Mali i Zi kremtoi 12-vjetorin e pavarësisë

Më 21 maj të vitit 2006 qytetarët e Malit të Zi përmes votës në referendum mbështetën pavarësinë nga Serbia.

Karadağ Cumhurbaşkanı_Millo Gjukanoviq.jpg
Karadağ NATO üyesi oldu.jpg
Karadağ_Diyanet Vakfın yardımları.jpeg
TİKA binası_Karadağ_Podgorice.jpg
Karadağ_Ulqin_Ülgün_Xhamia e Kryepazarit.jpg

Në Mal të Zi me aktivitete të ndryshme u kremtua 12-vjetori i pavarësisë. Më 21 maj të vitit 2006 qytetarët e këtij vendi përmes votës në referendum mbështetën pavarësinë nga Serbia. Për suksesin e referendumit në atë kohë ishte e nevojshme mbështetja e se paku 55% e votueseve ndërkaq vota pro e pakicës shqiptare ka qenë vendimtare. Edhe pse kanë kaluar 12 vite nga pavarësia, Mali i Zi ende vazhdon të jetë i ndarë sepse opozita e disa subjekteve politike proserbe ende insistojnë në lidhje më të forta me Serbinë.

                                                                ***

Në prag të kremtes së pavarësisë në kryeqytetin historik të Malit të Zi, Cetinjë, Presidenti i ri i sapozgjedhur i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq dha betimin para deputetëve të kuvendit dhe mori detyrën në këtë post. Duke bërë betimin Gjukanoviq ndër të tjera tha: “Si president i shtetit unë do t’i përkushtohem ruajtjes së Pavarësisë dhe sovranitetit të Malit të Zi dhe afirmimit të tij si një shtet civil, demokratik, ekologjik dhe shteti i të drejtave sociale bazuar në sundimin e ligjit”. Kjo është hera e dytë që Gjukanoviq shërben në postin e presidentit pas mandatit të tij të parë nga viti 1998-2002. Në seancën solemne krahas anëtarëve të qeverisë dhe personaliteteve fetare morën pjesë udhëheqës të universitetit dhe akademisë së shkencave, anëtarë të trupit diplomatik, ushtarakë dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare. Gjukanoviq në fjalimin e tij tha se “Mali i Zi është bërë shteti ekonomikisht më i zhvilluar në Ballkanin Perëndimor dhe lider i reformave dhe negociatave me Bashkimin Evropian (BE) dhe sigurisht anëtari i parë që i është bashkuar NATO-s”. Me kushtetutën e Malit të Zi, presidenti përfaqëson shtetin brenda dhe jashtë vendit, nxjerr ligje, shpall zgjedhjet parlamentare, i propozon parlamentit kandidatët për kryeministër si dhe kryetarin dhe anëtarët e gjykatës kushtetuese. Përndryshe zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi u mbajtën më 15 prill të këtij viti dhe Gjukanoviq fitoi 53,9% të votave. Mbështetja që i dhanë atij partitë e pakicave i mundësuan fitoren që në raundin e parë të zgjedhjeve. Z. Gjukanoviq do ta ushtrojë funksionin e Presidentit për 5 vite.

                                                              ***

Mali i Zi për të dytin vit me radhë nikoqir i Forumit 2BS 

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq do të jetë bashkëbiseduesi kryesor i panelit të parë në Forumin 2BS, i cili temë qendrore këtë vit do të ketë situatën politike dhe atë të sigurisë në Ballkanin Perëndimor. Gjukanoviq gjatë ditëve të forumit do të ketë një sërë takimesh bilaterale. Forumi i këtij viti do të tuboi mbi 400 pjesëmarrës nga mbarë bota dhe organizohet në prag të shënimit të njëvjetorit të anëtarësimit të Malit të Zi në aleancën veri-atlantike. Organizator i Forumit është Unioni Atlantik i Malit të Zi nën patronazhin e Qeverisë së Malit të Zi në bashkëpunim me Ambasadën e Shteteve te Bashkuara të Amerikës dhe NATO.

