Marrëdhëniet Turko-Shqiptare në Kohën e Ataturkut (Pjesa e 26-të)

Turqia dhe Shqipëria në bisedimet që u mbajtën pas Luftës së Parë Botërore (vijon nga numri i kaluar).

Marrëdhëniet Turko-Shqiptare në Kohën e Ataturkut (Pjesa e 26-të)

            Shtetet e Antantës me qëllim për të tërhequr Italinë në radhët e tyre, si para ashtu edhe gjatë luftës, tokat e Anadollit dhe Shqipërisë në veçanti i kishin përdorur si objekt pazarllëqesh me Romën. E kemi thënë edhe më herët që Shqipëria gjatë luftës u pushtua edhe nga Shtetet e Antantës, edhe nga ato të Bllokut Qendror. Pas luftës tokat e Anadollit ishin pushtuar, kurse pushtimet në Shqipëri kishin filluar të merrnin formë të qëndrueshme. Në Konferencën e Paqes së Parisit, e cila u organizua nga pesë Fuqitë e Mëdha fituese të Luftës, Anglia, Franca, Italia, SHBA dhe Japonia për t’u diktuar të mundurve kushtet e paqes, një pjesë e tokave të Anadollit dhe të Shqipërisë këtë herë do të diskutoheshin për t’ia dhënë ato kryesisht Greqisë. Atëherë le të kujtojmë shkurtimisht procesin e hyrjes së Greqisë në Luftë, pastaj të kthehemi tek procesi i diskutimeve në Paris.  

            Venizelosi, Kryeministri i Greqisë gjatë Luftës së Parë Botërore, mendon që në qoftë se e fut vendin në luftë pranë Shteteve të Antantës do të mund të realizojë ëndrrën e Megali Ideas (Greqinë e Madhe). Në kuadër të kësaj kryeministri i Greqisë bën pazarllëqe me Anglinë dhe pas luftës kërkon pjesë nga tokat osmane. Vetëm se Mbreti i Greqisë, Konstandini, i cili kishte mbaruar Akademinë Ushtarake të Prusisë dhe ishte i martuar me vajzën e mbretit të Prusisë dhe Perandorit të Gjermanisë Vilhelm II, dhe Shefi i Shtabit të Ushtrisë greke, Koloneli Metaksas, nuk janë dakord që të luftojnë kundër Gjermanisë. Ndërsa Anglia, me kusht për ta tërhequr atë pranë vetes në luftë, që në fillim të vitit 1915 i propozon Greqisë Anadollin Perëndimor. Madje Venizelosi kërkon të dërgojë trupa ushtarake në Luftën e Çanakalasë, por Mbreti këtë nuk e pranon dhe në mars të 1915-s Venizelosi jep dorëheqjen. Në tetor (1915) Bullgaria hyn në luftë pranë Shteteve Aleate (Bllokut Qendror). Venizelosi, i cili ishte sërish Kryeministri i Greqisë në këtë periudhë, kërkon të ndihmojë Serbinë dhe planifikon zbarkimin e fshehtë të anglezëve dhe francezëve në Selanik. Kështu ushtarët anglezë dhe francezë më 29 shtator 1915 fillojnë e zbarkojnë në Selanik me qëllim për ti dërguar Rusisë përmes Ballkanit ndihmën që nuk kishin mundur t’ia dërgonin dot Moskës nëpërmjet Grykës së Çanakalasë. Pas këtyre zhvillimeve në 5 tetor 1915 Mreti e shkarkon Venizelosin nga posti i kryeministrit. Në janar të 1916-s forcat e Shteteve të Antantës pushtojnë Korfuzin dhe oficerët që përkrahnin Venizelosin fillojnë një kryengritje në Selanikun e dominuar nga forcat e Antantës. Venizelosi udhëheq kryengritjen dhe lidershipi i tij njihet nga Anglezët dhe Francezët. Në qershor 1917 Mbreti Konstandin ia lë fronin të birit, Aleksandrit. Me ndërrimin e fronit Venizelosi bëhet sërish kryeministër dhe kështu merr pjesë në luftë edhe Greqia[1].

