Ministria e Arsimit e Kosovës premton kuota shtesë për studentët shqiptarë nga Mali i Zi

Ministri Zënka falënderoi Kosovën për mbështetjen e vazhdueshme për shkollimin e të rinjve shqiptarë nga Mali i Zi.

Karadağ turizmi_Ulqini_Ülgün sahilleri.jpg
Karadağ_yazarlar kervanı_karvani i shkrimtarve.jpg
Karadağ_yazarlar kervanı_karvani i shkrimtarve2.jpg
antalya eurosia 2018 furaı.jpg
eurasia airshow kapanis 4.jpg
eurasia airshow (9).jpg

Ministri për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave në Mal të Zi, Mehmet Zenka u takua me zëvendëskryeministrin e Kosovës Enver Hoxhaj. Në takim janë prekur një sërë temash por ka dominuar ajo e kuotave për studentët shqiptarë nga Mali i Zi. Zëvendëskryeministri Hoxhaj ka folur në emër të universiteteve publike dhe i ka premtuar rritjen e numrit të vendeve të rezervuara për studentët shqiptarë nga Mali i Zi. Ai citohet të ketë thënë se “Kosova e pavarur nënkupton përmbushjen e kërkesave dhe pritjeve të qytetarëve në Kosovë, por edhe të shqiptarëve që jetojnë përreth Kosovës. Pasi interesimi i të rinjve shqiptarë për të studiuar në Kosovë është i madh, zëvendëskryeministri Hoxhaj ka paralajmëruar një projekt që parasheh shtimin e kuotave për studentët nga Mali i Zi. Të njëjtin premtim ministri Zenka e ka marrë edhe nga Ministri i Arsimit shkencës dhe Teknologjisë Shyqyri Bytyçi. Ministria njofton se me këtë rast është biseduar për mundësitë e bashkëpunimit në fushën e arsimit, rritjen e kuotave dhe për mundësinë e lirimit nga pagesa në konvikte. Ministri Bytyçi është shprehur i gatshëm të mbështesë arsimin dhe edukimin e të rinjve shqiptarë të Malit të Zi dhe atë që zgjidhja të jetë për një periudhë të gjatë kohore. Nga ana tjetër ministri Zenka ka falënderuar ministrin Bytyçi për pritjen dhe gatishmërinë që Kosova të mbështesë shkollimin e të rinjve shqiptarë të malit të Zi në studime të larta dhe theksoi se shqiptarët e Malit të ZI janë përherë falënderues për mbështetjen që gjithnjë e kanë gjetur në Kosovë.       

                                            ****

Ministri i Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë Nuretin Canikli premton përkrahje për ushtrinë e Malit të Zi

Sekretari i shtetit në Ministrinë e Mbrojtjes së Malit të Zi Slobodan Filipoviq u takua me ministrin e Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë Nuretin Canikli. Përndryshe në Antalia u hap panairi pesëditor i aeronautikës euro-aziatike (Euro Asia show), në të cilën u prezantuan rreth 320 kompani botërore në këtë fushë. Sekretari Filipoviq i ka shprehur falënderime të sinqerta ministrit Canikli për përkrahjen e fuqishme që republika e Turqisë i ka dhënë dhe po jep reformës së sistemit të mbrojtjes së Malit të Zi dhe ka vlerësuar forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes midis dy vendeve.  Ai e ka njoftuar zyrtarin e lartë turk me prioritetet e ministrisë në procesin e modernizimit, armatimit dhe pajisjes së ushtrisë së Malit të Zi dhe për planet që ka në sistemin e mbrojtjes. Nga ana tjetër ministri Canikli citohet të ketë thënë se integrimi i Malit të Zi në NATO mund t’u shërbejë si shembull vendeve të rajonit dhe se ky anëtarësim ndikon pozitivisht në stabilitetin rajonal, por edhe në intensifikimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Malit të Zi dhe vendeve anëtarë të NATO-s. Delegacioni i Ministrisë së Mbrojtjes së Malit të Zi gjatë qëndrimit në Turqi ka pasur takime edhe me përfaqësuesit ekspozues në EuroAsia Show ku në fokus kanë qenë pajisjet e aviacionit të ushtrisë së Malit të Zi.

