I jepet lamtumira e fundit Vokrrit, i dashur edhe në Turqi

Legjenda e futbollit kosovarë Fadil Vokrri, është ndarë papritur nga jeta, duke shkaktuar dhimbje përveçse në Kosovë, edhe në Turqi, si dhe në Beograd, ku ka luajtur për Partizanin.

Fadil Vokrri_4.jpg
Fadil Vokrri.jpg
Fadil Vokrri_3.jpg
tika kosova-da iki cami restore edecek3.jpg
tika kosova-da iki cami restore edecek2.jpg

Fadil Vokri është një humbje kombëtare, ka thënë krye-parlamentari Kadri Veseli në seancën komemorative të Kuvendit, me rastin e vdekjes së presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrrit.

“Fadili ishte sinonim i gëzimeve tona si të rinj, ishte sinonim i lajmeve të mira për Kosovën, ishte sinonim i gjërave të bukura të vendit tonë, sinonim i shpresave për një Kosovë që bën historinë në fushën e gjelbër të sportit më të bukur në botë, futbollit. Para së gjithash, Fadil Vokrri ishte sinonim i njeriut të ndershëm të Kosovës, prandaj dhimbja është e madhe. Humbja po ashtu. Një humbje kombëtare”, theksoi krye-parlamentari Veseli. 

Kurse kryeministri Ramush Haradinaj tha se Fadili e kishte shpirtin e bardhë dhe ishte i afërt dhe i mirë me të gjithë.

“Fal tij Kosova u kthye në familjen e sportit, të futbollit, në FIFA, edhe falë tij Kosova sot e gëzon respektin e arenën ndërkombëtare, pra fal ti ai na bëri shumë miq për sportin, për vendin”, ka thënë Haradinaj.

Të pranishëm në mbledhjen komemorative ishin edhe kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi, përfaqësues të Federatës Shqiptare të Futbollit, përfaqësues të Federatës së Futbollit të Kosovës, përfaqësues të FIFA-s, kryetar të komunave dhe personalitete të tjera.

***

Hasani flet për lidhjet e Ali Shen me Vokrrin

Kryetari i Komitetit Olimpik Besim Hasani duke folur në mbledhjen komemorative, i emocionuar tregoi se si e kishte marrë lajmin e hidhur.

“Së bashku me sekretarin e Komitetit Olimpik të Kosovës ishim në Bodrum të Turqisë, në mbledhjen e Komiteteve Olimpike të vendeve të Europës qendrore dhe juglindore, kur morëm lajmin trishtues, lajmin që ta zë frymën, lajmin që assesi nuk donim të pranonim. Këtë trishtim dhe shqetësim tonin shpejt e kuptuan edhe të pranishmit, sepse ishim në mbledhje dhe filluan të na ngushëllojnë dhe të shprehin keqardhje. Nuk kishte njeri aty që nuk e njihte Fadil Vokrrin. Na ndihmuan shpejt e shpejt të organizohemi dhe të kthehemi në Prishtinë.”

Hasani tregoi edhe për respektin që kishte Fadil Vokrri dhe lidhjen e veçantë me ish-presidentin e Fenerbahces Ali Shen, me të cilin Hasani ishte takuar një natë më herët.  

“Një natë më parë, organizatori na informoi se Ali Shen, ish-presidenti i Fenerbahçesë dhe njëri ndër personalitetet më të respektuara në botën e sportit në Turqi, ka ftuar në darkë në vilën e tij të gjithë presidentët e Komiteteve Olimpike të Europës qendrore dhe juglindore. Si nikoqir, Ali Shen na përshëndeste një nga një dhe kur erdhi te ne radha, posa kuptoi se jemi nga Kosova filloi të flas shqip dhe të tregoj për lindjen e tij në Prizren dhe pyeti si e kam Fadil Vokrrin, si e kam legjendën e futbollit që ka lënë përmasa në hapësirat shqiptare. Djaloshin që Ali Sheni tha e dua si djalin tim. Na foli për lojërat brilante të Fadilit në Fenerbahce dhe autoritetin e pa-kontestuar si futbollisti më i mirë i jashtëm në Turqi dhe jo vetëm. Sërish gjatë darkës, Ali Shen erdhi në tavolinën tonë dhe na tha.

“Bëni shumë të fala Fadilit dhe përqafoje për mua. E përsëriti, e dua si djalin tim.”

