Të rinjtë nga Kosova, mundësi për shkollim të lartë në Turqi

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi me ambasadoren e Republikës së Turqisë në Kosovë, Kivilcim Kiliç, ka nënshkruar protokollin zbatues të memorandumit të bashkëpunimit në fushën e arsimit të lartë ndërmjet Ministrisë dhe Këshillit për Arsim të Lartë.

Shyqiri Bytyqi_Kıvılcım Kılıç2.jpg

Marrëveshja e nënshkruar të hënën në mes të Ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi me ambasadoren e Turqisë në Kosovë, Kivilcim Kiliç, një protokoll zbatues i memorandumit të bashkëpunimit në fushën e arsimit të lartë ndërmjet Ministrisë dhe Këshillit për Arsim të Lartë, krijon mundësi të reja për të rinjtë nga Kosova të shkollohen në Turqi.

Ministri i Arsimit Bytyqi, ka falënderuar ambasadoren Kiliç, për mbështetjen e arsimit në Kosovë, në veçanti arsimimin dhe edukimin e nxënësve dhe studentëve të komunitetit turk që jetojnë në Kosovë.

“Ky protokoll, veç tjerash ka për synim përcaktimin e vendosjes së pagesës së arsimit universitar dhe pasuniversitar, si dhe ndarjen e bursave dhe çështjeve tjera të ndërlidhura për studentët e Republikës së Kosovës, të cilët kanë mbaruar shkollimin e tyre të ulët dhe të mesëm në Kosovë dhe që dëshirojnë të vazhdojnë shkollimin e lartë në Turqi”, ka shkruar ai.

Postimi i plotë i ministrit të Arsimit Shyqiri Bytyqi:

Bashkë me ambasadoren e Turqisë në Kosovë, znj. Kivilcim Kiliç, kam nënshkruar protokollin zbatues të Memorandumit të Bashkëpunimit (MB) në fushën e arsimit të lartë ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Këshillit për Arsim të Lartë.

Falënderova ambasadoren për mbështetjen e arsimit në Kosovë, në veçanti arsimimin dhe edukimin e nxënësve dhe studentëve të komunitetit turk që jetojnë në Kosovë, njëherësh theksova se ndër prioritetet kryesore të MAShT është gjithëpërfshirja në arsim, krijimi i kushteve të barabarta për të gjithë përfshirë këtu edhe fëmijët e komuniteteve jo shumicë.

Ky protokoll, veç tjerash ka për synim përcaktimin e vendosjes së pagesës së arsimit universitar dhe pasuniversitar si dhe ndarjen e bursave dhe çështjeve tjera të ndërlidhura për studentët e Republikës së Kosovës, të cilët kanë mbaruar shkollimin e tyre të ulët dhe të mesëm në Kosovë dhe që dëshirojnë të vazhdojnë shkollimin e lartë në Turqi. 

***

Thaçi i dorëzon BE-së letërkëmbimin për përfundimin e mandatit të EULEX-it

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka dorëzuar tek autoritetet e BE-së letërkëmbimin me Përfaqësuesen e Lartë për Politikë të Jashtme e Siguri, Federica Mogherini, me të cilin përmbyllet mandati i deritashëm i EULEX-it.

“Letrën e kanë pranuar Komandanti i Operacioneve Civile të PPSM, Kenneth Deane, si dhe shefja e EULEX-it, Alexandra Papadopoulou.

Përmbajtja e letrës është negociuar në mes palës kosovare dhe asaj të BE-së dhe parasheh përfundimin e mandatit ekzekutiv dhe reduktimin e rolit të EULEX-it në rol monitorues dhe këshillues në fazën e përmbylljes së misionit”, thuhet në njoftimin për media.

“Ka qenë një dekadë e vlefshme për Kosovën”, u shpreh presidenti Thaçi në këtë takim, duke shtuar se “institucionet e Kosovës kanë përfituar shumë nga bashkëpunimi me EULEX-in”.

“Falë këtij bashkëpunimi, sot kemi ngritur kapacitetet vendore për të marrë plotësisht përgjegjësitë në sektorin e sundimit të ligjit”, u shpreh ai.

Presidenti Thaçi shtoi se “EULEX-i ka qenë mision i suksesshëm dhe nga kjo përvojë edhe BE-ja mund të nxjerrë mësime të rëndësishme për misionet e ngjashme në të ardhmen”.

Mandati i misionit të EULEX-it skadon më 15 qershor 2018, kurse misioni i ardhshëm do të jetë i përqendruar në përmbylljen e transferimit të plotë të kompetencave tek organet e Kosovës, si dhe në përmbylljen e misionit. 

