Miratohet deklarata e përbashkët e ministrave të Jashtëm të vendeve të Ballkanit perëndimor

Në takimin e mbajtur në Split të Kroacisë ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve të Iniciativës së Evropës Qendrore miratuar një deklaratë të përbashkët për përballimin e sfidave të përbashkëta lidhur me integrimet evropiane.

992590
Miratohet deklarata e përbashkët e ministrave të Jashtëm të vendeve të Ballkanit perëndimor
Batı Balkan ülkeleri Saraybosna Zirvesi
Karadağ Dışişleri Bakanı Srgjan Darmanoviq.jpg
Naim Çelaj_Mehmet Zenka.jpg
Karadağ Türk Büyükelçiliği iftar.jpg
Faik Nika.jpg
Karadağ_Arşiv Haftası.jpg

Në Split të Kroacisë u mbajt takimi ministror i Iniciativës Qendrore Evropiane, ku mori pjesë edhe ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Srgjan Darmanoviq. Në takim u shkëmbyen përvojat lidhur me integrimet evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ruajtja e stabilitetit dhe avancimi ekonomik në sfidat aktuale me të cilat ballafaqohet Evropa Qendrore siç janë: kriza e emigrantëve, çështja e të drejtave të njeriut dhe lufta kundër terrorizmit. Pjesëmarrësit e takimit kanë miratuar deklaratën e përbashkët të ministrave të jashtëm.

                                                                   ***

Barazia gjinore, temë e takimeve të dy delegacioneve nga Mali i Zi dhe Kosova

Nevoja për të qenë më aktiv në luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje po bëhet gjithnjë e më e dukshme sot, kështu u tha takimin që ministri i të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave në Mal të Zi, Mehmet Zenka pati me anëtarët e delegacionit të Republikës së Kosovës, të cilët qëndruan në një vizitë pune në Malin e Zi. Delegacionin nga Kosova e udhëhoqi zëvendësministri i Drejtësisë, Naim Çelaj, i cili gjithashtu kryen funksionin e koordinatorit kombëtar kundër dhunës në familje. Ministri Zenka tha se pasojat e këtij fenomeni social jashtëzakonisht negativ kanë ndikim, për fat të keq për shoqërinë në tërësi, familjen dhe individin. Dhuna nuk është vetëm një nga format më të forta të shkeljeve të të drejtave të njeriut, por gjithashtu ushtron një ndikim thellësisht negativ në përfitimet sociale, kujdesin shëndetësor, produktivitetin e punës, sigurinë dhe buxhetin. Delegacioni i Republikës së Kosovës shprehu një interes të veçantë për Konventën e Stambollit. Ministri Zenka i informoi pjesëmarrësit për faktin se Mali i Zi është ndër pesë vendet e para për ratifikimin e këtij dokumenti më të rëndësishëm ndërkombëtar në fushën e mbrojtjes së grave nga dhuna dhe dhuna në familje. Ai deklaroi se Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave monitoron zbatimin e kësaj Konvente dhe se zbatimi është përgjegjësi e punës dhe mirëqenies sociale. Bashkëbiseduesit ranë dakord se gratë janë gjithnjë të ekspozuara ndaj dhunës psikologjike, por që prania e dhunës ekonomike dhe fizike është po aq e dukshme. Gjatë bisedimeve u potencua edhe një herë bashkëpunimi i mirë midis Malit të Zi dhe Republikës së Kosovës. Z. Çelaj falënderoi për pritjen dhe pasi u njoh me kompetencat e Ministrisë së të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, sugjeroi që në të ardhmen e afërt të organizohet një takim bilateral i përfaqësuesve relevantë të mekanizmave institucionalë për arritjen e barazisë gjinore të dy vendeve, ku përvojat pozitive do të zhvillonin dhe përmirësonin më tej praktikat në fushën e arritjes së barazisë gjinore, veçanërisht në luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.

                                                                   ***

Polica e Shqipërisë edhe këtë vit e pranishme në ruajtjen e rendit në Mal të Zi gjatë sezonit turistik 

Edhe këtë sezon turistik në disa qytete të Malit të Zi patrullimi i policisë  do të kryhet nga policia e Malit të Zi ne bashkëpunim me atë të Shqipërisë. Ky është viti i shtatë ku patrulla të përbashkëta kujdesen për sigurinë e turistëve. “Patrullat policore, që përbëhen nga nëpunës malazez dhe shqiptarë, para së gjithash do të kenë detyrë parandaluese, do të paraqesin ndihmë plotësuese të policëve për rendin dhe qetësinë publike dhe siguri më të madhe për turistët. Policia e përbashkët do të jetë prezente në disa qytete të Malit të Zi dhe angazhimi i tyre do të zgjasë deri në përfundimin e sezonit turistik.

