Akuza nga opozita për ministrat me aktakuza në Kuvendin e Kosovës

Tre ministrave të qeverisë së Kosovës kohën e fundit u janë ngritur aktakuza nga prokuroria për vepra të ndryshme të shkeljes së ligjit.

Akuza nga opozita për ministrat me aktakuza në Kuvendin e Kosovës

Kuvendi i Kosovës të hënën ka mbajtur seancën e radhës e cila faktikisht është ndërprerë në orët e mbrëmjes për shkak të mungesës së kuorumit.

Seanca nisi me shqetësime për raportin i cili pritet të publikohet të martën nga Komisioni Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshi edhe Kosovën.

E shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka deklaruar se kryeministri, Haradinaj po mban në qeveri ministra me aktakuza. Hoti ka ripërsëritur se zgjidhja me e mirë janë zgjedhjet e reja.

Ndërkaq, deputeti nga radhët e Vetëvendosjes, Albin Kurti, u shpreh se Posta dhe Telekomi i Kosovës, si njëra ndër pasuritë më të vlefshme të vendit, gjendet në krizë dhe për të cilën Kurti tha se kjo po ndodh si pasojë e papërgjegjshmërisë së qeverisë.

Seanca ka vazhduar me pyetje drejtuar ministrit të FSK-së, Rrustem Berisha, i cili para deputetëve të kuvendit ka thënë se FSK është e pajisur me armatim personal dhe kolektiv të cilin ia mundëson ligji.

Meqë pas orës 16:00 Kuvendi nuk pati kuorum për të votuar pikat tjera, vazhdoi me shqyrtim të projektligjeve të paraqitura nga ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri.

Ky i fundit e paraqiti projektligjin për ratifikimin e traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Hungarisë mbi transferimin e personave të dënuar.

Ismail Kurteshi nga Vetëvendosje kërkoi sqarim se pse nuk ishin dërguar në kuvend edhe disa traktate tjera ligjore të cilat, sipas tij, ishin miratuar para këtij me Hungarinë, për çka ministri Abelard Tahiri e pati një shpjegim.

Por, pretendimin e ministrit e kundërshtoi kryetarja e Komisionit për Legjislacion në Kuvendin  Kosovës, Albulena Haxhiu.

Gjatë diskutimeve sërish ka pasur polemika ndërmjet deputetëve të Vetëvendosjes dhe kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli. Në një rast nga Veseli u kërkua që të kërkojë falje për siç thanë deputetët e Vetëvendosjes ofendimet që po u bëhen nga ai.

Seanca do ti vazhdojë punimet të martën.

***

Kryeministri Haradinaj vazhdon të punojë me ministra me aktakuza

Tre ministrave të qeverisë së Kosovës kohën e fundit u janë ngritur aktakuza për vepra të ndryshme të shkeljes së ligjit. Por, asnjëri prej tyre nuk ka dhënë dorëheqje. E as kryeministri Ramush Haradinaj nuk ka marrë masa ndaj tyre, njëherit duke mos dhënë shenja se do ta bëjë një gjë të tillë. Ai ka vlerësuar se ka seriozitet në luftimin e korrupsionit dhe këtë, sipas tij, e dëshmon fakti që ngritën aktakuza ndaj ministrave.
“Mos harroni, fakti që po ngritën këto aktakuza, edhe ai flet. Pra ngritën aktakuza për anëtarët e kabinetit qeverisës, pra s’qenka askush i privilegjuar, i mbrojtur apo i përjashtuar nga mundësia e shqyrtimit ligjor. Por edhe vendimi ynë duhet të bëhet në bazë të ligjit. Pra, t’ia lëmë mundësinë ligjore një gjykate që ta japë vlerësimin për këtë”, tha Haradinaj.
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekajt, që vjen nga AAK-ja, I cili dyshohet se ka bërë dy vepra penale sa ishte kryetar i Gjakovës, përvetësim në detyrë dhe keqpërdorim i detyrës zyrtare.

Prokuroria Speciale ditë më parë ka ngritur aktakuzë edhe ndaj ministrit të Inovacionit, Besim Beqaj, që  vjen nga PDK-ja. Ai dyshohet për kryerjen e veprës penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Kosovës në bashkëkryerje”, pasi në cilësinë e ish-ministrit të Zhvillimit Ekonomik ka keqpërdorur pozitën zyrtare duke bashkëpunuar edhe me persona të tjerë në aferën e quajtur 'Pronto' për dhënien e privilegjeve dhe përparësive kundërligjshme personave të cilët kanë konkurruar në funksione të rëndësishme.
Kurse ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, i cili vjen nga AKR, po ashtu po përballet me drejtësinë për konflikt interesi. Ai dyshohet se sa ishte në krye agjencisë për promovim të investimeve, kishte filluar procedurat për dhënien e 20 mijë eurove si formë subvencioni për OJQ-në “Jakova Innovation Center”, në të cilën kishte qenë themelues.
***

Qeveria ka miratuar Projekt Kodin Penal të Republikës së Kosovës

Projekt Kodi Penal i Republikës së Kosovës është miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Ky Projekt Kod është bazuar në tri parime themelore: sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar; funksionimi i organeve te pavarura për zbatimin e ligjit; dhe mbrojtja dhe avancimi i të drejtave të njeriut.