            Me mbarimin e Luftës së Parë Botërore, populli shqiptar nga njëra anë bën përpjekje për të mbrojtur ekzistencën kombëtare duke u dhënë fund pushtimeve, kurse nga ana tjetër fillon të kërkojë zgjidhje për të mbrojtur interesat e vendit në Konferencën e Paqes. Para së gjithash shqiptarët duan të çlirojnë vendin nga pushtimet. Në këto rrethana Italia me qëllim për të mbajtur nën kontroll lëvizjen politike të popullit shqiptar lejon mbledhjen e Këshillit Kombëtar Shqiptar[2]. Nën influencën italiane kongresi u mblodh në Durrës me 50 delegatë dhe këtu krijohet një qeveri e përkohshme prej 14 anëtarësh nën drejtimin e Turhan Pashës. E njohur ndryshe si Qeveria e Durrësit, kabineti i ri përcakton edhe një delegacion për të mbrojtur çështjen e Shqipërisë, pra të drejtat kombëtare, në Konferencën e Parisit[3]. Por në Paris shkon edhe Esat Pasha, i cili tashmë nuk kishte ndonjë detyrë në qeverinë e përkohshme[4]. Kështu Shqipëria, e cila nuk e kishte siguruar ende mirë unitetin politik brenda vendit, e bart këtë destabilitet edhe në bisedimet e paqes. Përveç këtyre në Konferencën e Paqes në Paris Shqipëria nuk ka më me vete as mbështetjen e Austrisë[5]. Vetëm se këtu nuk duhen nënvlerësuar përpjekjet që bënë për Shqipërinë në Konferencën e Paqes kolonitë shqiptare që jetonin jashtë Shqipërisë. 

            Në 18 janar 1919 në Paris mblidhet Konferenca e Paqes me qëllim për të përcaktuar gjendjen pas Luftës së Parë Botërore dhe për të zhvilluar bisedimet e paqes me shtetet e mundura. Në marrjen e vendimeve të Konferencës, e cila filloi punimet me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të 32 shteteve, dominon “Këshilli i Dhjetëshes” i formuar nga kryeministrat dhe ministrat e punëve të jashtme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Anglisë, Francës, Japonisë dhe Italisë[6]. Qëllimi i Këshillit të Dhjetëshes në këtë konferencë është që të përligjë pushtimet e bëra pas luftës nga Shtetet e Antantës. Vetëm se me përparimin e diskutimeve në konferencë konkurrenca dhe përplasjet e interesave të shteteve fituese bëhen gjithnjë e më të dallueshme.  

            Kundërshtia më e dukshme në Paris jetohet ndërmjet Italisë dhe aleatëve të saj. Pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore Italisë nuk i plotësohen premtimet që i ishin bërë asaj në lidhje me Shqipërinë dhe Anadollin sipas Traktatit të Fshehtë të Londrës dhe Marrëveshjes së 1917-s (St. Jean de Maurienne)[7] dhe këto vende i jepen Greqisë. Anglia për vendet që i ishin premtuar Italisë pretendon se kjo kërkon miratimin e Rusisë dhe kështu heq dorë nga dhënia e tyre Italisë dhe synon ta përdorë Greqinë për interesat e saj imperialiste[8]. Shansin Greqisë në këtë drejtim ia shton edhe qëndrimi antiitalian që mban në lidhje me këtë çështje Presidenti amerikan pjesëmarrës në konferencë, Wilson. Këtu duhet shtuar edhe konkurrenca që kishte filluar ndërmjet Francës dhe Italisë për sovranitet në Mesdhe. 