I premtuam se do e përqafojmë dhe do ja përcjellim të falat.

“I dashur Fadil, porosinë e Ali Shenit përkundër premtimit nuk arritëm të përmbushim sepse nuk na prite. Pa kaluar 15 orë, ti Fadil ike”, u shpreh i emocionuar kryetari Besim Hasani.

Ndryshe, Ali Shen nga i ndjeri Vokrri është vlerësuar si njeriu i cili ka lobuar fuqishëm për pranimin e Kosovës në Federatat ndërkombëtare të futbollit, UEFA dhe FIFA.

***

Shënohet 140 vjetori i Lidhjes shqiptare të Prizrenit

Në Prizren në kryeqytetin historik të Kosovës, bashkëpatriotë nga të gjitha viset shqiptare kishin ardhur për të shënuar dhe festuar 140 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Në Kompleksin Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit është mbajtur seanca solemne e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Të udhëhequr nga diplomacia e Abdyl Frashërit, urtësia e Ymer Prizrenit dhe guximi luftarak i Sylejman Vokshit, Lidhja e Prizrenit I arriti qëllimet e saj ndonëse me pasoja shumë të rënda, tha në fjalimin e tij krye-parlamentari Veseli.

“Pa lidhjen e Prizrenit nuk do ta kishim 28 nëntorin e vitit 1912. Pa lidhjen e Prizrenit nuk do ta kishim lëvizjen kombëtare për çlirimin e Kosovës, e cila arriti kulminacionin historik me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, çlirimin dhe shpalljen e pavarësisë në shkurtin e vitit 2008. Pa Lidhjen e Prizrenit rrjedha e historisë sonë kombëtare do të ishte krejtësisht ndryshe dhe aspak pozitive për kombin tonë”, tha Veseli.

E kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se shqiptarët duhet të punojnë gjithnjë për ditë të vështira që mund të vinë. Në këtë drejtim, ai ka përmendur luftën e fundit me Serbinë, e cili sipas tij, po synohet të përmbyllet me pazare të reja politike.

“Është e padrejtë me ndodhë. Ju siguroj se mënyra e vetme me u përmbyll një luftë mes Kosovës dhe Serbisë, lufta e 99 që i la Kosovës shumë plagë, shkatërrime e edhe këto objekt të djegur, e vetmja mënyrë me u mbyll është me një pajtim mes shqiptarëve dhe serbëve pa pazare të tjera të ndyta në dëm të shqiptarëve”, shtoi Haradinaj.

Ndryshe, në ceremoninë e shënimit të 140-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit ka ndodhur një incident, kur një grua e cila u prezantua si pasardhëse e gjeneral Mehmet Pashë Derallës, i cili ka qenë ministër i parë i shtetit shqiptar i qeverisë së Ismail Qemalit, doli në foltore pa ftesë. Përderisa asaj fillimisht iu ndal mikrofoni, krye-parlamentari Veseli u ngrit pas pak për t’ia lëshuar vet mikrofonin. Por pa vonuar shumë, u ngrit edhe kryeministri Haradinaj për ta larguar nga foltorja gruan, duke i thënë se duhet të vazhdojë ceremonia me programin e paraparë. Kurse më pas ishte edhe një burrë i moshuar që u afrua tek kryeministri, por që u largua nga sigurimi. 

***

TIKA do të restaurojë Bajrakli Xhaminë dhe Xhaminë e Çarshisë

Në Institutin Kosovar për Mbrojtjen e Monumenteve janë nënshkruar dy memorandume të bashkëpunimit për restaurimin e Xhamisë së Çarshisë në Prishtinë si dhe Xhamisë së Gazi Mehmed Pashës, të njohur si Bajrakli Xhamia ku edhe është mbajtur Kuvendi historik i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Projektet do të realizohen nga ana e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA).

Me qëllim të ruajtjes dhe transferimit të trashëgimisë kulturore në gjeneratat e ardhshme, dy memorandumet u nënshkruan ndërmjet TIKA-s, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës (MKRS) si dhe Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK). 

Ambasadorja e Republikës së Turqisë në Prishtinë, Kıvılcım Kılıç shprehu besimin që me restaurimin e këtyre dy monumenteve të rëndësishme të trashëgimisë sonë të përbashkët, do të forcojmë lidhjet tona të lashta historike dhe vëllazërore sot dhe në të ardhmen. 