                                          ****

Hapet sezoni turistik “Vera 2018 në Ulqin“

Tashmë është bërë traditë që ç’do fillim maji në Ulqin të organizohet manifestimi “Të gjithë për turizëm”. Këtë aktivitet e organizon organizata Turistike në bashkëpunim me komunën e Ulqinit. Gjatë ditëve të majit Ulqini shndërrohet në oazë për turistët nga Kosova, të cilët tradicionalisht e vizitojnë këtë qytet. Edhe përkundrejt pritjeve dhe radhëve të gjata në kufi dhe rrugës, e cila është duke u ndërtuar, të rinjtë kosovarë edhe këtë vit i mbesin besnik Ulqinit dhe mbushin klubet, restorantet dhe hotelet. Të gjitha plazhet janë hapur dhe janë të frekuentuara nga pushuesit që po kalojnë festat e majit në Ulqin. Organizata turistike një program të veçantë ka organizuar për fëmijët, ku qindra maska, këngë dhe recitime jehuan në pjesën më të bukur të Ulqinit, në ranë afër kalasë, ndërkaq formacionet muzikore nga vise të ndryshme të Malit të Zi u prezantuan para publikut. Nata e fundit e aktiviteteve ishte ajo me këngëtarë vendas dhe me yjet e estradës kosovare.

                                           ****

Poetët shqiptarë nga Mali i Zi takohen me nxënësit e medresesë "Mehmet Fatih"

Karvani i shkrimtarëve shqiptarë të Malit të Zi vizitoi Medresenë “Mehmed Fatih”, ku u mbajt një takim letrar me shkrimtarët Ali Gjeçbritaj, Nikollë Berishaj dhe Hajredin Kovaçi etj, të cilët për nxënësit dhe mësimdhënësit e Medresesë dhe të shkollave fillore “Mahmut Lekiq” dhe “29 Nëntori” në Tuz lexuan pjesë nga krijimtaria e tyre. Pjesë e programit janë bërë edhe vetë nxënësit e Medresesë, disa prej të cilëve kanë lexuar krijimet e tyre letrare. Takimi letrar është organizuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” në bashkëpunim me Medresenë “Mehmed Fatih”, për nder të Ditës Ndërkombëtare të Librit. Me këtë rast, kryetari i SHAI “Art Club”, Ismet Kallaba ka dhuruar 35 tituj të botimeve të kësaj shoqate dhe autorëve që bëjnë pjesë në të për bibliotekën e Medresesë “Mehmet Fatih”, si pjesë e aksionit për pasurimin e fondit të librave të bibliotekave të shkollave shqipe në Malin e Zi. Karvani i shkrimtarëve vendas është ideuar si vizitë e autorëve shqiptarë në Malin e Zi, të cilët janë pjesë e SHAI “Art Club”, dhe e autorëve të tjerë, në shkollat në gjuhën shqipe në Mal të Zi. Ai ka për qëllim që nxënësit të njihen me shkrimtarët shqiptarë dhe letërsinë shqipe që krijohet në Mal të Zi, të komunikojnë drejtpërdrejt me autorët dhe t’i nxisë nxënësit për t’u marrë me krijimtarinë letrare.

                                         ****

Filloi prezantimi i bursave për studentët e interesuar për të studiuar në Universitetet e Turqisë

Instituti i Turqisë për bursat e studentëve të huaj (YTB)në bashkëpunim me asociacionin e studentëve (MASAT) ka filluar organizimin e prezantimit të bursave që jep Qeveria e Republikës së Turqisë për studime. Fillimisht ata u ndalën në Podgoricë, ku bënë prezantimin e bursave për studentët e interesuar për shkollimin e lartë në Universitetet e Turqisë. Studentët e interesuar u njoftuan për mënyrën e aplikimit, por patën rast të ndjekin dhe përvojat e atyre që kanë përfunduar studimet atje. Prezantim i ngjashëm planifikohet të mbahet edhe në qytetin e Bjello Poles, Rozhajës dhe Ulqinit. Përndryshe nga viti në vit numri i studentëve që studiojnë në Turqi po shënon rritje dhe në këtë drejtim ndihmesë jep edhe Ambasada e Turqisë në Podgoricë. Përndryshe në Universitetet e Turqisë momentalisht janë duke kryer studimet rreth 250 studentë nga Mali i Zi.

Për Zërin e Turqisë nga Mali i Zi përgatiti Vera ALIBEGU KATANA



Lajme të ngjashme