***

Haradinaj thotë se këtë vit liberalizohen vizat dhe krijohet ushtria e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se viti 2018 është vit i liberalizimit të vizave dhe vit i Ushtrisë së Kosovës. Ai ka thënë se ky është vit i realizimit të këtyre proceseve, në koordinim të plotë me partnerët ndërkombëtarë.
Këto komente, kreu i Qeverisë i bëri në Pejë, në kuvendin zgjedhor të partisë së tij, AAK-së. Me këtë rast, pejanëve u foli edhe për demarkacionin me Malin e Zi, duke treguar se Qeveria e ka njoftuar Qeverinë e Malit të Zi për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin bashkë me raportin me të gjeturat për korrigjim. Lidershipi i Malit të Zi, sipas tij, është i gatshëm për këtë korrigjim.
Haradinaj mori pjesë edhe në tri kuvende të tjera zgjedhore të AAK-së, në Klinë, Suharekë dhe Rahovec.

***

Nuk miratohet kërkesa e VV-së për shkarkimin e Aida Dërgutit

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk kanë votuar propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje për shkarkimin e nënkryetares Aida Dërguti.

Nga 91 deputetë, të cilët kanë votuar, 17 vota ishin pro, 26 kundër dhe 48 abstenime.

Kjo kërkesë e VV-së seancën e kaluar nuk ishte hedhur për votim për shkak se nuk kishte pasur kuorum.

Po ashtu në lidhje me këtë pikë të premten në seancën e kaluar ka pasur polemika të ashpra në mes të ish-shokëve të idealit Dardan Molliqaj, që tash i përket PSD-së dhe Glauk Konjufcës nga Vetëvendosje.

***

MASHT shpall rezultatin e Testit të Arritshmërisë

Ministra e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), ka bërë publike rezultatet e Testit të Arritshmërisë për klasat e nënta, sipas të cilit arritshmëria është 61 për qind, apo 3 për qind më shumë se vitin e kaluar ku arritshmëria ishte 58 për qind.

Siç dihet, Testi i Arritshmërisë nuk ka karakter eliminues për nxënësit, por rangimi i tyre sipas rezultateve do t’u shërbejë si përparësi  për regjistrimin e tyre në shkollimin e mesëm të lartë.

Menjëherë pas shpalljes së rezultateve, MASHT ka filluar shpërndarjen e tyre në Drejtoritë Komunale të Arsimit.

Ky test njëherësh, i shërben MASHT-it edhe për shqyrtimin, apo përmirësimin e politikave arsimore, me synimin e përhershëm për ngritjen e cilësisë në mësimdhënie dhe mësimnxënie

***

BQK arrin marrëveshje mirëkuptimi me Bankën Qendrore Evropiane

Banka Qendrore e Kosovës së shpejti do të arrijë një marrëveshje bashkëpunimi me Bankën Qendrore Evropiane.

Kështu është bërë e ditur në një takim mes Guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti dhe Drejtorit Gjeneral të Bankës Qendrore Evropiane, Rolf Klug.

Drejtorin Gjeneral të BQE-së është njoftuar nga Guvernatori Mehmeti lidhur me zhvillimet e fundit në sistemin bankar në Kosovë, si dhe me përafrimin e kornizës ligjore të BQK-së me atë të Bashkimit Evropian dhe Parimeve të Bazel-it.

Po ashtu në takimin e zhvilluar është rënë dakord për nënshkrimin e marrëveshjes së mirëkuptimit mes BQK-së dhe BQE-së, në një afat sa më të shpejtë.

Në emër të BQK-së, Guvernatori Mehmeti, e falënderoi BQE-në për bashkëpunimin dhe përkrahjen e vazhdueshme, me shpresë që e njëjta të vazhdoj edhe më tutje.

Nga ana tjetër, zëvendës Drejtori Gjeneral i Bankës Qendrore Evropiane, Rolf Klug, uroi Guvernatorin Mehmeti për përzgjedhjen në pozitën e Guvernatorit të BQK-së dhe konfirmoi përkrahjen dhe bashkëpunimin e mëtejmë mes ECB-së dhe BQK-së.

***

LDK kritikon punën e Shpend Ahmetit

Në Komunën e Prishtinës ka ulje të investimeve kapitale, ka shtim të shpenzimeve për dreka e darka ndërkohë që ka rritje të stafit administrativ. Këto janë disa nga kritikat që Lidhja Dmokratike e Kosovës i adresoi ndaj udhëheqësve të Komunës së Prishtinës. Deputeti Arban Abrashi po ashtu tha se projektet për disa shkolla të cilat janë propozuar, nuk ka asnjë hap në këtë drejtim. Madje, ai tha se në komunë janë shtuar edhe tri drejtori, të cilat po e ngarkojnë buxhetin komunal.

