Shpallen rezultatet e zgjedhjeve lokale në Mal të Zi

Partitë politike shqiptare në Mal të Zi mbesin pa përfaqësues në kuvendet lokale të Tivarit dhe Rozhajës...

Shpallen rezultatet e zgjedhjeve lokale në Mal të Zi

Në 11 qytete të Malit të Zi u zhvilluan zgjedhjet lokale. Partia Demokratike e Socialistëve e Presidentit Millo Gjukanoviq ka arritur suksesin më të madh në këto zgjedhje.  Ajo do të mund vetëqeverisë në kryeqytetin Podgoricë dhe në 5 qytete, ndërsa në 3 qytete të tjera ajo do të qeverisë me partnerët e saj tradicional.  Fronti Demokratik, i cili tubon partitë opozitare proserbe, në këto zgjedhje shënoi rezultate të dobëta, ndërkohë që Demokratët dhe lëvizja qytetare URA  arriti rezultate të mira në disa qytete. Rritje të dukshme në këto zgjedhje shënuan Socialdemokratët, që janë përndryshe partner të partisë në pushtet.  Duke iu referuar zgjedhjeve, mund të themi se subjektet shqiptare pas një kohe të gjatë kanë mbetur pa përfaqësuesin e tyre në qytetin e Tivarit dhe të Rozhajës. Ata do të jenë të përfaqësuara me nga një këshilltar në Kuvendin e Podgoricës dhe atë të Plavës. Sa i përket qytetit të Ulqinit, zgjedhjet lokale u zhvilluan me herët, por këto ditë është arritur marrëveshja paszgjedhore e përbëre nga një  koalicion i gjerë partish. Pushtetin vendor do ta përbëjnë PartiaDemokratike e Socialistëve (DPS), Unioni Demokratik i Shqiptarëve (UDSH), Partia Demokratike (PD) dhe Socialdemokratët (SD). Nga ky koalicion paszgjedhor, funksioni i kryetarit të komunës i takoi Partisë Demokratike të Socialisteve dhe ai është funksionar i lartë i kësaj partie, Loro Nrekiq.

Pritet emërimi i ambasadorit të ri

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka dekretuar lirimin nga detyra të ambasadorit të Shqipërisë në Mal të Zi, Ernal Filo. Dekreti është firmosur nga presidenti para pak ditësh, ndërsa pritet emri i ambasadorit të ri të Shqipërisë në Mal të Zi. Përndryshe marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tradicionalisht janë të shkëlqyera dhe dy vendet fqinje anëtare të NATO-s synojnë të njëjtin destinacion në anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian.

Ende nuk ka një shkresë zyrtare për Demarkacionin midis Malit të Zi dhe Kosovës

Mediat në Mal të Zi, duke iu referuar burimeve të qeverisë, thonë se Kosova ende nuk e ka njoftuar zyrtarisht Malin e Zi për përfundimin e procedurave të brendshme sa i përket ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit të kufirit pavarësisht se Kuvendi i Kosovës e ka ratifikuar atë. Në qeverinë e Malit të Zi thonë se nuk kanë pranuar asnjë njoftim zyrtar nga institucionet e Kosovës  dhe se marrëveshja hyn në fuqi vetëm në ditën e marrjes së  njoftimit me shkrim. Ata presin që “Republika e Kosovës zyrtarisht ta informojë Malin e Zi për përfundimin e procedurave të brendshme të nevojshme për hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshjeje duke pasur parasysh se Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar ligjin për ratifikimin e marrëveshjes”. Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se kjo është çështje procedurale dhe se atë duhet ta kryejë Ministria e Punëve të Jashtme.

Pika të reja kufitare me Shqipërinë, shanse për begatimin e ofertës turistike

Banorët e Krajës, trevë kjo e banuar nga shqiptarët autoktonë, kanë iniciuar nëpërmes bashkësisë së tyre lokale edhe një herë kërkesën e hershme për hapjen e pikës kufitare me Shqipërinë në Skje-Zogaj. Ata thonë se hapja e këtij vendkalimi jo vetëm që do të begatonte ofertën turistike në bregun e liqenit të Shkodrës, por do të nxirrte nga izolimi këtë krahinë të lëne pas dore e ku popullata krejtësisht shqiptare vazhdon të emigrojë jashtë shtetit. Kërkesa për hapjen e pikave kufitare tashmë është bërë çështje diskutimi në nivel dypalësh dhe ketë e kanë në programet e tyre të gjitha subjektet politike shqiptare në Mal të Zi. Përveç kësaj pike kufitare, ata thonë se me leverdi të madhe për të dy vendet do të ishte edhe ndërtimi i një pike të re kufitare sipër lumit të Bunës dhe i rrugës përkatëse në Shën-Kollë-Pulaj, e cila po ashtu do të ishte në shërbim të ofertës turistike të qytetit të Ulqinit dhe atij të Velipojës.