                                                                   ***

Shkarkohet nga detyra drejtoresha e Radio Televizionit të Malit të Zi

Në qendër të vëmendjes së opinionit në Mal të Zi vazhdon të jetë shkarkimi nga Këshilli Drejtues i Drejtoreshës së Radio Televizionit të Malit të Zi Andrijana Kadija. Në një deklaratë për mediat ajo tha se shkarkimi i saj ishte përgatitur shumë më herët. Këshilli i Radiotelevizionit të Malit të Zi shkarkoi nga detyra Zonjën Kadija, duke cituar parregullsi që lidhen me pavarësinë e transmetuesit publik. Zonja Kadija tha se shkarkimi synon ta shndërrojë radiotelevizionin në shërbim politik. “Mendoj që ky shkarkim është përgatitur shumë kohë më parë. Që nga tetori kur filloi ndërrimi i anëtarëve të Këshillit të këtij radiotelevizioni, në korridore thuhej se nuk po u pëlqen politika e këtij shërbimi publik. Në fakt shërbimi publik nuk bënte kurrfarë politike, por merrej vetëm me gazetari profesionale. Kushdo që ka ndjekur rrëfimet për shërbimin publik muajve të fundit, e dinte se kjo do të përfundonte kështu. Mëkati im është se jam jopolitike dhe nuk kam lejuar që shërbimi publik të shndërrohet qoftë në shërbim privat apo partiak",- tha Zonja Kadija. Ajo shfaqi shqetësimin se për pak ditë do të ndryshojë edhe politika editoriale e këtij shërbimi. Shkarkimi i saj nxiti protesta në Mal të Zi dhe reagimin e shumë organizatave ndërkombëtare, përfshirë edhe Departamentin amerikan të Shtetit, i cili tha se ky veprim rrezikon lirinë e mediave në Mal të Zi, vend që vitin e kaluar u bë anëtar i NATO-s dhe synon integrimin në Bashkimin Evropian. Mali i Zi është kritikuar së fundmi për qasjen ndaj medias dhe është radhitur shumë ulët në raportet ndërkombëtare mbi lirinë e medias në botë.

                                                                     ***

Këshilli Kombëtar i shqiptarëve në Mal të Zi emëron kryetarin e ri  

Emërohet kryetari i ri i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi. Ai është Faik Nika, i cili deri tani ka kryer funksionin e sekretarit të përgjithshëm të Këshillit Kombëtar. Në një deklaratë Z. Nika tha: “Jam i vetëdijshëm për sfidat më të cilat ballafaqohemi si dhe për përgjegjësinë e madhe që mbart kjo detyrë për shqiptarët në Malin e Zi, veçanërisht në këto momente. Si kryetar i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, për sa të jem në këtë detyrë, nuk do të kursej asgjë nga vetja që të bëj më të mirën e mundshme për arritjen e qëllimeve tona të përbashkëta, por për këtë kam nevojën e secilit nga Ju. E konsideroj jetik dhe të domosdoshëm kontributin e secilit, që me përvojën, diturinë, vullnetin e dashurinë për komb e atdhe, të bashkohemi e të punojmë në dobi të çështjes shqiptare në Malin e Zi. Andaj institucioni i Këshillit Kombëtar do të jetë i hapur për çdo iniciativë, ide, projekt, angazhim konkret, i cili do të ndikojë në përmirësimin e cilësisë së jetës, ruajtjes së identitetit dhe vlerave kombëtare”. Detyrën e Kryetarit të Këshillit Kombëtar të shqiptarëve në Mal të Zi deri tani e ka udhëhequr Z. Genci Nimanbegu, funksionar i lartë i Forcës së Re Demokratike dhe njëherësh nënkryetar i Parlamentit të Malit të Zi.

                                                                 ***

Ambasada e Turqisë shtron iftarin tradicional në Podgoricë

Ambasada e Republikës së Turqisë shtroi iftarin tradicional për nder të Muajit të madhërishëm të Ramazanit. Iftari këtë vit u shtrua në hapësirat e medresesë “Mehmet Fatih” në Tuz, ku morën pjesë disa qindra të ftuar nga jeta publike, politika, ekonomia, qytetarë dhe miq të Turqisë. Ambasadori i Turqisë në Mal të Zi, shkëlqesia e tij Z. Serhat Galip iu falënderua të pranishmëve për prezencë në këtë iftar duke u uruar muajin e Ramazanit dhe festën e Fitër Bajramit. Edhe këtë vit iftare në Mal të Zi janë shtruar nga TIKA, shoqata bamirëse ISKED si dhe banka agrare turke “Ziraat Bankasi” me seli në Podgoricë.

                                                                     ***

Organizohet “Java e Arkivit” në Mal të Zi 

Në Ulqin u hap ekspozita me fotografi arkivi me titull “Dogana e rendit të dytë Tivar – Dokumentacioni për lejekalimet dy pronësore 1928”. Ekspozitën në kuadër të “Javës së arkivave” e shpalli të hapur kryetari i Komunës Ulqinit, Loro Nrekiqi, i cili përshëndeti autoren e ekspozitës për punën e bërë dhe përgatitjen e katalogut. Ai tha se arkivi ka për qëllim ruajtjen, mbrojtjen, prezantimin dhe përgatitjen për shfrytëzim të trashëgimisë së shkuar. Ai shprehu besim se arkivistët do të dinë të ballafaqohen me sfidat që kërkon koha pasurimi dhe digjitalizimi i arkivit.

- Përgatiti për TRT Shqip, Vera Alibegu Katana



Lajme të ngjashme