Haradinaj: Njohja reciproke duhet të jetë finalja e dialogut Kosovë-Serbi

Në konferencën me temë “Skenarët e ‘Finales së Madhe’ Kryeministri Ramush Haradinaj tha se “finalja e dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, duhet të jetë njohja reciproke”.

Haradinaj: Njohja reciproke duhet të jetë finalja e dialogut Kosovë-Serbi

Kryeministri Ramush Haradinaj deklaroi të enjten se “finalja e dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, duhet të jetë njohja reciproke”.

Në konferencën e organizuar nga Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit (RIDEA) dhe Grupi për Hulumtim të Politikave në Ballkan (BPRG), me temë “Skenarët e ‘Finales së Madhe’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, Haradinaj shprehu shqetësimin pse edhe pas dy dekadash, çështja e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë vazhdon të mbetet e hapur.

“Nëse Brukseli zyrtar nuk ka kapacitet për ta mbyllur këtë temë le të kërkojë ndihmë, ose nëse nuk dëshiron ndihmë, të na tregojë se çfarë të bëjmë ne dhe ne shkojmë në drejtimin tonë ashtu sikur kemi ditur ta bëjmë në të kaluarën”, theksoi Haradinaj, bën të ditur zyra e shtypit e kryeministrit.

Po ashtu, kryeministri Haradinaj tha se gjatë kohës sa është në krye të qeverisë ka parë një mospërputhje në energjinë e Brukselit për çështjen e mbetur hapur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe në këtë drejtim duhet të ndryshojë diçka.

Sa i përket marrëveshjeve, kryeministri tha se disa nga to janë zbatuar dhe janë disa rezultate reale, por në disa të tjera ka ngecje, siç është me marrëveshjen e energjisë.

“Këtu shihet dobësia e Brukselit zyrtar. Brukseli zyrtar lejon që të ndodhin shumë veprime joligjore në fushën e energjisë, përkatësisht në veri dhe rreth Kosovës, në investime, në transmision dhe nuk e ka fuqinë t’i thotë Beogradit se nuk ka të drejtë të bëjë një veprim të tillë. Ne humbim kohë, veprojmë, punojmë dhe në fund duhet të marrim mjete nga buxheti për të mos lejuar të degradojë gjendja më tutje”, tha kryeministri, duke theksuar se ka kërkuar 4 milionë euro nga BE-ja për të mbijetuar këtë situatë edhe për një kohë.

Po ashtu, Haradinaj tha se mosgatishmëria e dikujt për ta marrë rolin nuk do të thotë se e ndalon Kosovën, pasi ka pasur edhe etapa të tjera kur vendimmarrësit nuk e kanë pasur këtë gatishmëri, por Kosova ka ecur rrugës së saj.

Duke folur për rrugën e Kosovës në të gjitha proceset, kryeministri Haradinaj u shpreh se Kosova nuk ka kohë të presë pafundësisht dhe shtoi se nuk ka nevojë për shumë kreativitet sepse finalja e këtij procesi duhet të jetë njohja reciproke.

Pjesëmarrës në këtë konferencë ishin edhe presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Lëvizjes ‘Vetëvendosje’, Albin Kurti, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ambasadori i SHBA-së në Republikën e Kosovës, Greg Delawie, ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Per Strand Sjaastad, përfaqësues të komuniteteve që jetojnë në Republikën e Kosovës, të korit diplomatik të akredituar në Kosovë, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

 



Lajme të ngjashme