                                                               ***

Mali i Zi do të vendosë gardh me gjemba për të parandaluar fluksin e refugjateve nga Siria

Mali i Zi nuk e përjashton e mundësinë e vendosjes së një gardhi me gjemba në kufirin me Shqipërinë për të parandaluar kalimin e emigrantëve ilegalë që vijnë nga Lindja e Mesme. Kështu ka deklaruar një zyrtar i departamentit për mbikëqyrjen e kufirit shtetëror të Malit të Zi. Sipas tij kjo masë do të ndërmerrej për shkak të fluksit të imigrantëve ilegalë, kryesisht sirianë, që kalojnë nga Shqipëria drejt Malit të Zi. Një masë e tillë do të frenonte këtë dukuri. Zyrtari Voisllav Dragoviq ka deklaruar se “nëse do të ketë një fluks të madh të emigrantëve, do të ngremë gardh me tela në kufirin me Shqipërinë. Ai shtoi se autoritetet shqiptare në shumë raste kanë refuzuar të pranojnë klandestinët që i kthente Mali i Zi në kuadër të marrëveshjes dypalëshe të pranimit të emigrantëve. Mijëra emigrantë nga Lindja e Mesme synojnë të shkojnë drejt Evropës Perëndimore. Kontrabandistët e refugjatëve kanë gjetur një korridor të ri në Ballkan, duke kaluar nëpërmjet Shqipërisë, Malit të Zi dhe Bosnjës për të arritur në Kroaci, që është anëtare e Bashkimit Evropian (BE).

                                                          ***

Në Prishtinë u mbajt konferenca e katërt Diaspora Flet 

Nënkryetarja e Komunës së Ulqinit, Hatixhe Gjoni ishte përfaqësuesja e vetme nga Mali i Zi që ju bashkëngjit 170 profesionistëve të fushave të ndryshme nga diaspora shqiptare që u tubuan në Prishtinë, në konferencën 4 ditore “Diaspora Flet”. Kjo konferencë është organizuar nga shoqata Jo- qeveritare (OJQ) “Germin”. Znj. Gjoni tha se konferenca kishte synim nxitjen e një dialogu të strukturuar për të drejtat e shqiptarëve jashtë vendit dhe krijimi i mekanizmave efektivë për angazhimin e diasporës shqiptare si grupin më të madh social. Znj. Gjoni tha po ashtu se në konference ka pasur takime të shumta me përfaqësuese të diasporës mbarëshqiptare, por edhe me personalitete të larta të ministrive nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia.

                                                        ***

TIKA në Podgoricë shtron iftar të madh për nder të muajit të Ramazanit

Tashmë është bërë traditë që për nder të muajit të shenjtë të Ramazanit Ambasada e Turqisë në Podgoricë, Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim ndërkombëtar (TIKA) dhe organizatat e tjera humanitare nga Turqia organizojnë iftare, japin pako me ndihma dhe mbështesin njerëzit në nevojë. TIKA organizoi një iftar, ku ishin të ftuar zyrtarë, përfaqësues të korit diplomatik, përfaqësues të feve, politikanë etj. Të pranishmëve iu drejtuan, Ali Özgün ÖZTÜRK, drejtor në drejtorinë për Lindjen e mesme dhe Kauakazit Qendror të TIKA-s në Ankara, ambasadori i Turqisë në Mal të Zi Serhat Galip, si dhe Reisi i Bashkësisë Islame të Malit të Zi Rifat Fejziq. Në të njëjtën kohë u shfaq dhe një film me metrazh të shkurtër, i cili fliste për kontributin dhe projektet e realizuara nga TIKA-a në botë. Edhe me këtë rast u përsërit qëndrimi që TIKA do t’i ofrojë ndihmë Malit të Zi si një shtet mik i Turqisë. Në një atmosferë të bukur të iftarit në Podgoricë, TIKA edhe një herë dëshmoi kultivimin e bashkëpunimit, kulturës, ndihmës, dhe tolerancës.

                                                      ***

Ambasada e Turqisë dhe shoqata humanitare e DIYANET-it ndihmojnë familjet në nevojë në Mal të Zi

Me rastin e Ramazanit, shoqata turke DIYANET ndau 500 triska ndihmash humanitare për familjet në nevojë në Mal të ZI. Vlera e secilës ndihmë është 25 euro dhe familjet mund të blejnë artikujt e nevojshëm ushqimor. Në ceremoninë e dorëzimit të ndihmave në Podgoricë ishin të pranishëm përfaqësues të ambasadës turke dhe ata të drejtorisë për çështjet fetare të Republikës së Turqisë, DIYANET. Ky donacion realizohet në bashkëpunim me Meshihatin e Bashkësisë Islame të Malit të Zi dhe nga ndihmat do të përfitojnë qytetarë të viseve të ndryshme. Reisi i Bashkësisë Islame, Rifat Efendi Fejziq falënderoi ambasadën e Turqisë dhe përfaqësuesit e fondacionit DIYANET për ndihmat e ofruara, ndërkohë që ambasadori i Turqisë, Serhat Galip uroi fillimin e muajit të Madhërishëm të Ramazanit.

- Për Zërin e Turqisë nga Mali i Zi, përgatiti Vera ALIBEGU KATANA -



Lajme të ngjashme