Shqipëria përshëndet miratimin e demarkacionit të kufirit nga Kuvendi i Kosovës

Paria shtetërore e Shqipërisë kanë përshëndetur miratimin e marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi nga ana e Kuvendit të Kosovës.

Shqipëria përshëndet miratimin e demarkacionit të kufirit nga Kuvendi i Kosovës

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, Kryeministri i vendit, Edi Rama dhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ditmir Bushati, kanë përshëndetur miratimin nga Kuvendi i Kosovës të demarkacionit me Malin e Zi.

Mesazhi i Metës është publikuar nga zyra e shtypit e Presidencës së Shqipërisë ku thuhet: "Përgëzime për Kuvendin e Kosovës për miratimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi dhe urime të gjithë qytetarëve të Kosovës në përmbushjen e dëshirës së tyre për të lëvizur të lirë e për realizimin e aspiratës së tyre të integrimit në Bashkimin Evropian".

Ndërsa Kryeministri Rama në mesazhin e tij publikuar në rrjetet sociale shkruan: "Vota për demarkacionin, një votë e vonuar, por kuptimplotë për Kosovën si shtet që dëshmon seriozitet në angazhimet e veta. Tani Bashkimi Evropian t’i përmbahet pa vonesë angazhimit të vet: Liri lëvizjeje pa viza në Evropë për qytetarët e Kosovës".

Ministri Bushati në mesazhin e tij publikuar në rrjetet sociale thekson se përcaktimi i vijës kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi përbën një hap të rëndësishëm përpara në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërkufitare. "Kjo i krijon mundësinë Bashkimit Evropian për të vijuar sa më parë me procesin e shumë dëshiruar të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe përforcon klimën e bashkëpunimit pozitiv në tejkalimin e mosmarrëveshjeve mes fqinjëve", shkruan Bushati.

Kujtojmë së Kuvendi i Republikës së Kosovës në seancën e jashtëzakonshme ka ratifikuar Projektligjin për kufirin shtetëror mes Kosovës dhe Malit të Zi. (AA)



Lajme të ngjashme