Kodi i ri adreson tri tema të gjëra:
• Masat kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit;
• Masat për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut; dhe
• Masat kundër terrorizmit dhe parandalimin e tij.
Dënimet për vepra penale që ndërlidhen me korrupsion janë rritur dhe janë propozuar amendamente të reja që i ndalojnë personave të dënuar për korrupsion që të ushtrojnë pozita dhe funksione në administratën publike në kohëzgjatje deri në 10 vjet nga shpallja e aktgjykimit dënues.

Kryeministri Haradinaj e ka vlerësuar si ditë të suksesshme miratimin e këtij Projekt Kodi, që e ka të fokusuar forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit dhe luftën e të gjitha formave të krimit në vendin tonë.

Qeveria e Kosovës miratoi edhe propozimin për shpalljen me interes të veçantë publik të pronave të cilat preken nga realizimi i projektit "Ndërtimi i Kompleksit Qeveritar" në Hajvali dhe zonat përreth, ku u tha se parashihet të ndërtohet edhe objekti i ri RTK-së.

***

Kryeministri i Bullgarisë kërkon në Prishtinë, tejkalim të mospajtimeve

Kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borissov, ka qëndruar të hënën në Kosovë. Ai është pritur në takime të ndara nga presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj e krye-parlamentari Kadri Veseli. Në një konferencë të përbashkët me presidentin Thaçi, kryeministri bullgar, Borissov, ka thënë se mosmarrëveshjet me Beogradin duhen zgjidhur. Borissov ka kërkuar nga elita politike e Ballkanit që t’i tejkalojnë mospajtimet, pasi, sipas tij, egoizmi i njërit shtet mund të shkaktojë dëme edhe në shtetet e tjera. 

Kurse Presidenti Thaçi tha se BE-ja do të jetë e plotë kur Kosova dhe Evropa Juglindore do të jenë pjesë e saj. Presidenti Thaçi po ashtu u shpreh i bindur se edhe liberalizimi i vizave për Kosovën do të ndodhë këtë vit.

“Gjërat po lëvizin në drejtim të duhur dhe vendimi tash është I autoriteve të BE-së që liberalizimi I vizave të ndodhë këtë vit”, ka thënë Thaci.

Borissov u takua edhe me kryeministrin Ramush Haradinaj. Përmes një komunikate, qeveria e vendit bëri të ditur se kryeministri Haradinaj kërkoi nga homologu i tij bullgar ta mbështesë Kosovën në rrugën e saj evropiane. “Kosova ka nevojë për miqtë e saj në procesin e liberalizimit dhe anëtarësimit në BE. Bullgaria është një vend mik, nga i cili presim mbështetjen në këtë proces. Kosova do të jetë gjithmonë e hapur për bashkëpunim ekonomik dhe politik me këtë vend. Ne e kemi dëshmuar edhe në të kaluarën që mund të kemi partneritet të ngushtë”, thuhet në komunikatën e qeverisë Haradinaj.

Ndryshe kryeministri bullgar, Bojko Borissov, është takuar edhe me kryeparlamentarin Veseli, ndërsa ka potencuar se Kosova në Samitin e Sofjes do të prezantohet si shtet i pavarur.

***

Raport kritik i KE për Kosovën

Komisioni Evropian me 17 prill publikon raportin e progresit për Kosovën. Një pjesë e këtij raporti që tashmë është zbuluar, përmban kritika në përmbushjen e reformave dhe kritika të ashpra për tentimin e shfuqizimit të Gjykatës Speciale.

Komisioni Evropian vlerëson se në Kosovë aktorët politik duhet të ndërtojnë një konsensus për temat e rëndësishme me të cilat përballët vendi. Raporti bën thirrje për dialog  konstruktiv së bashku me Kuvendin, si vendi kyç për debatin politik. Po ashtu në raport theksohet nevoja e përshpejtimit të reformave të kërkuara nga Bashkimi Evropian, në zbatimin e MSA-së. 

Ratifikimi i Demarkacionit, edhe pse cekët se ndodhi shumë vonë, si dhe luftimi i korrupsionit, në raport shihen si zhvillime pozitive në vend.

Por një shqetësim që përmend është tentativa e deputetëve për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale. 

“Do të jetë esenciale për Kosovën zbatimi i obligimeve ndërkombëtare lidhur me Gjykatën Speciale, që u formua për t’i gjykuar krimet ndërkombëtare në luftën e Kosovës”, thuhet në raport.

