeve të shumta të ambasadorit të Republikës së Turqisë në Tiranë, M. Ahmet Yörük para pak ditëve u takua me rektorin e Universitetit të Arteve, Kastriot Çaushi dhe dekanin e Fakultetit të Arteve të Bukura, Ardian Isufi, me të cilët bisedoi për projektet e përbashkëta artistike dhe mundësitë e bashkëpunimit midis të dy vendeve, Shqipërisë dhe Turqisë.

Gjithashtu ai vizitoi studiot e Universitetit dhe bisedoi me studentë.

Pas vizitave në studio, ambasadori turk vizitoi edhe ekspozitën e hapur në galerinë pranë Universitetit e Arteve në Tiranë.

                                                               ***

-Medreseja e Shkodrës që mbështetet nga institucionet turke zhvilloiceremoninë e mbylljes së vitit shkollor 

Medreseja e Shkodrës javën e kaluar zhvilloi ceremoninë e mbylljes së vitit shkollor me pjesëmarrjen e autoriteteve vendore, drejtuesve të shkollës, përfaqësuesve të institucioneve arsimore dhe humanitare, mësuesve, nxënësve dhe të ftuarve të tjerë.

Në fillim, përshëndeti koordinatori i shoqatës “Istanbul”, pranë medresesë, dega e djemve, Fehmi Dushku, i cili vuri në dukje sukseset dhe arritjet e kësaj shkolle arsimore, kulturore dhe fetare, e cila është më e madhja në Ballkan për nga numri i nxënësve dhe nxënesve.

Myftiu i Shkodrës, imam Muhamed Sytari duke uruar nxënësit e medresesë në mbylljen e vitit shkollor tha se arsimi në Shqipëri përballet me sfida të mëdha.

Medreseja "Haxhi Sheh Shamia", një emër që na bën të ndjehemi krenarë, brenda vendit dhe jashtë tij”, tha në fjalën e tij, myftiu Sytari.

“…Arsimimi sot është një sfidë e madhe për vendin, për kombin, për të sotmen dhe për të ardhmen. Medreseja jonë, medreseja “Haxhi Sheh Shamia”, medreseja e Shkodrës është një garanci shumë e madhe për edukimin e duhur me vlerat ma të mira të besimit e të dashnisë për vendin, për atdheun, për kombin dhe për vlerat qytetëruese të këtij Islami të madh me të cilin na begatoi Allahu xh.sh. Prandaj, të ndjehemi krenarë kur themi medreseja “Haxhi Sheh Shamia”, kudo që të jemi në çdo cep të botës, ne kemi thënë një fjalë shumë të madhe. Unë jua them këtë me garancinë ma të madhe, kur ti thua medreseja e Shkodrës ke thënë një fjalë që të bën të ndihesh krenar, kur ke thënë medreseja e Shkodrës ke thënë për vlerat, për arritjet, ke folur e ke thënë për një udhëtim shumë të gjatë, të cilin janë bashkuar duart  e zemrat e shumë burrave e grave të devotshëm e të përkushtuar për të mirën e punës e të vendit, e për të mirën e rinisë tonë si dhe për të mirën e familjeve tona shumë të madhe…”.

Myftiu i Shkodrës përpara zgjedhjeve presidenciale të parakohshme që u zhvilluan më  24 qershor uroi Turqinë për një mbarëvajtje në këtë proces duke e quajtur si një ditë të madhe dhe vend që lidhet ndër shekuj me Shqipërinë.

“…Kur themi “Istanbul” kemi thënë emrin e madh të një vendi me të cilin jemi lidhë përtej shekujve, me të cilën jemi lidhë për mos tu ndarë më asnjë herë deri në ditën e gjykimit. Istanbuli i madh dhe Turqia e madhe përgatitet për një etapë të re në historinë e saj, një etapë të re për mbarë ymmetin islam. Më lejoni të lutem me zemër që këto ditë, kjo etapë e re për të cilën përgatitet të hyjë Turqia të jetë e mbarë me bekimet e Allahut s.w., sepse kjo kohë është koha e rimëkëmbjes, së vlerave tona, është koha e rizgjimit të ymmetit islam për t’u prezantu myslimanët si një vlerë e madhe…”.

Drejtori i medresesë së Shkodrës, “Haxhi Sheh Shamia”, Kujtim Dervishi përshëndeti arritjet e nxënësve.

“…Festa e mbylljes së vitit shkollor është festa e dijes, festë të cilën e mirëpresin të gjithë familjet tona, të gjithë nxënësit, të gjithë mësuesit dhe të gjithë ato që kanë punuar me përkushtim dhe me mund, me djersë e me sakrificë, me qëllim për të përmbushur objektivat që ka ky institucion, një institucion me prestigj në rrethin tonë, bile edhe në shkallë kombëtare...”.

Aktiviteti përmbyllës në medresenë e djemve u shoqërua me një koncert artistiko-kulturor, e kthyer në një traditë të bukur.

Medreseja e Shkodrës, që sponsorizohet fuqishëm nga shoqata “Istanbul” është një nga institucionet ku vit pas viti qindra nxënës marrin dije dhe kulturë për të qenë gati në të ardhmen e afërt.

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri-



Lajme të ngjashme