“Süddeutsche Zeitung”: Rama kërkon një pranim të qartë nga BE-ja për hapjen e negociatave

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, u bëri thirrje politikanëve gjermanë që të mos pengojnë rrugën për hapjen e negociatave të anëtarësimit të vendit të tij në Bashkimin Evropian...

“Süddeutsche Zeitung”: Rama kërkon një pranim të qartë nga BE-ja për hapjen e negociatave

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, u bëri thirrje politikanëve gjermanë që të mos pengojnë rrugën për hapjen e negociatave të anëtarësimit të vendit të tij në Bashkimin Evropian.

“Ekziston një shqetësim i qartë që individë dhe forca politike të BE-së kërkojnë të trazojnë gjërat që nuk duhet të trazohen”, deklaroi kryeministri shqiptar për gazetën gjermane, “Süddeutsche Zeitung”.

Kancelaren gjermane, Angela Merkel (CDU), ai e konsideron një mbështetëse të tij. Por shefi i Tiranës zyrtare e di mirë se ka edhe disa deputetë që duhet të binden në bazë të fakteve dhe rezultateve.

Komisioni Evropian rekomandoi të martën hapjen e negociatave të anëtarësimit me dy vende të Ballkanit Perëndimor, Shqipërinë dhe Maqedoninë.

Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini, deklaroi se rekomandimi për hapjen e negociatave lidhet me reformat e fundit të dy vendeve.

Komisiari evropian për Zgjerimin, Johannes Hahn, përmendi zhvillime thelbësore premtuese

“Ne nuk po trokasim në portën e Bashkimit Evropian për të hyrë nesër, ne dëshirojmë vetëm të ulemi në tryezën e bisedimeve”, deklaroi Rama.

Në të njëjtën kohë, ai paralajmëroi për zhgënjim në vendin e tij.

“Rekomandimi i Komisionit nuk është një dhuratë dhe as lëmoshë, por ai është i bazuar në arritjet tona”, theksoi kryeministri shqiptar.

Nëse këto gjëra nuk vlerësohen, populli shqiptar do ta konsideronte të padrejtë këtë vendim.

“Në rast se perspektiva e BE-së eklipsohet dhe politika dritëshkurtër fiton mbi strategjitë afatgjata, njerëzit do kërkojnë të largohen”, paralajmëroi Rama. /ATSH



Lajme të ngjashme