Ndërkaq, kryetari i BIK-ut, Naim Tërnava, tha se kjo ditë është një ditë e madhe dhe e bereqetshme. 

"Xhamia Sulltan Murat apo Xhamia e Çarshisë është xhamia më e vjetër e ndërtuar në Kosovë. Është xhami unike edhe ndër të gjitha xhamitë në Ballkan, sepse është e ndërtuar tërësisht prej gurit. Andaj, ajo me vete me të vërtetë bart një thesar shumë të madh të kulturës sonë, të fesë sonë", tha Tërnava.

Tërnava kërkoi nga Ministria e Kulturës të lehtësojë punën procedurale për restaurimin e objekteve. Ai shprehu shpresën që brenda një muaji e gjysmë të fillojnë edhe restaurimet e tri xhamive të tjera, Xhamisë Alaudin, Xhamisë së Perinazit dhe Xhamisë së Vogël (Buzagi Xhamia). 

Nga ana tjetër, sekretari i MKRS-së, Veton Firzi, falënderoi Qeverinë turke dhe TIKA-n për ndihmën e vazhdueshme për ruajtjen e monumenteve të trashëgimisë kulturore. 

Po ashtu, koordinatori i TIKA-s në Kosovë, Hasan Burak Ceran, tha se ka filluar edhe projektimi i Hamamit të Madh (Fatih) të Prishtinës, ndërsa theksoi se edhe projektet e Mejtepe Ruzhdijes në Gjakovë dhe Ruzhdijes në Prizren janë në përgatitje.

***

Gjykata Kushtetuese thotë se nuk është çështje e saj rritja e pagave

Gjykata Kushtetuese e Kosovës pas shqyrtimit të ankesës së bërë nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka theksuar se nuk është dëshmuar se vendimi për rritjen e pagave përbën çështje të nivelit kushtetues.

Po ashtu Kushtetuesja thotë se bazuar në argumentet e paraqitura, nuk rezulton se Kuvendit i është cenuar apo pamundësuar ushtrimi i kompetencave të tij kushtetuese për miratimin dhe zbatimin e buxhetit shtetëror. Gjykata më tej shtoi se nuk është brenda fushëveprimit të saj që të vlerësojë apo të zëvendësojë politikat publike të përcaktuara nga organi legjislativ apo ekzekutiv. Parimi i ndarjes së pushteteve detyron Gjykatën Kushtetuese që të respektojë përcaktimin e politikave nga organet gjegjëse kushtetuese.

***

Haradinaj nuk deklarohet, VV dhe LDK të ashpër

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, të hënën, ka thënë se nuk kishte marrë ende deri në atë kohë zyrtarisht ndonjë vendim nga Gjykata Kushtetuese për çështjen.

“Nëse më falni ju kisha thënë nesër, se hala nuk e kam dëgjuar lajmin më beso, unë”, tha ai.

Kurse deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, e cila inicioi vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, e ka quajtur të turpshëm vendimin e kësaj Gjykate.

“Sa vendime të dëmshme nxjerrë kjo Gjykatë Kushtetuese, kësisoj nuk do të ishte keq me ja vendos drynin! Turp për ju Arta Rama Hajrizi, Ivan Čukalović, Altay Suroy, Snezhana Botusharova, Bekim Sejdiu, Selvete Gerxhaliu! Nuk arritët të mbroni Kushtetutën dhe integritetin personal e profesional!”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

E kreu i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, tha se Gjykata Kushtetuese vlerëson se vendimi i Qeverisë nuk përbën çështje të nivelit kushtetues. Kaq.
Por, këtë vendim, ashtu sikurse edhe vendimet tjera skandaloze të kësaj Qeverie të pakicës, do ta pengojmë me mjete ligjore, politike dhe demokratike.

“Na duhet mbështetje e madhe qytetare për të hequr qafe përgjithmonë këtë klasë politike që po vjedh të ardhmen e gjeneratës së ardhshme”, ka shkruar Hoti në Facebook.

***

Iu rriten mëditjet për kujdestari, mjekëve specialistë dhe infermierëve

Mjekët specialistë si dhe infermierë, tash e tutje do të paguhen deri në 45 për qind më shumë në ditët e kujdestarisë, varësisht nga ditët e punës. Kjo është bërë e ditur me rastin e nënshkrimit të Kontratës Kolektive sektoriale me Federatën e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, tha se është i rëndësishëm që u arrit kjo marrëveshje pasi punëtorët shëndetësorë e meritojnë të kenë paga edhe më të mira.

