Bushati: Rekomandimi i KE-së, zhvillim i rëndësishëm për vendet e Ballkanit

“Rekomandimi i Komisionit Evropian është një zhvillim i rëndësishëm për vendet e Ballkanit për konsolidimin e shtetit të së drejtës, zhvillimin ekonomik dhe bashkëpunimin rajonal”, deklaroi nga Nju-Jorku shefi i diplomacisë shqiptare, Ditmir Bushati...

Bushati: Rekomandimi i KE-së, zhvillim i rëndësishëm për vendet e Ballkanit

“Rekomandimi i Komisionit Evropian është një zhvillim i rëndësishëm për vendet e rajonit tonë për konsolidimin e shtetit të së drejtës, zhvillimin ekonomik dhe bashkëpunimin rajonal”, deklaroi ministri shqiptar për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, që ndodhet në Nju-Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në kuadër të takimit të nivelit të lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për Paqendërtimin dhe Paqeruajtjen në Botë.

Gjatë qëndrimit në Nju-Jork, Ditmir Bushati zhvilloi edhe një leksion në Universitetin e Kolumbias, me një audiencë të gjerë pedagogësh, studentësh, hulumtuesish dhe njohësish të zhvillimeve në Ballkan.

Në fjalën e tij, ministri Bushati u përqendrua tek përfshirja e marrëdhënieve dypalëshe, konsolidimi i shtetit të së drejtës, zhvillimi ekonomik dhe roli i fuqive të treta. Ai evidentoi bashkëpunimin e shkëlqyer me SHBA-në mbi bazat e partneritetit strategjik, kontributi i të cilës është i rëndësishëm për zhvillimet e qëndrueshme dhe të fqinjësisë së mirë në rajonin e Ballkanit.

Kreu i diplomacisë shqiptare iu përgjigj interesimit të të pranishmëve mbi ndikimin që kanë faktorët e tretë në zhvillimet politike, ekonomike e sociale në vendet ballkanike.

Në kuadër të kontakteve në Nju-Jork, Bushati zhvilloi një takim me administratorin e PNUD-it, Achin Steiner. Bashkëbiseduesit vlerësuan kontributin që PNUD-i jep në zhvillimin e disa reformave të qenësishme në Shqipëri.

Ministri Bushati vlerësoi kontributin që ky organizëm jep në kuadër të zbatimit të agjendës 2030 mbi objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm.

Shqipëria luan një rol pararojë në raport me vendet e tjera të Ballkanit dhe për këtë arsye do të paraqesë në OKB një raport vullnetar të zbatimit të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm. Këto objektiva janë të ndërlidhura ngushtë me strategjinë globale të zhvillimit dhe me prioritetet e Shqipërisë në kuadër të anëtarësimit në BE.

Bushati zhvilloi gjithashtu një takim me shqiptarë që punojnë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Ai vlerësoi kontributin që ata japin duke shërbyer si ura lidhëse mes OKB-së dhe institucioneve dhe shoqërisë shqiptare. /ATSH



Lajme të ngjashme