Ulqini  po bën përgatitjet e fundit për pritjen e turistëve  

Ka ditë që plazhet e Ulqinit po mbi popullohen nga numri i turistëve  vendas dhe të huaj. Ulqini ka plazhe të virgjëra dhe me ujë të pastër e në ditët në vijim 7 nga këto plazhe do të marrin flamurin e kaltër, simbol që flet për cilësinë dhe plotësimin e kushteve të niveleve evropiane. Ndërkohë dyert kanë hapur edh e të gjitha objektet hoteliere. Këtë vit në Ulqin risi është dhe prezenca e konsorciumit KARISMA Hotels and Resort e cila ka marrë në administrim për 30 vite objektet e Plazhit të Madh të Ulqinit. Tashmë objektet kanë ndryshuar krejtësisht pamjen e tyre e mysafirët e parë kryesisht nga Evropa Perëndimore pritet të mbërrijnë në fillim të qershorit. Por mysafirët tradicional të Ulqinit janë nga Kosova.  Ata vijnë përmes pikës kufitare Sukobinë-Muriqan. Në këtë aks rrugorë janë duke u zhvilluar punime e kjo mund të vështirësoj qarkullimin gjatë sezonit turistik por po bëhen përpjekje dhe ka paralajmërime se njëra nga korsitë mund të rregullohet deri në vlugun e sezonit turistik. Përndryshe të gjithë theksojnë se sezoni i këtij vit jo vetëm për Ulqinin por edhe për tërë bregdetin e Malit të Zi do të jetë shumë i suksesshëm.

Ministri i Kulturës së Malit të Zi premton ndihmë për muzeun etnografik të shqiptarit nga Tuzi

Në fshatin Lekaj pranë komunës urbane të Tuzit ndodhet shtëpia e Shtjefën Ivezajt e shndërruar prej vitesh në muze etnografik.  Brenda godinës ekzistojnë qindra objekte të rralla. Muzeu përmban kuadrin historik, zejtarinë me lloje zejesh, veshjet, veglat muzikore, koleksione të shumta aparatesh fotografik, libra, pulla postare dhe materiale të tjera me vlera të mëdha. Pronari i muzeut ka qenë fotografi i parë në malësi dhe nga banorët vendas konsiderohet si pasardhës i Marubëve të Shkodrës. Është konstatim i përgjithshëm se muzeu brenda ruan histori shekujsh, qytetërim po dhe mbijetesë të banorëve autokton të malësisë. Këtë muze etnografik e vizitoi ministri i Kulturës së Malit të Zi, Aleksandar Bogdanoviq. Ai tha se kjo shtëpi është vend i rëndësishëm për kulturën e Malit të Zi ku ruhet trashëgimia  e popujve në këto hapësira, por edhe promovohet edhe Mali i Zi si shtet multinacional dhe multikulturor. Sipas tij, ky muze paraqet një rast të mirë për vlerësimin e trashëgimisë kulturore në shërbim të turizmit dhe se në këtë drejtim pronari do të ketë përkrahjen e Ministrisë së Kulturës.       

Iftare dhe ndihma humanitare për nder të muajit të Ramazanit

Për nder të muajit të shenjtë të Ramazanit, në Mal të Zi vazhdojnë  aktivitete të ndryshme fetare dhe iftare. Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim, TIKA, pas iftarit të organizuar në Podgoricë, shtroi dhe dy iftare të tjera në Qendrën Islame në Tivar. Në iftarin e parë ishin të ftuar prijës fetar të Meshihatit të Bashkësisë Islame të Malit të Zi, ndërsa iftari tjetër është shtruar për vijuesit, të cilët me sukses përfunduan kursin e mësimit të gjuhës turke në Ulqin dhe Tivar. Në iftar ishin të pranishëm rreth 50 kursantë të niveleve të ndryshme të kursit, i cili do të vazhdoj në muajin shtator. Gjatë këtyre ditëve, mjaft aktive është edhe Bashkësia Islame e Ulqinit. Përfaqësuesit e saj ishin të ftuar nga Bashkësia Islame e Prizrenit në një iftar të përbashkët, që tashmë është bërë traditë të organizohet në Ulqin dhe Prizren.

 

Për Zërin e Turqisë nga Mali i Zi përgatiti, Vera ALIBEGU KATANA



Lajme të ngjashme