“Është hera e parë që e fusim edhe kujdestarinë parësore në kontrata kolektive e cila sheh beneficione për specializantët 45%, dhe po ashtu është rritur rreth 45% edhe për infermierët kujdestaritë dhe kjo e tejkalon edhe ligjin e punës, pasi që jep beneficione më të larta se që parashihet”, shtoi Ismajli.

Ndërsa Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla falënderoi ministrin për insistimin e tij të vazhdueshëm për realizimin e nënshkrimit të kësaj kontrate.

***

Vendkalim i ri kufitar Kosovë-Maqedoni

Është vënë gurë-themeli për ndërtimin e vendkalimit të ri kufitar ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë - “Stançiq- Bellanoc”.

Me këtë rast zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, porositi se kufijtë e shtetit të Kosovës janë të paprekshëm dhe të pacenueshëm.

 “Hartat politike në Ballkan dhe kufijtë historikisht në këto dy-tre mijë vitet e fundit janë bërë dhe ribërë, por ne kemi qëndruar këtu si popull dhe kufijtë e sotëm të Republikës së Kosovës janë të paprekshëm, të pandryshuar dhe të pacenuar”,

E zëvendës-kryeministri i qeverisë së Maqedonisë për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, tha se vendkalimi I ri, është një projekt jashtëzakonisht i rëndësishëm politik, për marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve.

 “Përmes këtij vendkalimi ka për t’u lehtësuar qarkullimi i përbashkët i qytetarëve të këtyre komunave dhe komunave fqinje, gjë që është parakusht edhe për rritjen e shkëmbimeve ekonomike-tregtare mes këtyre zonave, potencial i fuqishëm për të bërë biznes e për të siguruar mirëqenie e prosperitet ekonomik”, ka thënë ai.

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova si dhe Shefi i delegacionit të BE-së në Shkup, Samuel Zbogar deklaruan se hapja e pikës së re kufitare tregon punën e përbashkët të dyja vendeve në rrugën e tyre drejt integrimeve evropiane. Kjo është pika e tretë e përbashkët ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë,  e ndërtuar  në konceptin e Menaxhimit të Integruar të Kufirit.

***

Binjakëzohen Prizreni e Berati

Përmes binjakëzimit me bashkinë e Beratit, komuna e Prizrenit po synon ti ofrohet anëtarësimit në UNESCO, është shprehur kryetari i komunës Mytaher Haskuka.

Kryetari Haskuka, tha se është nënshkruar një akt i rëndësishëm në Jubileun e 140-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, dhe 19 vjetorin e Çlirimit të Prizrenit me bashkinë e Beratit. Binjakëzimi i dy qyteteve sipas Haskukës, do t’u ndihmojë që të thellojnë bashkëpunimin në shumë fusha me theks të veçantë asaj të trashëgimisë kulturore.

“Është çështja e aplikimit në UNESCO, se si të mbrojmë trashëgiminë kulturore në Prizren, dhe ti marrim përvojat më të mira nga Bashkia e Beratit”, ka thënë Haskuka.

Kurse Petrit Sinaj nga Bashka e Beratit tha se 140 vjet më parë Prizreni  u bë  kryeqendër e trojeve shqiptare me themelimin e Lidhjes së Prizrenit, e kjo  marrëveshje  do i forcojë lidhjet edhe më shumë . 

“Popujt tanë normalisht s’kanë nevojë të komentohen, sepse jemi një etni. Kufijtë janë shumë figurativë tashmë. E ajo që duhet të bëjmë është të shkrijmë gjithë përvojat më të mira që ekzistojnë në komunën e Prizrenit dhe në bashkinë e Beratit për të rritur cilësinë e jetesës së banorëve të qyteteve tona, sidomos edhe në fushat që kryetari, apo marrëveshja që nënshkruam ka”, ka thënë Sinaj.

Ideja e binjakëzimit të këtyre dy qyteteve ka ardhur në Amasja të Turqisë, me të cilin qytet muaj më parë janë binjakëzuar dy qytete me arkitekture karakteristike, Prizreni dhe Berati.

-Përgatiti për TRT Shqip, Muharrem SARAGJOJLLI -



Lajme të ngjashme