Kryeministri Haradinaj flet për ulje të pagave, sindikata e Telekomit reagon

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj theksoi që më mirë është të ulen pagat e punëtorëve dhe të menaxhmentit se sa të bankrotojë ndërmarrja publike në krizë të thellë Telekomi i Kosovës.

Kryeministri Haradinaj flet për ulje të pagave, sindikata e Telekomit reagon

Titulli: Kryeministri Haradinaj flet për ulje të pagave, sindikata e Telekomit reagon

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, pas mbledhjes së qeverisë të mbajtur të hënën, ka thënë se Qeveria nuk ka dëshirë të ulë pagat e askujt por Telekomi i Kosovës duhet të shpëtohet nga bankrotimi. Ai ka potencuar se do të bëjnë ç’është e mundur për të reduktuar shpenzimet e tepërta dhe stopuar humbjet, duke mos përjashtuar as uljen e pagave.
“Nuk mendoj që bëhet fjalë as për 40% as për aq për qind sa po flitet, të paktën për punëtorë jo se jo. Por nëse nevojitet një 10% i uljes për punëtorët, ndoshta 20% për menaxhment, atëherë është në interesin e tyre, pikërisht që të mbijetohet kjo kompani. Nëse në planin biznesor kompania menjëherë krijon profit, atëherë mund t’i rritim pagat prapë”, ka thënë Haradinaj.

***
Sindikata kundër uljes së pagave

Punëtorët e Telekomit nuk do të pranojnë në asnjë mënyrë ulje të pagave. Kështu shprehet kryetari i Sindikatës së Telekomit të Kosovës Lamih Balaj.

“Nuk besoj që kemi me lejua sepse nuk mund të lejomë as 5% as 10% as 40%”. Sepse duhet një herë e përgjithmonë t’iu tregojmë atyre që me paret e punëtorëve  nuk paguhen paret e krimit që është zhvatja. D.m.th këtu është qëllimi i njerëzve të qeverisë.”

Krye-sindikalisti Balaj ka kërkuar të mos ketë nguti në vendimin për uljen e pagave për punëtorët e kësaj kompanie publike.

“Iu kisha lut edhe njëherë që mos të ngutet kryeministri, sepse e kam thënë dhe po e përsëris se do ti del dikujt kapuç nën mangë çdo veprim i ngutshëm.”

Balaj njëherit thotë se ka kërkuar takim me kryeministrin Haradinaj, për t’i sqaruar disa gjëra, që sipas krye-sindikalistit, kryeministri nuk është i informuar.

***

Muajin e ardhshëm rekomandim për viza, thotë Haradinaj

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj deklaroi se në qershor Kosova pritet ta marrë rekomandimin për heqjen e vizave.

“Në qershor na jepet vlerësimi i institucioneve të BE-së e besoj që do të jetë pozitiv. Mirëpo, ky vlerësim do të kalon prapë nëpër institucionet e BE-së, edhe nevojitet miratimi i vendeve veç e veç. Si dinamikë kohore përputhet, pra që të kryejmë këtë punë, para fundit të këtij viti, pra përputhet mundësia me lëvizë lirshëm”, tha kryeministri Haradinaj.

Përveçse pa liberalizim të vizave, qytetarët e Kosovës ka javë që për në Shkup shkojnë rrugëve të tjera, pasi magjistralja është bllokuar. Por, Haradinaj tha se shpejt do të zhbllokohet, pasi që ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, ka thënë se po punohet në dy ndërrime.

***

Edhe presidenti Thaçi thotë se në qershor vjen rekomandimi për viza

Nga mesi i qershorit pritet rekomandimi për liberalizim të vizave për Kosovën. Kështu ka deklaruar i pari i vendit, Hashim Thaçi në një konferencë të thirrur për media, pas përfundimit të Samitit të Sofjes mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Gjatë pjesës së dytë të qershorit kemi deklarimin e Komisionit Europian, e që pastaj kemi edhe periudha kohore të specifikuara, kur qytetarët e Kosovës gjatë këtij viti mund të lëvizin lirshëm”, ka thënë presidenti.