            Në krye të problemeve që sollën edhe lindjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet Shteteve të Antantës dhe Italisë qëndrojnë ndarja e Anadollit, Ishujve të  Egjeut dhe Shqipërisë. Shteti Osman në luftë kishte hyrë bashkë me Shtetet Aleate dhe kishte dalë i mundur nga kjo luftë. Kurse Shqipëria gjatë Luftës së Parë Botërore me shpalljen e luftës nga ana e Esad Pashë Toptanit, sa do që ky nuk gëzonte një kompetencë të diskutueshme ligjore, kishte hyrë në luftë në krahun e Shteteve të Antantës. Tokat e Shtetit Osman dhe të Shqipërisë, shtete të cilat në luftë kishin hyrë në fronte të kundërta, në Konferencën e Paqes së Parisit përballen me rrezikun e copëtimit. Për 5 fuqitë e mëdha që formonin Këshillin e Dhjetëshes dhe që përcaktonin fatin e Konferencës së Paqes së Parisit nuk kishte asnjë rëndësi nëse Shqipëria në këtë luftë kishte qenë në krahun e tyre, apo kishte mbajtur një qëndrim asnjanës. Për këtë arsye, Shqipëria si para luftës, ashtu pas mbarimit të saj vazhdon të bëhet objekt pazarllëku për interesat strategjike të Fuqive të Mëdha [9].

            Ndërkohë ndërmjet Greqisë dhe Italisë fillon rivaliteti për të vendosur superioritetin strategjik në Mesdhe dhe Adriatik. Delegacioni i Greqisë që niset për në Paris me qëllim për të marrë pjesë në bisedimet e paqes në dhjetor 1918 ndalon edhe në Romë. Sa do që Venizelosi gjatë kësaj vizite rivalitetin italo-grek mbi Shqipërinë dhe Turqinë e diskuton me Kryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Italisë, nuk arrin të marrë ndonjë rezultat. 

            Venizelos edhe pse nuk bie dakord me italianët, me të cilët nuk i përputhen interesat kombëtare, në Paris arrin të fitojë përkrahjen e anglezëve, impresionon francezët dhe krijon besim tek amerikanët[10]. Me qëllim për të penguar rrugën e zhvillimit të Italisë, francezët kërkojnë që Korça në juglindje të Shqipërisë ti jepet Greqisë dhe përkrahin idenë e kontrollit të rrugës ndërmjet Adriatikut dhe Maqedonisë nga Greqia. Ndërkohë që kemi një rivalitet të ashpër ndërmjet Shteteve të Antantës dhe Greqisë e Italisë në lidhje me Anadollin dhe Shqipërinë në verën e vitit 1919 në Itali ndodh ndryshimi i pushtetit. Qeveria e re italiane merr vendim që të mbështesë pretendimet territoriale të Greqisë në Anadoll (përfshi këtu edhe Trakinë Perëndimore), me kusht që Greqia të mbështesë pretendimet italiane në jug të Anadollit, është dakord ti lërë Greqisë 12 ishujt që kishte nën kontroll në Egje duke mbajtur vetëm Ishullin e Rodosit. Sipas Italisë, me kusht që Greqia të jetë dakord me marrjen e portit të Vlorës dhe rrethinave të saj nga Italia, kjo e fundit nuk do të kundërshtojë marrjen e jugut të Shqipërisë nga Greqia, ndërsa territori tjetër i Shqipërisë do të mbetet nën protektoratin italian. Vetëm se francezët nuk duan që t’ia lënë Korçën Italisë, kurse Serbia është e shqetësuar nga zgjerimi i Italisë deri në kufijtë e saj dhe kërkon toka nga Shqipëria e Veriut në rast se Greqia me Italinë do të marrin toka nga Shqipëria e pasluftës. 

