Serbia ndalon hyrjen e karateistëve të Kosovës, do të merrnin pjesë në Kampionatin Evropian

Policia kufitare serbe ka ndaluar të mërkurën hyrjen në Serbi të karateistëve të kombëtares së Kosovës, që po udhëtonin për të marrë pjesë në Kampionatin Evropian të Karatesë...

Serbia ndalon hyrjen e karateistëve të Kosovës, do të merrnin pjesë në Kampionatin Evropian

Policia kufitare serbe ka ndaluar të mërkurën hyrjen në Serbi të karateistëve të kombëtares së Kosovës, që po udhëtonin për të marrë pjesë në Kampionatin Evropian të Karatesë.

Sekretari i Federatës së Karatesë së Kosovës, Nazmi Gashi, ka bërë me dije se mëngjesin e së mërkurës, përfaqësuesja e Kosovës në karate është detyruar të kthehet në Kosovë pasi nuk është lejuar që të hyjë në Serbi nga pika kufitare në Merdare.

“Ndihemi shumë keq për shkak të këtij vendimi politik të Serbisë”, tha Gashi duke shtuar se ende nuk kanë marrë ndonjë përgjigje nga zyrtarët e Ministrisë serbe të Punëve të Brendshme në lidhje me arsyen e moslejimit të sportistëve kosovarë për të hyrë në Serbi.

Një reagim në lidhje me këtë ngjarje ka ardhur përmes një komunikate me shkrim edhe nga Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës.

“Ndalimi i Kombëtares së Kosovës për të marrë pjesë në Kampionatin Evropian të Karatesë në Novi-Sad, kryeqytetin e Vojvodinës, është akt i papranueshëm, i paprecedent dhe i tmerrshëm për shekullin 21. të kontekstit të integrimeve evropiane dhe nuk i kontribuon normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.

Kthimi nga Merdarja në shtëpi i karateistëve tanë duke mos i lejuar që të garojnë në një organizim sportiv është shkelje flagrante e të gjitha Konventave Ndërkombëtare për lëvizje të lirë dhe diskriminim në baza etnike.

Autoritetet serbe janë njoftuar më 3 maj për këtë udhëtim dhe pretendimi se ato nuk janë informuar me kohë është i paqëndrueshëm. Po ashtu Zyra Ndërlidhëse e Kosovës i ka njoftuar autoritetet e Serbisë për udhëtimin e sportistëve tanë për në Novi-Sad.

Marrëveshja ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për paralajmërimin e vizitave 48 orë përpara ka të bëjë me zyrtarët shtetërorë, përkatësisht me politikanët e rangut të lartë, por jo edhe me sportistët. Por edhe sipas kësaj marrëveshjeje, Serbia është dashur të reagojë pas 24 orëve nëse është kundër vizitës, por këtë nuk e ka bërë.

Këtë akt ndalese të shtetit serb, të dytin më radhë brenda një kohe të shkurtër, e konsiderojmë të paprecedent dhe veprim që sinjalizon se Serbia po qëndron në politikat nacionaliste të konfliktit dhe refuzimit, në vend të bashkëpunimit dhe frymës së vlerave të përbashkëta evropiane”, thuhet në komunikatë.

Kampionati Evropian i Karatesë do të organizohet në qytetin Novi-Sad të Serbisë, nga data 10 deri më 13 maj.



Lajme të ngjashme