Lista Serbe vendos të dalë nga koalicioni qeverisës

Përfaqësuesit e Listës Serbe kanë vendosur të braktisin Qeverinë e Kosovës dhe për këtë vendim kanë edhe mbështetjen e Presidentit të Serbisë, deklaroi të martën kryetari i saj, Goran Rakiç.

Lista Serbe vendos të dalë nga koalicioni qeverisës

Përfaqësuesit e Listës Serbe do të braktisin Qeverinë e Kosovës dhe për këtë vendim kanë mbështetjen e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi të martën kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç.

Rakiç në konferencën për media në Beograd pas takimit me Vuçiçin tha se pas “sulmit terrorist ndaj popullit duarbosh serb dhe përfaqësuesve të Qeverisë së Serbisë, përfaqësuesit legjitimë serbë në Kosovë nuk mund të qëndrojnë të heshtur".

Ai tha se arrestimi të hënën i shefit të të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç nuk do ti frikësojë.

“Do të qëndrojmë dhe mbrojmë shtëpitë tona dhe kurrfarë policie ROSU nuk do të na frikësojë as dëbojë nga këto hapësira”, shtoi Rakiç.

Sipas tij, ngjarja e të hënës ka qenë tullumbace provuese për institucionet kosovare për të marrë veriun e Kosovës.

“Lidhur me këtë ne njoftuam Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe ajo që na gëzon është se ai tha se nuk do të lejojë kurrfarë 'Stuhie' të re”, tha Rakiç.

"Të mos jemi ujq për njëri-tjetrin"

Ai deklaroi se të mërkurën do të mbahet seanca e Kuvendit të të gjitha 10 komunave serbe në Kosovë, në të cilën do të shpaloset propozimi që më 20 prill, në pesëvjetorin e Marrëveshjes së Brukselit, serbët të formojnë Bashkësinë e Komunave Serbe (BKS), dhe BKS të formohet në pajtim me të drejtën ndërkombëtare.

“Ne për këtë biseduam edhe me presidentin Vuçiç dhe ai tha se do të mbështesë çdo vendim tonin, siç e ka bërë deri tani”, tha ai.

Rakiç u bëri thirrje të gjithë serbëve që të mos bëhen pjesë e Ushtrisë së Kosovës.

“Të mos jemi ujq për njëri tjetrin, ujq për fëmijët tanë serbë. Do të gjejmë mënyra nëse gjendja juaj materiale nuk është në nivel të kënaqshëm, por ju lutem, dhe kërkoj prej jush që të mos shkoni në atë ushtri, sepse nesër do të vjen situata të godasë vëllai vëllanë ndërsa një gjë e tillë momentalisht më së paku na nevojitet”, deklaroi Rakiç.

Në konferencën për media foli edhe drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverisë e Serbisë.

Duke komentuar ngjarjen e djeshme, Gjuriç tha se “separatistët shqiptarë në Prishtinë me mbështetje evidente dhe padyshim të të disa qarqeve të caktuara perëndimore në mënyrë brutale dhe të dhunshme sulmuan popullin tonë në veri të Kosovës, me një synim krejtësisht të qartë që përmes dhunës, terrorit të armatosur deri në dhëmbë të pushtojnë veriun e Kosovës”.

“Të mos ishte një thirrje nga Beogradi, plotësisht është qartë se dhuna dhe terrori kundër serbëve do të vazhdonin. Jam krenar për serbët tanë, burrat dhe gratë tona të guximshme që nuk janë dhe nuk do të nënshtrohen dhe do të vazhdojnë të luftojnë për serbët dhe popullin e tyre”, tha Gjuriç.

Ai shtoi se është në gjendje të mirë dhe se ka marrë disa goditje, se në një bodrum në Prishtinë e kanë goditur, që njëri i kishte nxjerrë një thikë dhe e kishte kërcënuar, por se nuk është keq.

I pyetur se çfarë do të thotë kjo për vazhdimin e dialogut Beograd-Prishtinë, Gjuriç tha se përfaqësuesit ndërkombëtarë, të cilët e kanë lejuar dhe ndoshta e kanë inkurajuar këtë dhe natyrisht Prishtinën dje treguan se çka mendojnë për vazhdimin e dialogut. (Anadolu Agency -AA)

 


Lajme të ngjashme