Bullgaria përkrah Kosovës në rrugën e integrimeve euroatlantike

Në kuadër të Konferencës për Sigurinë Globale, në Tiranë, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, zhvilloi një takim dypalësh me homologun bullgar, Boyko Borisov...

Boyko Borisov - Ramush Haradinaj 01.jpg
Boyko Borisov - Ramush Haradinaj 02.jpg

“Kosova është e përkushtuar për vazhdimin e marrëdhënieve të mira dhe bashkëpunimin bilateral me Bullgarinë, si dy vende mike”, theksoi të hënën shefi i Prishtinës zyrtare, Ramush Haradinaj.

Në kuadër të Konferencës për Sigurinë Globale, në Tiranë, Kryeministri i Haradinaj zhvilloi një takim dypalësh me homologun bullgar, Boyko Borisov, të cilin e falënderoi në emër të qeverisë dhe popullit të Kosovës për mbështetjen që i ka dhënë dhe po i jep asaj për të qenë palë e barabartë në të gjitha nismat dhe forumet e BE-së me Ballkanin Perëndimor.

Haradinaj e njohu kryeministrin bullgar me proceset në Kosovë duke vlerësuar mbështetjen e Bullgarisë për rrugën e integrimeve euroatlantike të Kosovës dhe shprehu gatishmërinë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në të gjitha fushat, me theks në fushën e ekonomisë, arsimit dhe kulturës.

“Që nga marrja e kryesimit të Presidencës së BE-së, Bullgaria ka luajtur rol të rëndësishëm në afrimin e Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor me këtë organizatë dhe për këtë ne do t’i jemi gjithmonë falënderues shtetit bullgar dhe Kryeministrit Borissov”, tha ai.

Duke kërkuar ndihmën e mëtejshme të Bullgarisë, Kryeministri Haradinaj tha se “Kosova ka nevojë të ketë një mik siç është Bullgaria në procesin e liberalizimit të vizave dhe të integrimit në BE dhe në NATO, por edhe në synimin për t’u anëtarësuar në INTERPOL dhe EUROPOL”.

Kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borisov, nga ana e tij theksoi se “Bullgaria do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në përmbushjen e synimeve të saj për një shtet të suksesshëm të integruar në bashkësinë euroatlantike”. /ATSH



Lajme të ngjashme