***

Samiti i Sofjes, historike për presidentin Thaçi

I pari i vendit duke e quajtur historike pjesëmarrjen e Kosovës në samitin e Sofjes, tha se në margjinat e këtij samiti, ka zhvilluar takime të shumta me liderë të shteteve evropiane, me ç’rast ka marrë mbështetje për Kosovën. Një gjë e tillë, është konfirmuar edhe nga takimi mes tij dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i iniciuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel, potencoi presidenti. Duke folur për deklaratën që doli nga Samiti i Sofjes, presidenti Thaçi ka thënë se pika e dy e kësaj deklarate, është me e rëndësishmja, ku konfirmohet mbështetja pa dy kuptime e BE-së për Ballkanin Perëndimorë.

“Pika kryesore e deklaratës është pika 2 që thotë qartë që BE riafirmon mbështetjen pa ekuivokë për perspektivën evropiane të Ballkanit perëndimorë”, tha Thaçi.

Presidenti i ka siguruar qytetarët se askush nuk ka prezantuar letër apo ide për ndonjë nënshkrim që do të cenonte sovranitetin apo integritetin territorial të Republikës së Kosovës.

***

Albin Kurti flet për dialogun me Serbinë

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në një konferencë për media ka folur rreth dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

“Para një dialogu të ri me Serbinë është e domosdoshme që:

Të bëhet bilanci shtetëror i dialogut 2011-2017, të raportohet në Kuvend dhe të kemi debat parlamentar. Ka pasur shumë investim, pak kthim e pak transparencë. 33 marrëveshje i ka nënshkruar Kosova me Serbinë, dhe shumica e tyre nuk janë realizuar.

Të realizohet dialogu i brendshëm i hapur dhe demokratik në institucione dhe shoqërinë tonë. Debati në Kuvend para dialogut për dialogun me Serbinë, për parimet dhe agjendën për qëllimin dhe formatin. Dialogu që u zhvillua nga 2011-2017 ishe dialog sipas kushteve të Serbisë.

Të zhvillohet një dialog me Bashkimin Evropian për dialogun me Serbinë, për natyrën, përmbajtjen dhe qëllimin e atij dialogu.

Ai ka theksuar se në asnjë moment apo rrethanë pajtueshmëria jonë shoqërore e nacionale për temat e parimet, strategji dhe përfaqësimin në dialog, nuk mund ti përfshijë emrat e Hashim Thaçit dhe Edita Tahirit.

“Njeriu që i frikësohet aktakuzës nga Gjykata Speciale, njeriu i cili është protagonist i aferës Pronto, njeriu i cili vendosi lule dhe bëri nderime te pllaka përkujtimore e strukturave të Serbisë në Kosovë, njeriu i cili e mbështeti Zajednicën, njeriu i cili më 20 janar 2012 i detyroi deputetët e PDK-së ta rrëzojnë reciprocitetin me Serbinë, njeriu që mbanë përgjegjësinë kryesore për mos-anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, ky njeriu nuk mund të udhëheq më apo të përfaqësoj në këtë proces”, u shpreh Kurti, duke theksuar se është i nevojshëm plani 4+1 para çfarëdo dialogu. 

***

Miratohet projekt-kodi penal i Kosovës

Komisioni për Legjislacion ka miratuar në parim Projektkodin Penal të Kosovës, i cili para anëtarëve të këtij komisioni e ka prezantuar ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri.

Tahiri tha se ky Projektkod është në harmoni me standardet dhe legjislacionin e Bashkimit Evropian, dhe kanë qenë tri parime themelore për të krijuar këtë Kod Penal.

Ai tha se më këtë dokument po i japin Kosovës një fuqizim për luftimin e krimit dhe korrupsionit.

“Ky kod është në harmoni të plotë me legjislacionin e BE-së. Kam kërkuar nga Komisioni Evropian se a është në përputhshmërinë me legjislacionin e tyre kam pritur konfirmimin e BE-së”. “Kanë qenë tri çështje të prekura: Përcaktimi i qartë për sundim të ligjit; Fleksibilitet më të madh në punën e sundimit të ligjit; Mbrojtja dhe avancimi i të drejtave të njeriut”, theksoi Tahiri.

Sipas tij, ky projekt-kod duhet të bëhet në kohën më të shpejtë, deri në fund të qershorit. Ai tha se është e nevojshme ndoshta krijimi i një Gjykate Speciale, për lëndë të cilat dalin nga Prokuroria Speciale.

Gjatë shqyrtimit të parë të Projekt-kodit, kryetarja e Komisionit Albulena Haxhiu nuk beson se me këtë projekt-kod, luftohet korrupsioni.

“Edhe nëse hyn në fuqi ky Projekt-kod prapë do të ketë korrupsion, sepse pa u bërë ligji Anti-mafia nuk ndalet krimi i organizuar”, ka thënë deputetja Haxhiu.

