Ambasadori Sardi: Roma zyrtare mbështet integrimin e plotë evropian të Kosovës

Ambasadori i Italisë në Prishtinë, Pierro Cristoforo Sardi, tha me rastin e festës kombëtare të vendit të tij se Roma zyrtare mbështet integrimin evropian të Kosovës...

Ambasadori Sardi: Roma zyrtare mbështet integrimin e plotë evropian të Kosovës

Ambasadori i Italisë në Prishtinë, Pierro Cristoforo Sardi, tha me rastin e festës kombëtare të vendit të tij se Roma zyrtare mbështet integrimin evropian të Kosovës, ndërsa e quajti esencial dialogun në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në ceremoninë e organizuar nga Ambasada e Italisë në Kosovë morën pjesë zyrtarë të lartë të institucioneve të vendit dhe shumë të ftuar.

Diplomati italian theksoi se vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshi Kosovën, kanë perspektivë evropiane, e cila është riafirmuar në Samitin e Sofjes para dy javësh.

“Kosova doli me sukses nga rruga e gjatë për pavarësi. Që nga përfundimi i luftës në vitin 1999 dhe deri në arritjen e pavarësisë, shumë rezultate janë arritur deri më tani në kuadër të stabilizimit politik, zhvillimin ekonomik dhe konsolidimin institucional. Niveli i angazhimit, përkushtimi, vendosmëria e institucioneve të Kosovës, shoqërisë civile dhe qytetarët kanë bërë përpjekje për arritjen e këtyre qëllimeve dhe vazhdojnë të kompletojnë linjën sipas standardeve të BE-së dhe arritjen e qëllimeve euroatlantike. Kosova arriti lirinë dhe pavarësinë, por ende duhet të implementohen lufta kundër papunësisë, puna në shërbimet lokale, arsimi, liria e lëvizjes, sundimi i ligjit dhe një administratë më efikase. Si mik i Kosovës, vendi im mbështet integrimin e plotë evropian dhe inkurajon Kosovën të vazhdojë tutje me vendosmëri në përkushtimet dhe obligimet e saj”, ka thënë Sardi.

Dialogu me Serbinë, i cili pritet të vazhdojë në fund të qershorit ose në fillim të korrikut, sipas ambasadorit italian, është esencial për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi në rrugëtimin drejt Evropës, ndërsa shprehu besimin se liberalizimi i vizave do të ndodhë së shpejti pas ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi.

Ndërsa Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka çmuar rolin e shtetit italian për Kosovën duke siguruar se vendi do të ketë sukses në rrugëtimin e tij në të ardhmen si shtet me perspektivë evropiane.

“Jemi falënderues për përkrahjen e Italisë për Kosovën dhe dëshiroj të potencoj faktin se Kosova do të jetë partner i qëndrueshëm i shtetit mik të Italisë dhe njëkohësisht i BE-së dhe SHBA-së. Kosova është vend perëndimor dhe ka aspirata të qarta për integrim në Evropë dhe NATO. Falënderoj Italinë për gjithë përkrahjen që po na jep, në mënyrë të veçantë komandantët e KFOR-it dhe gjithë ushtarakët që shërbejnë në atdheun tonë në Kosovë dhe të jeni të sigurt se Kosova po futet në dekadën e tretë të lirisë dhe dekadën e dytë të shtetësisë dhe ka arritur një progres të jashtëzakonshëm në ecjen përpara dhe ne kosovarët jemi të ngadalshëm, por për të dështuar nuk dështojmë asnjëherë”, ka thënë Veseli. /ATSH



Lajme të ngjashme