Sipas Abrashit, komuna tanimë ka marrë mbi 60 vetura me qira dhe kjo është në kundërshtim me atë se çfarë ata kanë premtuar për qeverisjen e tyre me kryeqytetin.

***

Shoqëria civile kundër TC Kosova e Re

Konsorciumi kosovar i shoqërisë civile për zhvillim të qëndrueshëm kundërshtoi marrëveshjen e qeverisë me kompaninë amerikane Kontur Global për ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re. Në një konferencë të organizuar prej tyre u tha se marrëveshja është në kundërshtim me vet synimin për tranzicion të energjisë.

Kosova duhet ta bëjë sa më parë tranzicionin e energjisë, nëse dëshiron ta zë hapin me vendet e Bashkimit Evropian, u tha në një tryezë.

Sekretari i komunitetit të energjisë në Vjenë, Dirk Buschle, tha se do ta hartojnë edhe një ligj për klimën, të cilin sa më parë do t’ia prezantojnë Kuvendit të Kosovës dhe Qeverisë.

Kurse, Dardan Sejdiu, nga Komisioni parlamentar për Zhvillim Ekonomik, tha se marrëveshja për ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re është në kundërshtim me të gjitha ligjet dhe rregulloret e vendit për tranzicion të energjisë.

Ndërsa ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin lluka, i cili kishte qenë i ftuar, nuk ishte i pranishëm me arsyetimin se do të jetë i vetmi i cili do ta përkrahë marrëveshjen për ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re, u tha në konferencë.

***

Telekomi i Kosovës është plaçkitur sistematikisht, thotë Kurti

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se në Telekomin e Kosovës është bërë plaçkitje sistematike dhe sipas tij, mosveprimi i prokurorisë shndërrohet në bashkëveprim në krim. Ai po ashtu beson se Telekomi i Kosovës mund të shpëtohet dhe zhvillohet.

“Ne konsiderojmë se Telekomi i Kosovës edhe mund të shpëtohet, edhe të zhvillohet. Prokuroria të veprojë duke hetuar menjëherë, qeveria të veprojë për një menaxhment krize, me detyrë për ristrukturim të thellë dhe nën mbikëqyrje të përgjegjshme publike”, ka thënë Kurti.

Kurti më tej ka kritikuar prokurorinë, e cila nuk ka vepruar edhe pse krimi ishte denoncuar.

“Ky krim është denoncuar nga profesor Ismet Hamit në prokurori, prokuroria nuk ka vepruar. Ne sërish kërkojmë fillimin e këtyre hetimeve, mirëpo mosveprimi i prokurorisë shndërrohet natyrisht në bashkëveprim në këtë krim të organizuar”, ka shtuar Kurti.

Kurse vet profesor Ismet Hamiti tha se fitimet e Telekomit janë plaçkitur në vazhdimësi.

“Përgjegjëse për këtë gjendje janë të gjitha qeveritë e pas luftës, edhe kjo aktuale. Ata kanë vepruar kundër interesit publik dhe në interes të grupeve të veta.”

Hamiti tutje tha se individë të kontrolluar nga grupe të caktuara kanë plaçkitur 30 për qind të të hyrave të Telekomit duke krijuar skemën e ashtuquajtur operator mobil virtual që njihet si ‘Z mobile’.

***

Cilësia e ajrit tani mund të shihet edhe në qytetet e tjera të Kosovës

Në kuadër të Javës së Mjedisit, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë ka prezantuar softuerin për paraqitjen në kohë reale të të dhënave për cilësinë e ajrit në Kosovë.

Ministrja e këtij dikasteri, Albena Reshitaj ka thënë se janë 8 stacione monitoruese të lokalizuara në 6 komuna të Kosovës.

Secili parametër i ka kufijtë e vet por pluhuri në nivelin deri 50 pm është në kufijtë e lejuar. Qasja në këto të dhëna do të japë mundësi që në bazë të vlerave të ndotjes Ministria e Mjedisit të marrë masa konkrete,- ka thënë Reshitaj.

Sipas saj softveri është në fazën testuese por shumë shpejt të dhënat do të përditësohen.

Të gjithë qytetarët vlerën e ndotjes së ajrit do të mund ta kontrollojnë në linkun kosovo-airquality.com, e po ashtu u tha se brenda një muaji do të krijohet aplikacioni për kontrollin e ajrit edhe me smartphone.

-Përgatiti për TRT Shqip Muharrem SARAGJOLLI-



Lajme të ngjashme