***

Zbatim jo i plotë i MSA-së

Në vitin 2017 janë zbatuar vetëm 62 për qind e masave të parapara në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, ka thënë ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, në mbledhjen qeverisë.

“600 nga 967 masat e planifikuara janë zbatuar, ndërsa pjesa e mbetur prej 367 masave, ose 38%, nuk kanë arritur të zbatohen”, është shprehur ajo.

Hoxha në këtë mbledhje ka paraqitur edhe gjendjen e reformave kyçe të planifikuara që nuk kanë arritur të zbatohen në kuadër të MSA-së duke theksuar se marrëveshja aktuale është nënshkruar më 7 mars 2018 në Luksemburg, pasi kishte marrë autorizim nga Presidenti.

***

Drita kampione e Kosovës në futboll

Futbollistët e Dritës së Gjilanit kanë fituar titullin e kampionit të Kosovës, pasi në ndeshjen vendimtare në Pejë luajtën baras me Prishtinën me rezultat 0:0.

Prishtina hyri në këtë ndeshje me imperativ të vetëm – fitoren me dy gola epërsi, aq sa i duhej për t’u shpallur kampione, por kësaj nuk ia doli.

Nga minuta e 32-të, Prishtina luajti me një futbollist më pak në fushë, për shkak të ndëshkimit me karton të kuq të Debatik Currit, ndërsa nga minutën e dytë shtesë mbeti edhe pa Dallkun, që po ashtu u “skuq” pas një ndërhyrje të ashpër.

Derisa në pjesën e parë pati pak raste konkrete për të shënuar, në 45 minutat e dytë ishte Prishtina ajo që pati dominim në fushë gjithmonë në tentim të golit, por pa sukses.

Në finish të takimit ishte Musaj i Dritës që ka mundur të shënojë, pas një goditje të fuqishme nga distanca, por portieri i Prishtinës reagoi me kohë.

Ndryshe, para fillimit të takimit kishte tensione jashtë stadiumit, ku ndodheshin forca të policisë, pasi pati përleshje ndërmjet tifozëve të të dyja ekipeve.

Ndeshja është zhvilluar në Pejë, pasi që stadium i Prishtinës është duke u rinovuar.

***

Drita në Gjibraltar kërkon biletën për të vazhduar në kualifikime për Ligën e Kampioneve

Kampionia e re e Kosovës në futboll Drita, do të merë pjesë në garat para-kualifikuese për Ligën e kampionëve, që do të mbahet në Gjibraltar. Kundërshtarët e mundshëm do të jenë  kampioni i Gjibraltarit Lincoln Red, ai i Andorras Santa Colona si dhe kampioni i San Marinos, i cili mund te jenë La Fiorita Montegiardino, ose Folgore.

Ndeshjet zhvillohen sipas sistemit knock-out. Ndeshjet gjysmëfinale zhvillohen më 26 qershor, kurse finalja luhet më 29 qershor.

Shorti për këtë turne mbahet më 12 qershor.

Në anën tjetër, Prishtina do të paraqitet në kualifikimet për Europa Ligë, ku do të zhvillojë dy ndeshje me kundërshtarin, i cili ende nuk dihet.

***

Bashkimi shumë afër titullit të kampionit

Sigal Prishtina e ka ngushtuar diferencën e fitoreve përballë Bashkimit të Prizrenit pas fitores në Prishtinë me rezultat 88-77, në ndeshjen e tretë të serive finale të ‘play-offit’.

Në këtë mënyrë, Sigal Prishtina e ka ngushtuar diferencën e fitoreve në 2-1.

Ndeshja e radhës luhet në Prizren të mërkurën dhe nëse Bashkimi fiton do të shpallet kampion I Kosovës në basketboll, në të kundërtën do të zhvillohet ndeshja e pestë vendimtare në Prishtinë.

Bardhëkaltrit kërkojnë trofeun e 12-të që nga paslufta, ndërsa prizrenasit janë në kërkim të trofeut të parë.

Pas bojkotit një vjeçar, edhe tifozët e flaktë të Prizrenit Arpagjiktë kanë paralajmëruar se do të rikthehen në tribunat e palestrës “Sezair Surroi”, për të përkrahur ekipin e tyre të zemrës.

- Përgatiti për TRT Shqip, Muharrem Saragjolli -



Lajme të ngjashme