            I mbështetur nga Anglia dhe Franca Venizelosi fillon tani një fushatë të dendur propagandistike në Anadoll dhe Shqipëri, vende ndaj të cilave ka pretendime territoriale, dhe shtrembëron statistikat e popullsisë. Por shqiptarët dhe turqit dalin kundër kërkesave dhe pretendimeve greke dhe i paraqesin komisionit statistikat e tyre[11]. Në fund të këtyre përpjekjeve Greqia ngulitet në tokat e Anadollit dhe të Shqipërisë me shpresën se do të rimarrë tokat e dikurshme të Bizantit. (vazhdon)

U përgatit nga:Dr. Halil ÖZCAN (Pedagog i lëndës “Parimet e Ataturkut dhe Historia e Revolucionit Turk” në Universitetin “Baskent” në Ankara.)

U përshtat në shqip nga: Serdar HÜSEYNİ 

Burimet dhe literatura kryesore:

AKŞİN, Sina ve FIRAT,Melek, “İki Savaş Arası Dönemde BalkanlarBalkanlar, Ortadoğu ve Balkan İncelemeleri Vakfı Yayınları, İstanbul, 1993, s.97-124.

ARMAOĞLU, Fahir, 19. Yüzyıl Siyasî Tarihi (1789-1914), TTK Basımevi, Ankara, 1997.

Başbakanlık Devlet Arşivi Genel Müdürlüğü, Arşiv Belgelerine Göre Balkanlar’da ve Anadolu’da Yunan MezalimiI, Ankara, 1995, s.40-41.

Cumhuriyet Gazetesi, 23 Mayıs 1936.

ÇELEBİ, Mevlüti Millî Mücadele Döneminde Türk-İtalyan İlişkileri, Atatürk Araştırma Merkezi, Ankara, 2002.

ÇETİNER, Yılmaz, Bilinmeyen Arnavutluk, y.y., İstanbul, 1966.

Hakimiyeti Milliye Gazetesi, 6 Haziran 1926.

MACMİLLAN, Margaret, Paris 1919: 1919 Paris Barış Konferansı ve Dünyayı Değiştiren Altı Ayın Hikâyesi, Çev. Belkıs Dişbudak, ODTÜ Yayıncılık, Ankara, 2004.

ÖZCAN, Halil, Atatürk Dönemi Türkiye-Arnavutluk İlişkileri, Atatürk Araştırma Merkezi, Ankara, 2011.

 

[1] Başbakanlık Devlet Arşivi Genel Müdürlüğü, Arşiv Belgelerine Göre Balkanlar’da ve Anadolu’da Yunan MezalimiI, Ankara, 1995, fq.40-41.

[2] Sina Akşin, Melek Fırat, “İki Savaş Arası Dönemde BalkanlarBalkanlar, Ortadoğu ve Balkan İncelemeleri Vakfı Yayınları, İstanbul, 1993, fq.109.

[3]Hakimiyeti Milliye Gazetesi, 6 Haziran 1926, fq.3.

[4] Margaret Macmillan, Paris 1919: 1919 Paris Barış Konferansı ve Dünyayı Değiştiren Altı Ayın Hikâyesi, Çev. Belkıs Dişbudak, ODTÜ Yayıncılık, Ankara, 2004, fq.354.

[5] Yılmaz Çetiner, Bilinmeyen Arnavutluk, y.y., İstanbul, 1966i fq.14.

[6] Fahir Armaoğlu, 20. Yüzyıl Siyasî Tarihi (Cilt 1-2: 1914-1995), Alkım Yayınevi, İstanbul, 2007, fq. 145-146.

[7]Cumhuriyet Gazetesi, 23 Mayıs 1936, fq. 6.

[8] Mevlüt Çelebi, Millî Mücadele Döneminde Türk-İtalyan İlişkileri, Atatürk Araştırma Merkezi, Ankara, 2002, fq. 42-43.

[9] Halil Özcan, Atatürk Dönemi Türkiye-Arnavutluk İlişkileri, Atatürk Araştırma Merkezi, Ankara, 2011,fq.34.

[10] MacMillan, po aty, fq. ,341.

[11] MacMillan, po aty, fq. ,355.



Lajme të ngjashme