Dialogu me Serbinë dhe përmbushja e marrëveshjeve të nënshkruara, sërish janë të nënvizuara në këtë raport. Kosova duhet të intensifikojë pjesëmarrjen në dialogun me Serbinë, përfshirë zbatimin e të gjitha marrëveshjeve dhe veçanërisht marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

***

Edhe Gjilani lidhet me autostradë

Është inauguruar të dielën fillimi i ndërtimit të autostradës, 23 kilometërshe që e lidhë Gjilanin me Prishtinën. Fillimi i punimeve është bërë në Zhegoc të Gjilanit, pikërisht në ditën kur shënohet edhe 19-vjetori i Betejës së Zhegocit. Kryeministri Ramush Haradinaj duke kujtuar të rënët për liri, tha se fillimi I punimeve po bën që të ndihen më mirë sesa viteve të tjera.

“Më vjen mirë që 87 milionë euro të pjesës së parë janë të zotuara. Nuk është meritë e imja kjo, e Qeverisë Haradinaj, është e të gjitha qeverive, e taksapaguesve. E gjithë infrastruktura e Kosovës do të jetë e kryer në 2023. Nuk do të ketë vendbanim urban pa u lidhur në autorrugë”, theksoi shefi i Qeverisë.

E ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, tha se ndërtimi i këtij gjigandi infrastrukturor, po nis falë dhe gjakut të dëshmorëve që e sollën lirinë.

“Jemi këtu për të nisur një gjigand infrastrukturor me 22,61 km me 4 shirita dhe të gjitha standardet e nevojshme, që do shkurtojë kohën e lëvizjes nga Prishtina në Gjilan dhe në Evropë”, tha Lekaj.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, e konsideroi ndërtimin e kësaj autostrade të rëndësishëm jo vetëm për qytetarët e Gjilanit, por edhe ata të Luginës së Preshevës.

“Edhe pjesa e Preshevës do të integrohet më lehtë në këtë autostradë, për zhvillim ekonomik e qarkullim më të shpejtë. 32% e popullatës së Anamoravës jetojnë në Evropë dhe janë kontribuuesit më të mëdhenj të ekonomisë. Ua atribuojmë këtë rezultat edhe bashkatdhetarëve tanë në Evropë”, u shpreh Haziri.

Në inaugurim po ashtu u theksua se në vitin 2019 do të fillojë edhe autostrada Istog-Pejë-Deçan-Gjakovë.

***

Qeveria ka inauguruar Projektin për Efiçiencë të Energjisë

Qeveria ka inauguruar të hënën Projektin për Efiçencë të Energjisë dhe Energji të Ripërsëritshme. Projekti pritet të ndihmojë zvogëlimin e kostos së energjisë elektrike në institucionet shëndetësore në Prishtinë.

Ministri  i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka, ka thënë se nga 12 objektet e përfshira në këtë projekt, nëntë prej tyre janë spitalore.

“Me këto projekte, objektet janë në gjendje shumë më të mirë, por edhe kushtet e punë janë përmirësuar dhe çka është me rëndësi që  ka  dhe kursime jashtëzakonisht shumta nga energjia”,  ka thënë Lluka.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka thënë se projekti ka krijuar mundësi që të ulen shpenzimet e energjisë. 

“Do të mundohemi të bashkëpunojmë që ta shpërndajmë tek të gjitha institucionet shëndetësore tjera, të ruajmë shpenzimet të cilat krijohen duke dhënë mundësi që buxhetin ta qojmë tek pacientët”, ka thënë Isamili.

Drejtori i Bankës Botërore për Kosovë, Marco Mantovanneli ndërkaq, ka thënë se shumica e projekteve që ndërlidhen me energji janë orientuar në sektorin e shëndetësisë.

Ky projekt përfshin renovimin e 12 ndërtesave publike në vlerë prej 2.8 milionë euro dhe deri në fund të këtij viti, projekti parashihet të realizohet në 55 objekte.

***

Bashkimi i Prizrenit sukses historik, nënkampion i Ligës Ballkanike në basketboll

Befasia e sivjetme e Ligës Ballkanike, Bashkimi i Prizrenit, në gjysmëfinale të Final Fourit të Ligës Ballkanike BIBL që u mbajt në Samokov, afër kryeqytetit bullgar, ka arritur ta eliminojë me fitore 72:71 ekipin më të mirë të sezonit të rregullt Rilski Sportist, që kishte pësuar vetëm një humbje.

Kurse në finale, Bashkimi nuk arriti që ta mposht edhe përfaqësuesin tjetër nga Bullgaria, Levski Lukoil duke humbur me rezultat 83-72.

Megjithëkëtë, Bashkimi ka shënuar suksesin më të madh në historinë e tij, duke u shpallur nënkampione e Ligës Ballkanike ku garojnë edhe klubet e tjera nga Bullgaria, Maqedonia, Shqipëria, si dhe nga Mali i Zi.

Përgatiti për TRT Shqip, Muharrem SARAGJOLLI



Lajme të ngjashme